Ererat e reja te letersise shqipe

Ererat e reja te letersise shqipe

Pak muaj më parë, në Kroaci u botua “Antologjia e letërsisë shqipe”. Dymbëdhjetë shkrimtarë, mes të njëzetave dhe të dyzetave, i propozohen lexuesit kroat me krijimtarinë e tyre në prozë e poezi. Një përzgjedhje autorësh pak të njohur, që pragun e komunikimit me lexuesin e kanë kaluar në festivalet e poezisë dhe në botimet e revistave letrare në vend e disa syresh edhe në rajon.  A  ka një rrymë të re në letrat shqipe? E kanë zëvendësuar brezin e  ri të post ’90? Si dhe ku spikatin ata?

Kur bie fjala të përkufizosh të renë, frika për të mos e gjetur termin adekuat, atë që i bie në kokë me një goditje e i shteron të gjitha, duke mos lënë vend për pyetje të tjera, është edhe më e madhe sesa droja për të mos rënë në grackën e klisheve. Çfarë është e reja? Si lind ajo? Kush quhet e re? Për sa kohë quhet e tillë derisa të zëvendësohet me më të renë? A vjetrohet e reja? A e humbet sharmin dhe freskinë, vrullin, hapin gjithnjë në nxit sikur koha nuk i mjafton për t’i thënë të sajat? A mplaket duke u veshur me rrudhat e mençurisë dhe përsosjen e përvojës? Kur lind e reja dhe kush e lind?

Gjysmëshekulli më parë, në Francën e fundviteve ’50 një grupim kineastësh nisën reagimet kundër themeleve të ngritura të kinemasë franceze, në përpjekje për të thënë dhe bërë të tyren nën emrin tingëllues “Nouvelle vague”.  Edhe pse kurrë nuk u bë një lëvizje e organizuar formalisht, kineastët e Valës së Re u lidhën fort me refuzimin e vetëdijshëm të periudhës letrare në Francë, e së bashku me frymën rinore sollën dëshirën për të eksperimentuar me format e reja… Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesëdhjete vjet, “vala e re” mbetet ende e re, të paktën në revoluciononin që i solli narracionit në film….

Nëse do hiqnim një paralele arti-edhe nëse krahasimi do të qe i pavend është liria e këtij të fundit që e legjitimon – me ndryshimet e regjimit politik e ekonomik në vendin që dikur ishte quajtur fortesa më madhe e diktaturës në portën hyrëse të Bllokut Lindor ku periudha e realizmit socialist mund të quhej zyrtarisht e vdekur, e vrarë edhe nga pena e shkrimtarëve të një brezi që po lindte, ose kishte lindur në heshtje e ishte rritur aq sa një fëmijë në motet e para, i etur për t‘u shpërfaqur e lexuar, për të thënë të tijën në një stil më të ri, në një frymë më liberale, një valë e re në letërsinë shqipe. Poetë e prozatorë, eseistë e publicistë nisën të botoheshin,

Thuhet se brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste, sidomos në poezi.

Frymëmarrja lirshëm – të paktën në të thënën e të shkruarit të këndvështrimit edhe kritik, e cila në gjysmëshekullin e regjimit komunist as që ëndërrohej e për t’u bërë realitet duhet të kishe penën aq të fortë sa edhe kokëshkrehjen për t’ i vënë gjoksin dyerve të hekurta të qelive të ftohta në burgjet famëkeqe apo në rastin më të keq t’i mbyllje sytë përpara grykës së një arme që kishte pushtetin t’i jepte fund jetës dhe krijimtarisë –solli dyndje veprash letrare.

