Ndoshta njerëzit nuk mund ta besojnë, por Ernest Heminguej ishte i mbushur me dyshime. Ndoshta nuk kishte dyshime mi gratë, mbi madhësinë e peshqve që peshkonte apo mbi kuptimin e heroizmit. Por ama ishte i mbushur plot dyshime sesi do ta mbyllte kryeveprën e tij “Lamtumirë armë”. Një roman i tërë kushtuar Luftës së Dytë Botërore, i njohur gjerësisht edhe nga lexuesit shqiptarë. E rishkroi 39 herë pa gjeti karar. E ka rrëfyer vetë këtë fakt në një intervistë të dhënë në vitin 1958. Por nuk e mbylli me kaq, sepse janë plot 47 variante që vetë Heminguej mendoi t’i jepte si finale këtij romani.
Shumë e kanë cilësuar simbolikisht si “ofiçina” e “Lamtumirë armë”. Të gjitha variantet do të bëhen të njohura nga lexuesi përmes një botimi që është parashikuar për Amerikën nga shtëpia botuese e autorit “Simon & Schuster”, në një variant të ribotuar të romanit. Hap pas hapi ky variant i ri do t’u shkojë lexuesve në të gjithë botën. “Lamtumirë armë”, në variantin e tij të botuar në vitin 1929, mbyllet ftohtësisht, menjëherë pas vdekjes së Katerinës: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel”. Por kjo nuk ishte finalja më e trishtë dhe më pesimiste që Heminguej kishte menduar për romanin e tij. “New York Times” para disa ditësh publikoi disa nga 47 mbylljet që shkrimtari kishte hedhur në letër për këtë libër. Në disa raste bëhet fjalë vetëm për një rresht, në disa të tjera për paragrafë të tërë. Nga një dyshim te tjetri, në të shumtën e rasteve shkrimtari ka shkuar në përfundime përmes të cilave donte të jepte një mesazh universal, në mënyrë të shkurtër e të thatë, siç ishte në stilin e tij. Më në fund, zgjodhi skenën e protagonistit që ikën nën shi, zhveshur nga komentet e shumta.
Në finalen që e ka cilësuar si numër 1, titulluar “Nada”, Heminguej ka menduar ta mbyllë kështu: “Kjo është gjithçka nga kjo histori. Katerina vdiq, ju do të vdisni dhe unë do të vdes. Kjo është gjithçka që mund t’ju premtoj”. Mbyllja e titulluar “Live-Baby”, që mban edhe numrin rendor 7, është tepër përjashtuese: “Nuk ka fund përveçse vdekjes dhe lindja është vetëm fillimi”. Më e artikuluar është finalja “Fitzgerald”, që shkrimtarit iu sugjerua nga miku i tij Francis Scott Fitzgerald. Këtu shkrimtari shkruan se: “Bota shkatërron gjithçka, ata që nuk i shkatërron i vret. […] Vret të mirët, mitet, guximtarët pa bërë asnjë dallim. Edhe nëse nuk je mes tyre, të jesh i sigurt se do të vrasë edhe ty, vetëm se nuk do të ketë asnjë nxitim ta bëjë këtë”. Në intervistën e vitit 1958 në “Paris Review”, Heminguej tregon se i shkroi dhe i rishkroi rreshtat e fundit me qëllimin e vetëm “për të gjetur fjalët e duhura. Mund të ketë qenë edhe kështu, por një fjalë e zgjedhur në vend të një tjetre në mbylljen e një romani për dashurinë e luftën, vendosin korniza të ndryshme rreth më shumë se 300 faqeve. Botimi i ri bazohet në materiale të nxjerra nga “Koleksioni Ernest Heminguej” të ruajtura në librarinë dhe muzeun presidencial John F. Kennedy në Boston.
Një stërnip i shkrimtarit, Shon Heminguej i ka studiuar gjatë këto materiale dhe në fund gjeti 47 variante, në të cilat janë të dallueshme qartë korrigjimet, ndreqjet, shënimet. