Kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë më 14 maj, një vizitë njëditore në Tiranë, me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, me një fokus të veçantë ekonomik.
Kjo i është konfirmuar Top Channel zyrtarisht nga ambasada turke në Tiranë.
Mësohet se dy kabinetet, ai i Kryeministrit Rama dhe homologut turk Erdogan janë duke i dhënë dorën e fundit detajeve të kësaj vizite. Pjesë e axhendës së takimeve të Erdogan në Tiranë është edhe mbajtja e një fjale në Parlamentin shqiptar.
Kjo vizitë e kreut të ekzekutivit turk në Tiranë, vjen pas dy takimeve të zhvilluara me Kryeministrin Rama në Stamboll,i pari në muajin maj 2013 dhe i dyti me 3 gusht 2013, ku Rama deklaroi se “Takimi me Kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë”.
Kryeministri turk pritet të mbërrijë në Tiranë i shoqëruar nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit tij.
Nuk dihet ende nëse do të zhvillohet një mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, për ta çuar më përpara atë që Kryeministri Edi Rama e ka quajtur si ngritjen në nivele të panjohura më parë të marrëdhënieve me Turqinë.
Burime të pakonfirmuara pohojnë se gjatë takimit Rama-Erdogan pritet të diskutohet edhe mundësia e marrjes prej Turqisë së një kredie të butë, e cila arrin në miliona dollarë. Pas ardhjes në pushtet Edi Rama ka theksuar rëndësinë që marrin marrëdhëniet me Italinë, Greqinë dhe Turqinë, si partnerë strategjik të Shqipërisë.