Diana Çuli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj, Arian Leka, Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku apo Ervin Hatibi ishin disa nga emrat e atyre që do të konstituonin më pas atë që do të quhej brezi i ri i shkrimtarëve. Po në dhjetëvjeçarin e tretë të lirisë së fjalës dhe letërsisë së pacensurë cili është brezi i ri i shkrimtarëve? A ka një brez të ri që po e zëvendëson atë të Post Nëntëdhjetës? Pak muaj më parë, në Kroaci u botua “Antologjia e letërsisë shqipe”. Dymbëdhjetë shkrimtarë të rinj, mes të njëzetave dhe të dyzetave, i propozohen lexuesit kroat me krijimtarinë e tyre në prozë e poezi. Lindita Arapi, Darien Levani, Mariklena Niço, Lindita Komani, Flurans Ilia, Lisiana F. Demiraj, Eljan Tanini, Gresa Hasa, Arti Lushi, Sabina Veizaj, Edon Qesari, Albana Nexhipi vijnë si pjesë e një vale më të gjerë shkrimtarësh që, prej një dekade, komunikojnë me lexuesin e tyre si me një klasë e mëvetme shoqërore.

Disa prej tyre ishin pjesëmarrës në festivalin “Vështrime në letërsitë e vogla” që u organizua në Zagreb javën e parë të tetorit. Letërsia shqipe, fqinjit dalmat i kishte munguar prej afro 30 vitesh, atëherë kur Shkëlzen Maliqi përkthente Kadarenë në kroatisht. Edhe kjo Antologji, e përzgjedhur nga shkrimtari Arian Leka është përkthyer nga Shkëlzen Maliqi.

Një përzgjedhje autorësh pak të njohur, që pragun e komunikimit me lexuesin e kanë kaluar në festivalet e poezisë dhe në botimet e revistave letrare në vend e disa syresh edhe në rajon.

Duke u botuar fillimisht në revistat “MM”, “Mehr Licht”, “Milosao”, “ARS” “Fjala” por veçanërisht në revistën “Poeteka”, apo duke lexuar në festivalin eponim, këta autorë kanë ngulmuar ta bëjnë krijimtarinë e tyre pjesë të peizazhit kulturor të vendit…

 

Traduki dhe shkrimtari në Rezidencë

Një vit më parë, në janarin e 2014-ës, Ministria e Kulturës së vendit tonë nënshkroi një marrëveshje me rrjetin europian të botimeve “Traduki”, nën kupolën e të cilit gjejnë strehë 14 vende europiane. Traduki është një rrjet për letërsinë. Programi ka fokus të veçantë ndaj përkthyesve, puna e të cilëve shihet si ndërmjetësues të rëndësishëm kulturore. Takimet midis shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve, bibliotekarëve, kritikëve dhe shkencëtarëve kanë për qëllim të nxisin shkëmbimin e informacionit europian e ndër-rajonal si dhe të forcojnë bashkëpunimin. Me mbështetje të këtij rrjeti dhe me nismë të ministrive të Kulturës të vendeve pjesëmarrëse, janë të ngritura edhe rezidencat e Shkrimtarëve, më e reja është ajo e ngritur në Tiranë, si pjesë e projektit “ Tirana in between” nga Festivali Poeteka dhe e mbështetur nga Ministria jonë e Kulturës. Në një vit, kanë qenë disa shkrimtarë të huaj që kanë qëndruar në rezidencën shqiptare, ndërsa në fillim të këtij viti u bë e njohur se dy shkrimtarë shqiptarë, përfaqësues të brezit të ri, Eljan Tanini dhe Lindita Komani janë përzgjedhur në rezidencën 1 mujore “Marko Marulic” në Split.

Eljan Tanini, shkrimtari “pa pikë”

