Por a ka rëndësi për të ambienti ku punon? Heminguei kujton hotelin "Ambos Mundos" në Havana, të cilin e quan një vend ideal për punë. "Por unë kudo kam punuar mirë. Dua të them se punoj me tërë fuqinë në kushte sa më të ndryshme. Më pengojnë në punë vetëm telefoni dhe vizitorët", thotë ai. Por për të shkruar, a mund të jesh, a është e domosdoshme të jesh në ekuilibër të plotë shpirtëror?
"Mund të shkruash në çdo kohë, vetëm të të lënë të qetë dhe askush të mos të të turbullojë në kohën e punës. Më saktë, mund të shkruash në qoftë se do të jesh mjaft i pamëshirë ndaj vizitorëve. Sigurisht që shkruan më mirë atëherë kur dashuron", thotë Heminguei.
Por a është e vërtetë ajo çfarë biografi i tij, Filip Jang, thotë se trauma e plagosjes së rëndë që ai mori më 1918-n ka ushtruar një ndikim të madh mbi të si shkrimtar? Vetë Heminguei në Madrid është shprehur se konstatimi i Jangut nuk është serioz dhe se cilësitë që i nevojiten një artisti janë simptoma të trashëguara dhe jo të fituara.
"Atë vit, në Madrid, koka ime nuk ishte shumë e qartë. Më mirë t‘ju them se ato vërejtje mbi librat e mjeshtrit Jang dhe mbi teorinë e tij të ndikimit të traumave në letërsi ishin bërë shkarazi. Një mungesë e atillë përgjegjësie nga ana ime shpjegohet më fort me dy//////// kontuzione dhe një plasurinë të kafkës që kisha pësuar atë vit. Më kujtohen fjalët e mia se imagjinata krijuese mund të jetë rezultati i përvojës së trashëguar nga disa breza", thotë Heminguei. Për të gjëja më interesante në çdo bisedim është zbulimi i fjalës, por jo të gjitha ato që fliten mund të shkruhen, veçanërisht kur këto janë thënë pa përgjegjësi. Por cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar në rritjen letrare të Hemingueit?
"Mark Tueni, Floberi, Stendali, Turgenjevi, Dostojevski, Çehovi, Shekspiri, Dante, Virgjili, etj. Ata më ndihmuan të dëgjoj, të mendoj të ndjej e të mos ndjej dhe të shkruaj".
Por nuk janë vetëm shkrimtarët ata që kanë ndikuar në krijimtarinë e tij. Ai përmend edhe piktorë si Van Gogu, pasi dhe piktorët e mësojnë të shkruajë po aq mirë sa edhe shkrimtarët.
Hemiguei dikur i ka rënë violonçelit. "Më këmbënguljen e nënës sime, një vit të tërë vajta në shkollë dhe mësova muzikë. Asaj i dukej se unë kisha aftësi, por në të vërtetë s‘kisha aspak talent. Bënim muzikë dhome: dikush vinte t‘i binte violinës, motra i binte violës, mëma i binte pianos. Violonçelit i bija unë: as që mund të kish gjë më të keqe"
Heminguei tregon se romanin "Dhe lind dielli", nisi ta shkruante në Valencia në ditëlindjen e tij më 21 korrik. Heldi, gruaja e tij e atëhershme, dhe ai, arritën në Valencia më herët për të gjetur vende të mira për festat që fillonin më 21 korrik. Të gjithë bashkëmoshatarët e tij në atë kohë e kishin shkruar një roman, ndërsa ai e ndjente veten të pazotë. "Këtë libër e fillova në ditëlindjen time në kohën e festave, duke punuar mëngjeseve në shtrat, pastaj shkova në Madrid dhe vazhdova të shkruaj dhe atje. Në Madrid s‘kish festa, prandaj atje morëm një dhomë me një tryezë dhe punova me komoditet të plotë - në tryezën time, ose në birrarinë fqinjë ku bënte fresk. Por sërish nisi të bënte vapë, kështu që shkuam në Ande. Banonim në një plazh të gjatë e të gjerë në një hotel të vogël e jo të shtrenjtë dhe unë punova mirë. Pastaj shkova në Paris dhe mbarova romanin në trajtën e tij të parë në një banesë mbi një zdrukthëtari në rrugën ‘Notre Dame des Chams‘ numër 113 pas gjatë javësh nga dita që e pata filluar" tregon ai. Dorëshkrimin e këtij romani do t‘ia tregonte për herë të parë shkrimtarit Natan Ash. "Hëm, pse të thotë mendja se gjoja paske shkruar një roman? Ama roman! Ky është një libër shënimesh udhëtimi", i thotë ai. Ndërsa për tregimet "Dhjetë Indianë", "Sot është e premte", i ka shkruar në një ditë në Madrid, më 16 maj ditën e Isidorit. Nga shkaku i dëborës qe shtyrë për një ditë tjetër loja e demave, ai u ul mbi tryezë dhe duke pirë konjak i dha fund historisë së këtyre tregimeve.
Heminguei tregon se në tregimin "Plaku dhe deti" kishte treguar përvojën e tij. "Munda t‘i tregoj lexuesit përvojën time jetësore dhe pikërisht një përvojë e tillë për të cilën askush nuk kishte shkruar. Pata fat, sepse njoha një plak të mirë dhe një djalë të mirë, kurse shkrimtarët në kohën e fundit kanë harruar se ka edhe njerëz të mirë. Veç kësaj, edhe oqeani është i denjë për t‘u përshkruar jo më pak se njeriu. Kisha parë në atë vend një tufë prej pesëqind balenash…
Tregimi për të lind dhe nga një takim, ashtu siç ndodhi kur në një bar, duke ngrënë midhje për drekë takoi një vajzë. E dinte që ajo kishte pasur një abort. U ul pranë saj dhe bisedoi për çështje krejt të zakonshme dhe në udhë e sipër teksa po kthehej në shtëpi në mendje formoi një tregim kushtuar asaj, i cili mori jetë ndaj të ngrysura!
Nga : Gazeta Shqip