Një tjetër sukses për sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho. Ajo është zgjedhur nga “Opera e Bastijes” në Paris për të çelur sezonin artistik 2014-2015, në rolin e Violetës te “Traviata”. Një rol, që këngëtarja lirike e ka interpretuar mbi 200 herë në 20 vite, në teatrot më të rëndësishme të botës.
“Është e rëndësishme për anën personale si artiste, sepse flasim për një vepër dramatike e muzikale. Është një vepër 100% me origjinë franceze. Është romani i shkruar nga Dumas dhe flet për këtë heroinë, Violetën, në opera dhe jetën e shpenzuar në Paris. Të këndosh Violetën në qendër të Parisit është një arritje dhe një sfidë e madhe personale si artiste. Sa i përket zgjedhjes së Drejtorisë së Operas së Bastias, ishte një lloj kurorëzimi i këtij roli në Paris. Vlerësimi që më është bërë me këtë rol ka qenë edhe arsyeja që jam zgjedhur për të hapur sezonin e Bastias”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.
Premiera u zhvillua më 8 Shtator.
“Nuk prisja një pritje kaq të ngrohtë sa çmë bëri publiku i Teatrit të Bastias për premierën, sepse në premierë ka vetëm gazetarë dhe njerëz që të gjykojnë. Pritja ka qenë si “standing-ovation”, dicka që ishte e rrallë. Më vjen keq që e them unë, duhet ta fiksonte dikush, apo dikush nga ju ta kishte parë, sepse unë s’kam dëshirë të flas për veten. Artisti flet me vepra dhe jo me fjalë dhe ndihem pak në siklet që po e them këtë gjë. Por ai ka qenë reagimi i papritur dhe një pritje shumë e ngrohtë. Kjo më jep më shumë përgjegjësi sepse këndoj 10 shfaqje. Artistët e tjerë, kolegë të mi, kanë qenë të një kualiteti shumë të lartë”, deklaron Ermonela Jaho.
Jaho do të jetë deri më 12 Tetor në Paris, më pas në petkat e Anna Bolenës në Moskë, rikthim në Paris dhe, në Dhjetor, një tjetër lajm i rëndësishëm. Në “Operastadt” të Vjenës, një ndër teatrot më të mirë në botë, do të jenë tre artistët shqiptarë, që do të ngjiten në skenën e saj.
Sërish me “Traviatën”, Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, në rolet e Violetës dhe Alfredos; dhe në atë të Giuseppes, Dritan Luca.
“Është një lloj kënaqësie, gjë që mund të tingëllojë si diçka anakronike. Por që të jenë 3 shqiptarë në Vjenë, në një nga teatrot më të rëndësishëm në botë, është një arritje mund të them edhe personale për të tre ne, por edhe një hap më tej drejt zhvillimit dhe kulturës së të qenurit në të njëjtin nivel dhe pse jo më përpara se vendet e tjera, që bën Shqipëria me prezantimin e ne të tre këngëtarëve”, përfundoi Ermonela Jaho.