Një gdhendës i mirë i letërsisë veç daltimit të fjalës, për t’i dhënë rrumbullakësinë e përsosjes ka në dorë edhe armët e pikësimit, për ta bërë më goditëse atë që mbrujt fantazia. Eljan Tanini, ka vendosur të bëjë të kundërtën; një poemë e gjatë 46 faqe pa asnjë shenjë pikësimi. Asnjë presje, retiçencë, pikëçuditëse apo pikëpyetje që lexuesi të frymëmarrë për të shkëputur mendimin nga një tjetër. Jo. Ka vendosur ta sjellë kështu sepse i pëlqen absurdi. Sepse i pëlqen t’i hedhë mendimet ashtu, në mënyrë kaotike, e pastaj vargjet ta gjejnë vetë rregullin. I pëlqen t’i thyejë edhe ato rregullat e mirëvendosura të teknikave të letërsisë për ta lënë të lirë lexuesin në interpretim. “Më pëlqejnë të rinjtë që guxojnë, që dalin nga klishetë…më pëlqejnë ata që e shkruajnë absurdin, ngase edhe vetë e dua këtë rrymë- tregon Eljani, ndërsa rrëfen që dorëshkrimin ia ka nisur shtëpisë botuese për ta hedhur së shpejti në treg. “Është një letër e gjatë dashurie e cila nuk dërgohet kurrë”. Ky do të jetë libri i tij i dytë i botuar, pasi sprovën e parë e ka kaluar pesë a gjashtë vjet të shkuar, kur botoi përmbledhjen me ese “Tregu i zeros”, me pasthënie nga filozofi Artan Fuga. Megjithatë në këta vite, thotë se ka ndryshuar mënyrë të menduari dhe të shkruari nga ajo kohë, duke treguar edhe procesin e evoluimit të shkrimtarit.

Përpjekjet e para në letërsi i ka pasur me publikimet në revistat letrare, të cilat e ndihmuan të gjente vendin e vet dhe të aplikonte në një sërë festivalesh letrare jashtë vendit.

Me copëza nga poema dhe disa tregime të shkurtra, të botuara në revista letrare ka fituar të drejtën e “vizës artistike” një mujore në Split të Kroacisë. “Ishte një lajm fantastik për mua. Nuk e prisja realisht. Jam shumë entuziast” vijon Tanini.

Muaji që ka zgjedhur për të hyrë në rezidencën e shkrimtarit, është dhjetori i këtij viti. “Do të shkoj bashkë me librin dhe ekspozitën” –thotë ai, duke iu referuar një ekspozite që do të hapë së shpejti në Tiranë. “Janë 60 punë në format letre A3 që e kam titulluar “ Njolla të urta”. Janë vizatime të Taninit, ku kundruesi i jep forma dhe jetësime nga më të ndryshmet. Kur e pyet nëse ka qenë e vështirë t’ia dalësh  të evidentohesh, nuk e fsheh se ka mundimet e veta, por nëse ke dëshirën, pasionin, bindjen që ato çka ke shkruar duhet të kenë publikun e vet, mjetet sot ekzistojnë. “Krijo një blog, postoje në internet, dërgoji shkrimet në revistat letrare. Mundësi sot ka plot. Askush nuk ta heq të drejtën për t’u shprehur”, vijon ai. Krahas revistave letrare është një aplikues i rregullt në aktivitetet letrare në rajon. Para disa kohësh ishte në një Festival Letrar në Serbi “Kikinda”, ndërsa në Tetor në Festivalin e Letërsive të vogla në Zagreb të Kroacisë. Është botuar në një revistë hungareze, ndërsa ka në plan të përkthejë poemën “Pa pikë” në gjuhën angleze. Të gjitha përpjekje të një shkrimtari të ri, që rrugën e botimit dhe të evidentimit-  mes shumë atyre që letërsinë e kanë hov pasioni rinove- tanimë e ka gjetur.

