Në një intervistë për "Shekullin": "Njeriu, mirëqenia e tij e brendshme, kultura e tij duhet të jenë në qendër të vëmendjes të përvojës njerëzore dhe jo biznesi dhe tregtia, megjithëse e dimë se edhe tregtia duhet, siç duhet edhe anglishtja."
"Italo Kostante Fortinos, arbëresh, studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, shqiptar me famë ndërkombëtare për veprën e tij të gjerë dhe të larmishme në të mirë të Shqiptarisë. Në veçanti për vlerësimin e veprës së shkrimtarit spexanjot Xhusepe Anxhelo Noçiti dhe të eseistit dhe historianit Xhovani Laviola."
Me këto fjalë Kozenca i ka shprehur mirënjohjen Italo Kostante Fortinos, profesorit ordinar të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin "L'Orientale" të Napolit. Në ndërrimin e vitit 2010, atij iu dha çmimi "Città di Spezzano Albanese" nga Bashkim Kulturor Arbëresh dhe Bashkia e Spexano Albanese-s.
Prof. Fortino, ç'do të thotë për ju ky çmim që ju është dhënë së fundmi?
E konsideroj i një nder që më bëhet. Vlerësoj se të ndihmosh në nxjerrjen në pah të kulturës arbëreshe do të thotë të ngresh problemin e mbrojtjes së "vërtetë" të një kulture, të pasur e të çmueshme, siç është jona, arbëreshe, që prej më se pesë shekujsh mbetet ende e gjallë e pjellore.
Ky çmim ka meritën se shquan personalitete që me përkushtim punojnë në të mirë të komunitetit, me qëllim që të krijojnë një lëvizje mendimesh me synim forcimin e ndjenjës së identitetit kulturor dhe kompaktësinë e tij.
Mbrojtja "e vërtetë" bazohet në të dhëna objektive që parashikojnë nga njëra anë njohjen reale të gjendjes së kulturës, më anë tjetër përdorimin e mjeteve të duhura dhe efikase: që të dyja bashkëveprojnë për të forcuar dhe zhvilluar një kulturë, e cila përballë botës së globalizuar mund të rrezikojë të zhduket.
Të dhënat objektive duhet të ndiqen më pas nga marrja e masave të përshtatshme, në të mirë të një kulture minoritare në fazë dobësimi, duke pasur parasysh edhe atë që ka ndodhur e vërehet çdo ditë me kulturat e tjera që gjenden në të njëjtat kushte me atë arbëreshe.
Në një vështrim më të thelluar, kjo mbrojtje është ngushtësisht e lidhur me ekzistencën e kulturës arbëreshe, vlerën e çmuar që ka ajo sot, e jo vetëm atë historike, të së shkuarës, por ende të vlefshme edhe në këtë botë të globalizuar që kërkon të fshijë mospërfillshëm atë që konsiderohet jo prodhuese e jo e kënaqshme nga pikëpamja komerciale.
Marrin jetë, me fjalë të tjera, vlerat në vetvete dhe jo vetëm ato funksionale. Njeriu, mirëqenia e tij e brendshme, kultura e tij duhet të jenë në qendër të vëmendjes të përvojës njerëzore dhe jo biznesi dhe tregtia, megjithëse e dimë se edhe tregtia duhet, siç duhet edhe anglishtja.
Çfarë objektivash keni arritur gjatë kërkimeve tuaja?
Së pari kam botuar e bërë të njohur disa vepra të rralla apo të pabotuara të letërsisë arbëreshe. Pas fazës romantike të rizgjimit kulturor të kulturës arbëreshe, u bë e ngutshme që të njiheshin veprat letrare për të shijuar estetikisht, dhe nëpërmjet leximit të thelluar të mund të mbërrihej në një gjykim kritik sa më objektiv.
Që në 1984 përgatita dhe nxora nga shtypi botimin kritik të veprës Gjella e Shën Mërisë së Virgjër të Jul Varibobës. Ky botim hedh baza të sigurta për një lexim të veprës në formën origjinale më të mundshme, nëpërmjet botimit kritik. Kjo i ka lejuar lexuesit të thjeshtë dhe atij të specializuar të lexojë me të gjitha garancitë shkencore një vepër mjaft lirike dhe me një kolorit krejt të veçantë.
Sot jam edhe më i kënaqur se vepra është ribotuar edhe në Shqipëri, për lexuesit përtej Adriatikut, me të njëjtën saktësi shkencore dhe me një veshje të bukur tipografike (Jul Variboba, Gjella e Shёn Mëris Virgjёr, Pёrgatitur nga Italo Costante Fortino, me kujdesin e Akademikut Jorgo Bulo, Visare tё Letёrsisё Shqiptare, Botimet Toena, Tiranё 2010).
