Tetë persona, mes tyre Ermal Hoxha, nipi i Enver Hoxhës, i cili u kap me 300 mijë euro në automjet, janë arrestuar dje në mbrëmje. Burime të policisë flasin për të paktën 24 të përfshirë, mes të cilëve dhe të tjerë personazhe të njohur.
Zbulohen rreth 120 kilogramë kokainë në një ish-repart ushtarak në Xibrakë të Elbasanit dhe vihet në pranga nipi i Enver Hoxhës. Lënda narkotike u sekuestrua pasditen e djeshme rreth orës 17:00, në një operacion të shpejtë dhe të mirorganizuar prej policisë sonë në bashkëpunim me Europolin. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u arrestuan tetë persona, ndërsa numri pritët që të rritet më shumë dhe në kërkim janë edhe 16 të tjerë, mes të cilëve edhe të tjerë persona të njohur. Policia bën me dije se të arrestuarit janë: Ermal Hoxha dhe Sajmir Butka, banues në Tiranë, Gentian Gjonaj, Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, Klement Dalipi, të gjithë banues në Elbasan dhe shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Walser Moreno.
Nipi i Hoxhës është prangosur në kryeqytet dhe pas kontrollit në automjet i janë sekuestruar 300 mijë euro. Dyshohet se 39-vjeçari është një nga drejtuesit e këtij rrjeti dhe emri i tij ka dalë gjatë përgjimeve. Për strukturat tona të rendit, nipi i Enver Hoxhës deri para pak muajsh ishte një qytetar i lirë, pa probleme, por informacioni i mbërritur nga Interpoli dhe veçanërisht pala gjermane, e implikonte në një trafik të mirorganizuar të lëndëve narkotike, që niste nga Kolumbia dhe përfundonte në vendet e BE-së. Provat ishin të plota dhe nuk ka mbetur gjë tjetër përveçse të kryhej arrestimi në flagrancë i sa më shumë personave të përfshirë. Hoxha ndodhej në Tiranë dhe aksioni është kryer njëkohësisht për të mos u lënë mundësi personave të përfshirë që të lajmëronin njëri-tjetrin. Paçka se nuk ka tentuar të largohet, Hoxha mësohet se gjatë arrestimit ka mbetur i shtangur dhe nuk ka komunikuar asgjë me forcat speciale që i vendosën prangat.
Shuma e madhe e të hollave e gjetur duket se i shton më shumë dyshimet për implikimin në këtë rrjet droge. Shumica e të arrestuarve ndodheshin në laborator në momentin e ndërhyrjes së policisë, ndërsa mësohet se në qeli mund të përfundojnë edhe të tjerë, pasi rrjeti është i madh dhe veç Elbasanit, operacioni ka vijuar njëkohësisht edhe në Tiranë dhe Durrës. Një tjetër i arrestuar në flagrancë ka qenë edhe Sajmir Butka, i cili po udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës me një sasi prej 18.5 kilogramësh kokainë të pastër dhe me një shumë të konsideruar eurosh. Duke parë lëvizjen e personave edhe në laboratorin e drogës, është menduar që aksioni të zhvillohej menjëherë, pasi ishte edhe frika se droga mund të lëvizej për të humbur gjurmët.
Ky operacion si zanafillë ka informimin nga ana e Europolit dhe policisë gjermane, ndërsa gjithë plani i ndërhyrjes dhe kapja në flagrancë ka qenë e strukturave të policisë sonë. Për këtë operacion kanë pasur dijeni vetëm drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, ndërsa forca operacionale mbështetëse e punonjësve të rendit kanë marrë informacion se bëhej fjalë për një laborator droge vetëm në moment e fundit, pak minuta para ndërhyrjes. Ndërsa personat e tjerë që kanë përfunduar në pranga kanë pasur role të ndryshme në këtë trafik, ku edhe ata janë pjesë drejtuese e grupit. Pavarësisht se në këtë rrjet ka shumë të implikuar, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha është emri që tregon shumë.
Kolumbianët, ekspertë të përpunimit të kokainës
Mendohet se dy kolumbianët të jenë specialistë të përpunimit të drogës, veçanërisht në ndarjen e saj. Ata dyshohet se kanë ardhur kohët e fundit në vendin tonë dhe do të merrnin pjesë jo vetëm si specialistë në ndarjen e lëndës narkotike, por mendohet se janë të dërguar nga trafikantët kolumbianë edhe si një “garanci” më shumë se kjo tregti do të vijonte edhe në të ardhmen. Ata kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë, por përsëri kanë qenë nën survejim të plotë të policisë dhe janë lejuar që të mbërrijnë pa probleme në Elbasan. Nëpërmjet personave të arrestuar ata janë dërguar në laboratorët e drogës, ku nisën punën për ndarjen dhe përpunimin e saj. Për më shumë kohë laboratori ishte i ruajtur jo vetëm nga persona të armatosur, por edhe nga shumë kamera sigurie. Droga e cila dyshohet se ishte e destinuar për tregjet europiane, tashmë ka përfunduar në duart e policisë sonë. Duke marrë shkas nga fakti që të dhënat më të shumta për këtë laborator kanë mbërritur nga policia gjermane, mendohet se tregu kryesor të ishte ky shtet.