Lindita Komani, postimpresionizmi i letërsisë

…E rivendosur këtu, në qytetin e madh me lumin që nuk u bë dot lum, malin që me vështirësi duket ndërmjet ndërtesave që reflektojnë më së miri qenien tragjike të shqiptarëve “kokë më vete”, me liqenin që duket se për çdo ditë humbet jetë, me rritjen e pamasë dhe humbjen e identitetit si qytet më vete dhe shkrirjen e tij me gjithë të tjerët nga të cilat popullsia përbërëse tashmë vjen, me lashtësinë që i qëndron në vete, mbi vete, përqark dhe me njerëzit që vdesin për klanet dhe dukshëm më shumë se njëri – tjetrin duan të huajt, më vjen mirë të fitoj e ndaj përshtypjen që edhe këtu gjithashtu bëhet letërsi. Por se si kjo letërsi bëhet dhe se ç’do të thotë të jesh autor e letrar i mirë në Tiranën letrare, bën pjesë në atë që më mirë se çdo gjë mund të përmblidhet nën titullin “legjendë urbane” me ekzagjerimet, heronjtë e rrënuesit, inate mbi inate mbi inate dhe realitetin që diku ndodhet e që meriton të zbulohet, edhe nga unë “e huaja” në këtë mjedis…Janë këto përsiatjet  e shkrimtares së re, në librin me poezi “Postimpresion”, pasi vendosi  ta lërë përfundimisht Gracin ku jetoi dhjetë vite dhe t’i dorëzojë armët duke u quajtur “e humbur” në dyluftimin e gjatë e të rropatshëm mes logjikës dhe  pasionit. Lindita  mban një diplomë Ekonomie dhe në jetën e përditshme ushtron profesionin e saj, por në jetën e dytë  ka zgjedhur t’i prezantohet publikut si shkrimtare. “Sado të duash ta anashkalosh, nuk të lënë ato ethet për t’u ulur e për të shkruar” rrëfen ajo. Nuk e ka ndaluar dot atë  llavën e nxehtë që përflaket  së brendshmi derisa konsumohet   e derdhur në letër, e ftohur në një formë të ngurtë e ngjyrë të zezë karboni. Kur jetonte  në Austri  ndoqi kurse për teknikat e të shkruarit letrar si edhe kurse drame. Koha kur u bind se shkrimet e saj, nuk duhet t’i përkisnin më vetëm vetmisë krijuese, as rrethit më të ngushtë të miqve, por të dilnin edhe për një publik më të gjerë e të lexoheshin edhe nga njerëz që as nuk kishin shkëmbyer dy fjalë me të, as nuk e njihnin për portret, as nuk ia dinin moshën apo formimin, zgjodhi një revistë letrare si agorën e saj. “Publikimin e parë e kam pasur në Revistën Letrare Ars në vitin 2003”- thotë Lindita, ndërsa shton se ka qenë e pranishme në të gjitha revistat letrare, “Milosao”, “Poeteka”, “Fjala”, Merliht, etj. Është botuar gjithashtu në një revistë letrare në Rumani. “Revistat letrare janë prova e parë për autorin. Kam marrë reagime inkurajuese.  Kjo të jep zemër. Sigurisht që kalon atë fazën kur miqtë të përgëzojnë, sepse në revistat letrare ka në staf të kualifikuar dhe shkrimi yt kalon në një sitë përzgjedhëse dhe fakti që të botojnë është vetë tregues”. Provën më të madhe e quajti të kaluar me librin e saj të parë, përmbledhjen me poezi “Postimpresion”. Ka marrë vlerësim edhe nga ministria e Kulturës për autorët e rinj në fushën e poezisë.  Librin e dytë  do ta përfundojë gjatë rezidencës në Kroaci.

Po  shkon në Split  për të marrë pak nga shija e qytetit të lashtë, për ta zbuluar pak nga gjurmët ilire që fshihen nën dhe mbi rrënoja, të shohë zhvillimet dhe të përbashkëtat kulturore e gjuhësore.  “Është një vend për t’u frymëzuar” –shton. Projekti me të cilën edhe fitoi këtë bursë qëndrimi  është shkrimi i një komedie. “Shpresoj të dalë komedi, sepse nuk i dihet ndonjëherë ndryshon rrugës dhe përfundon në dramë” – thotë duke qeshur. Mes të tjerash ka në plan të shkruajë diçka në lidhje me shkrimtarin  kroat Marko Maruliç, emrin e të cilit e mban edhe rezidenca që do e buajtë  për një muaj. Kulturat e huaja, marrja dhe dhënia prej tyre, janë një thesar që e kanë pasuruar personalitetin e saj artistik. Krahas krijimtarisë vetjake, Lindita gjithashtu përkthen nga gjuhë të huaja si gjermanishtja e anglishtja në shqip e po ashtu letërsinë shqipe në këto gjuhë. Shkruan poezi dhe prozë, të shkurtër e të gjatë, i pëlqen të eksperimentojë  me zhanret dhe pse jo ta shtyjë letërsinë një hap më tej, në faza të reja…