Veprat e pabotuara të letërsisë shqipe kanë qenë nxitje për kërkimet e mia dhe më kanë ndihmuar të zbuloj një shkrimtar arbëresh të papërmendur në historinë e letërsisë shqipe: Xhuzepe Anxhelo Noçiti (Giuseppe Angelo Nociti 1832-1899), nga Spixana (Spezzano Albanese), nga i cili kam botuar deri tani himnet e tij (Rёmenxa t'arbresha / Rime albanesi, Brenner, Cosenza 1992) dhe poemthin kushtuar figurës së Skënderbeut (Ndihmja e Krojёs, në "Giorgio Castriota Scanderbeg nella storia e nella letteratura", Atti del Convegno Internazionale, Napoli, 2007, ff. 153-194). Bëhet fjalë për një poet dhe studiues shumë interesant, si për venën e tij poetike, për procesin e ngritjes së gjuhës popullore në gjuhë të letërsisë, ashtu edhe për studimet gjuhësore që lidhen kryesisht me leksikografinë shqipe.
Lidhur me këtë të fundit, kam vënë në dukje disa aspekte të kontributit të tij për leksikografinë në një Konferencë Shkencore Ndërkombëtare kushtuar Kostandin Kristoforidhit (Elbasan 2002) në një kumtesë më titull Leksiku i K. Kristoforidhit nё Fjalorin dorёshkrim tё Xhuzepe Anxhelo Noçiti. Kam gjithashtu kënaqësinë të bëj të ditur që së shpejti dorëzoj për shtyp veprën e Xh.A. Noçitit Vocabolario Albanese (Fjalor Shqip) që përmban 10.000 lema. Një personalitet me interesa dhe studime, si ai i Noçitit, nuk mund të mbetej i panjohur për botën kulturore dhe letrare shqiptare.
Gjithë në hullinë e botimit të dokumenteve të pabotuara të letërsisë shqipe përparojnë edhe punë që kanë të bëjnë me veprën e një autori të madh arbëresh të shekullit XIX: Frangjisk Anton Santori (Francesco Antonio Santori).
Publikimi i disa novelave në vargje (romanzetti) më kanë dhënë shtysën për të vënë në dukje risinë e krijimit të tij letrar: interesin e treguar për çështjet me karakter shoqëror dhe fillesat e letërsisë së angazhuar. Kështu botimi për herë të parë i Kalimereve (Brenner, Cosenza, 2004) dëshmon për rolin që komponenti fetar ka pasur në spiritualitetin bizantin të komuniteteve arbëreshe dhe në forcimin e identitetit kulturor.
Edhe nga këto pak shënime mund të kuptohet si kultura arbëreshe, nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, vjen duke u forcuar në kërkimet shkencore, që më pas përhapen e shtrihen më tej duke përfshirë të gjithë komunitetin.
Cila është gjendja e gjuhës, e letërsisë dhe e kulturës arbëreshe sot?
Nëse e krahasojmë gjendjen aktuale të gjuhës së folur në komunitetet arbëreshe të Italisë Jugore, me të kaluarën, verifikohet një rënie statistikore e arbërishtfolësve, sidomos tek brezat e rinj.
Përcjellja e gjuhës së folur në gjirin e familjes dhe më gjerë në katund është dobësuar në favor të gjuhës italiane. Shpresohet për një rimarrje kur mësimi i arbërishtes në shkolla të jetë më energjik dhe i mirëorganizuar, në mënyrë që t'i paraprijë rënies së përçuarjes së gjuhës, peshë të cilën më parë e mbante familja dhe komuniteti në një vështrim më të gjerë.
Ndërsa, krijimi letrar, që pas Luftës e deri më sot po jeton një stinë lulëzimi, me një numër autorësh që sa vjen e pasurohet. Krahas poetëve të njohur si Vorea Ujko, Dushko Vetmo, Zef Skiro di Maxho, po afirmohet edhe një plejadë zërash të rinj që shkruajnë si në poezi edhe në prozë. Është kuptimplotë fakti që ekziston edhe një revistë Jeta Arbëreshe ku prej dhjetë vitesh botohet tërësisht në shqip, ku shkruajnë si arbëreshë, në të folmet e tyre përkatëse ashtu edhe shqiptarë, në kodin standard, por mbi argumente që lidhen me arbëreshët.
Kujtoj këtu se në dhjetëvjeçarët e fundit rrethi i atyre që dinë të shkruajnë në të folmet e vet amtare, është zgjeruar. Kjo falë zgjimit në përgjithësi të interesit për kulturat minoritare që gjallojnë në territorin italian, dhe që konsiderohen gjithnjë e më shumë një pasuri e vërtetë kombëtare, ashtu edhe falë Ligjit 482, aprovuar nga Parlamenti italian më 1999 që mbron këto pakica.
Gjithsesi, me gjithë këtë zgjim të interesit, shëndeti i kulturës arbëreshe nuk është i mirë: presioni që ushtron kultura sunduese, ajo italiane, po e thith kulturën minoritare arbëreshe. Era e ndryshimeve dhe e kontakteve gjithnjë e më të shpejta ndërmjet elementit italian dhe atij arbëresh fryn me furi dhe tenton të përlajë identitetet lokale.
Na duket se gjendemi përballë dy fenomenesh të kundërta: i pari është një tendencë, privilegj i një elite intelektualësh, të pasionuarish që i kushtohen me angazhim e përkushtim evidentimit të kulturës amtare të fshatrave të ndryshme arbëreshe; i dyti përfaqësohet nga përparimi i madh i kulturës italiane që shkërmoq e gllabëron atë arbëreshe, që nuk zotëron mjetet e duhura për një zhvillim institucional, organik e sistematik.