Arian Leka, Revistat letrare- streha e shkrimtarëve të rinj

Kur e themeluan Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Poeteka” në Durrës, të rinjtë që ishin pjesë e rëndësishëm e tij, me bindjen se i mungonte elementi “i ri” shoqërisë shqiptare lidhën bashkë në një vend traditën dhe të renë. Promovuan veten dhe ata që erdhën më pas.  Nisi si festival, pastaj u bë revistë, pastaj shtëpi botuese, pastaj në shtëpi shkrimtarësh dhe më pas nisi  të çojë jashtë vendit elementë të letërsisë shqipe. “Synimi ishte një lidhje mes traditës dhe një brezi të ri. Bëmë një lidhje  të traditës,  asaj që ndodhte dhe asaj që pritej”- rrëfen krijuesi i Festivalit dhe kryeredaktori i revistës “Poeteka”, Arian Leka. Si fillim, menduan të sillnin mall letrar importi. Ajo çka ndodhte jashtë, elementët që mungonin brenda. Tendencat e reja të të shkruarit, debati që ende nuk po bëhej në letërsinë shqipe, letërsia e re e rajonit. “ Kjo për t’u njohur me teknikat dhe tematikat”- thotë Leka. Sprova e re ishte eksporti i elementëve shqiptare,  jashtë vendit.  Kulmin e arritën me  Antologjinë e  Letërsisë Shqipe në kroatisht, ku u prezantuan 12 shkrimtarë të rinj shqiptarë. “ Kjo erdhi duke besuar se  shkrimtarët e rinj kanë tekste  për të qenë bashkëkohorë dhe për shijen e lexuesit”- vijon ai. Poeteka është kthyer tashmë një strehë për shkrimtarët e rinj, bashkë me disa revista të tjera letrare në vend.  “ Vijnë  tekste pa pushim. Më pëlqen eksperimentimi që bëjnë me zhanret. Është një brez i ri i lexuar,  njohin disa gjuhë të huaja.  Më  vjen mirë që është thyer pak ajo tabuja  se shkrimtari duhet të ketë studiuar patjetër Letërsi, për t’u bërë i tillë. Brezi i ri e tregon të kundërtën. Kanë botëkuptime të ndryshme, nuk ekziston fryma e përbashkët”. Për të gjithë ata skeptikë të letrarëve të një brezi të ri, Leka përgjigjet se ata ekzistojnë pa asnjë dyshim.

 

Letërsia më e re shqiptare po botohet në Kroaci…!

Do të duhej që kjo ngjarje letrare të trajtohej si e zakonshme, të mos tërhiqte vëmendjen, të mos vështrohej me çudi dhe të mos prodhonte lajm për mediet. Por kjo ndodhí, thuajse normale për shkëmbimet kulturore, ngjalli po aq habi, sa ç’ngjallte dikur kalimi ilegal i kufirit prej ndonjë kokëkrisuri. Shkaku? I thjeshtë. Ndonëse jo i pëlqyer, tashmë është i njohur fakti se ndër letërsitë e vendeve të Europës juglindore, letërsia shqiptare vazhdon të mbetet më pak e njohura, madje më e izoluara. Thuajse për të gjithë. Kjo letërsi mungon në libraritë, në bibliotekat publike, në panairet, por edhe në kujtesën e vetjake të lexuesit ‘tjetër’, që di fare pak mbi proceset e brendshme, mbi tematikat, ndjesitë, prirjet dhe domethënien e të qenit shkrimtar në një vend si Shqipëria. Përpjekjet, që deri më sot u ngjajnë më tepër përpëlitjeve, vetëm sa e përforcojnë ndjesinë se në marrëdhëniet e ndryshme mes vendeve të rajonit,  ndërprerja, më shumë se kudo tjetër, ndihet në marrëdhëniet kulturore. Arsyet, përfshi këtu mosvëmendjen, mungesën e strategjive, mungesën e përkthyesve, nacionalizmin kulturor apo mosgatishmërinë në përurimin e kulturave të vendeve fqinje, mund të jenë të shumta, por jo aq të mjaftueshme sa të përligjin këtë mungesë të gjatë që, për saktësi të termit, do qe e mira ta quanim me emrin e vet: vonesë – vonesë e secilit në kulturën e tjetrit. Kësisoj, hartimi i një përmbledhjeje shkrimesh, ardhur nga një vend ‘i huaj’, i cili, ndonëse fqinj, mbetet ende terra incognita për nga ana letrare, kulturalisht ngjall kureshtje, grishje për lexim. Sidomos lidhur pyetjen nëse është apo jo Shqipëria një vend normal, përsa i përket rrjedhave letrare. Ndaj dhe iniciativa e këndshme e Review of Small Literautres dhe Club Booksa, mund të rrisë pritshmëritë e lexuesit ndaj këtyre autorëve – hulumtues të pavarur, që e kanë shndërruar letërsinë jo thjesht në komunikim, por në mjet të natyrshëm të kuptuarit përmes artit të shkrimit. Shpresoj që lexuesi të ketë gjetur në brendinë e kësaj antologjie diçka më shumë se një tufë lulesh – siç na e sugjeron etimologjia për fjalët á¼€νθολογία apo florilegium. Vetë antologjia ngjan si një aleancë e re, e pashpallur mes këtyre autorëve. Përtej pretendimit për t’i sjellë të gjithë autorët më të mirë të viteve të fundit, kjo antologji me prozë dhe poezi shfaqet si udhërrëfyes letrar. Ngritur mbi kritere estetike, ky botim mëton të hedhë një fashë drite mbi atë që botohet dhe që është ende proces letrar në Shqipëri.

…Në dallim nga paraardhësit, që u identifikuan me grupime estetike, ideologjike, me avangardën apo brezin letrar, autorët e kësaj antologjie nënvijëzojnë ndjesinë e plotë të lirisë së brendshme. Pa ndonjë ndjenjë të shfaqur solidarizimi, këta autorë mblidhen jo rreth një estetike apo ideologjie, por rreth një energjie kulturore debatuese. Një antikulturë, thuajse është kjo  sjellje e tyre, ndaj zbrazëtisë që krijohet sa herë që rendet ndërrohen me përmbysje dhe kur pragmatizmi ngre krye, si hakmarrje ndaj kulturorës. Magjepsja apo çuditja e lexuesit nuk mëtohet më. Të  ashtuquajturat ‘tema të mëdha’, simbolika mbresëlënëse, mjetet dhe instrumentet stilistikorë të sofistikuar nuk janë as muza ndjellëse dhe as gurra ushqyese për këtë lloj letërsie. Vetëmbrojtja nga mosleximi është, me sa duket, ajo që e ushqen prirjen e këtyre autorëve për lexime publike dhe komunikim me mediumet sociale. Një ndjenjë improvizimi ardhur prej kulturës rock, jazz-, punk dhe rap në komunikimin shkrimor e përshkon, duke e bërë më komunikuese këtë krijimtari. Sigurisht, mes poetëve dhe prozatorëve të kësaj antologjie ka dallime sa edhe shenja afrimi. Dikush ka provuar ndjelljen e botimit të librit të parë. Të tjerë kanë shijuar çmimet letrare apo përkthimet në gjuhë të huaj. Ndokush është ende në fillesa dhe numëron dorëshkrimet, ndërkohë që një tjetër luan rolin e urës lidhëse mes krijimtarisë së më të rinjve me një brez letrar tashmë të afirmuar. Por as përkatësitë, as formimi apo të kaluarat e ndryshme letrare, as ngjashmëritë mes tyre dhe as pangjashmëritë me brezin letrar paraardhës nuk i kanë penguar këta autorë të shfaqen të unifikuar në ndjeshmëri.