Mpakja, zbehja e përcjelljes tradicionale të kulturës arbëreshe, që në të kaluarën bëhej nëpërmjet, familjes, sheshit të katundit o vetë komunitetit, nëse nuk parashikohet të zëvendësohet nga arsimimi në rrugë institucionale dhe i detyrueshëm, me të njëjtat prerogativa si kultura sunduese italiane, rrezikon një dobësim të vazhdueshëm deri në zhdukje.
A shihni perspektiva për gjuhën dhe kulturën arbëreshe?
Vështirësitë që po kalon gjuha dhe kultura arbëreshe përballë veprimit përthisës që ushtron gjuha dhe kultura italiane nisur nga një pozitë sunduese, janë të kuptueshme. Megjithatë, jam i bindur se mund të bëhet shumë me perspektiva pozitive që mund të garantojnë vazhdimësinë e tyre.
Rolin kryesor në këtë betejë duhet ta luajë shkolla, në mënyrë që kultura arbëreshe nga një kulturë analfabete të shndërrohet në një kulturë të shkruar nga të gjithë anëtarët e një komuniteti.
Sot ka një ligj për mbrojtjen e pakicave gjuhësore historike që jetojnë në territorin italian, por ky ligj duhet përmirësuar me qëllim që ta bëjë të detyrueshëm mësimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe në kuadër të arsimit të detyruar shkollor: kjo detyrë i takon shtetit italian të sigurojë që nxënësve t'u mësohet të shkruhet gjuha e prindërve të tyre. Po sjell një shembull: në 1867 nga 300.000 shtetas të popullsisë maore, në Zelandën e RE, vetëm ¼ përdorte të folmen e vet amtare, të gjithë të tjerët përdornin anglishten.
Me hapjen masive të shkollave ku mësohej e folmja e tyre, që nga "çerdhet e gjuhës" për më të vegjlit, e më pas me shkollën 9 vjeçare të ciklit të ulët e të lartë, në fund të shekullit u arrit një objektiv i kënaqshëm: pjesa më e madhe e popullsisë maore ishte e alfabetizuar në gjuhën dhe kulturën e saj. Sot në Zelandën e Re, gjuha maori është e vetmja gjuhë indigjene që vazhdon të flitet.
Një pikë tjetër e rëndësishme është përfshirja e vetë arbërishtfolësve në procesin e rigjallërimit të kulturës së vet. Kërkohet një ndërgjegjësim i familjeve dhe i tërë komunitetit, një angazhim spontan e bindës në të mirë të gjuhës amtare që sot është e kërcënuar.
Kjo përfshirje duhet të synojë si objektiv parësor të bindë komunitetin se të flasësh arbërisht nuk i dëmton asesi folësit, përkundrazi i privilegjon, sepse i rrit dhe i zhvillon në mënyrë harmonike me kulturën bazë dhe i lehtëson edhe në asimilimin e kodeve të tjera gjuhësore (anglisht, frëngjisht, gjermanisht)
Një rol jo më pak të rëndësishëm në mbrojtjen e të folmeve të kërcënuara e luajnë gjuhëtarët, ose më gjerë studiuesit.
Ata kanë për detyrë t'i studiojnë shkencërisht këto të folme, arbëreshet në rastin tonë, të bëjnë përshkrimin e tyre dhe të hartojnë mjetet didaktike të nevojshme për të gjithë folësit. Është bërë një punë e mirë në këtë drejtim.
Po citoj disa tekste: La parlata albanese di Greci, hartuar nga M. Camaj (Firenze 1971), Arbёrishtja pёr tё gjithё me autor Giuseppe Schirò Di Modica (Piana Degli Albanesi 2005), Gramatikё arbёreshe me autor Emanuele Giordanon (2005), dhe një manual shkollor në dy vëllime Alfabetizzazione arbёreshe (Ed. Il Capitello, Torino 2000), hartuar nga një grup studiuesish (C. Stamile, A. Giordano, V. Bruno, I. C. Fortino, E. Tocci, E. Giordano) me nxitjen e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarëve të Italisë.
Një fenomen interesant po vihet re këta vitet e fundit.
Arbërishtja, që deri dje konsiderohej si gjuhë e komunikimit familjar dhe popullor, sot përdoret, nga disa pionierë të kësaj nismeje, edhe në konferenca e tubime të ndryshme shkencore, apo në mbledhje më me përgjegjësi e të rëndësishme që mbahen në katundet arbëreshe. Kjo ndihmon t'i japë prestigj arbërishtes dhe e vë në provë që të shprehë koncepte abstrakte dhe të rëndësishme.
Në përfundim mund të them se nëse merren masa në drejtimet që tregova më lart, gjuha dhe kultura arbëreshe kanë perspektiva të mira që t'i rezistojnë rrezikut të zhdukjes dhe mundësi reale zhvillimi, sepse konsiderohen edhe një pasuri e vetë shtetit italian, pjesë përbërëse e të cilit janë.