…Pavarësisht nga sa e dëgjojmë, kjo letërsi klith më shumë se paraardhëset. Është diçka si “Britma” e Edvard Munch. Tematika e teksteve të këtyre autorëve përjeton, ndoshta si rrallëherë në letërsinë shqiptare, zgjerimin e zonës së vetmisë. Socialja, si trashëgimi, është zhdukur dhe nuk besohet më. Poetika e intimes ka një armik të fortë – masskulturën, përjetimin masiv, globalizimin e ndjesive. Qenia e gënjyer prej sistemit utopik me fytyrën të kthyer nga e ardhmja, ia la vendim krijesës që zhgënjehet nga gjithçka dhe që falë këtyre teksteve nuk është vetëm individ krijesë humane, por edhe krijesë letrare. Liria e brendshme në tekstet e kësaj antologjie shndërrohet në vetmi të brendshme. Paradoksalisht zëri autorial dëgjohet i impostuar: nga out në in. Është kjo një shenjë paralajmëruese e mbylljes, rikthim në perspektivën radikale të vetmisë së individit krijues apo një formë e komunikimit bashkëkohor mbetet ende e hapur?

Përveç krijimit të këtij mozaiku, në këtë përmbledhje i është kushtuar vëmendje edhe shmangies, me sa ka qenë e mundur, e cliché-ve dhe të ashtuquajturës ‘letërsi me porosi’. E kam fjalën këtu për prirjen e vërejtur në letërsitë e rajonit tonë, për një rikthim të cliché-së tematike, që cilat prej vendeve të caktuara mirëpresin dhe brohorasin vetëm disa tema të paracaktuara. Në rastin shqiptar këto kanë qenë cliché me tema bunkerësh, gjakmarrjesh, burrneshash, ekzotikë false, kanun, prostitucion, banda kriminale, trafik klandestin, shpikje të çuditshme shqiptare brenda komunizmit etj. Këto trajtime janë mbajtur disi larg. Pjesë e kësaj përzgjedhjeje letrare janë edhe disa autorë që krijimtarinë e tyre e kanë ngjizur larg atdheut dhe vendlindjes. Duke minimizuar nostalgjinë si kriter estetik dhe lehtësinë e qortimit apo lëvdatës së veseve a virtyteve kombëtare nën ndikimin e lentes zmadhuese të distancës, këta autorë duket se plotësojnë panoramën me ‘tjetrin’ tonë të brendshëm. Dhe sa herë që flasim për ‘Tjetrin’, kujtohem për një instrument të hershëm, të cilin gjyshërit tanë, lundërtarë të brigjeve të Adriatikut, me siguri e kanë njohur dhe e kanë përdorur. E kam fjalën për tejqyrën. Tejqyra ishte mjeti që, përmes lenteve, na e sillte Tjetrin më pranë. Prej tejqyrës dikur ishim në gjendje që jo vetëm ta dallonin Tjetrin, por edhe t’i njihnim sjelljet dhe tiparet e tij të veçanta. Herë qëllimshëm dhe herë me mendjelehtësi, ndodhte që tejqyrën e vinim mbrapsht. Atëherë Tjetri pranë nesh degdisej larg, në fund të botës, bëhej i padukshëm, i panjohur dhe i paqenë, siç shpesh janë edhe letërsitë tona. Shpresoj që kjo antologji të jetë një farë tejqyre, vendosur në anën e duhur, nga lenteja që zgjon kureshtje, afron. Përtej kësaj rri dhe dëshira për ta nxitur vëmendjen e lexuesit dhe të botuesve, jo vetëm të këtyre autorëve apo ndaj autorëve që nuk janë pjesë e kësaj antologjie, por letërsisë së ‘Tjetrit’ në përgjithësi. Atij që mungon në librari, biblioteka, revista letrare dhe panaire libri. Për të pohuar atë që tashmë e dinë shumë prej nesh: se letërsia, e panjohur, e papritur, delikate, e fuqishme, mbirë si një fije bari mes plasave të betonit, mbetet pjesë e së mirës mes nesh.

Arian Leka (marrë nga Parathënia e “Antologjisë Shqipe” në kroatisht)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama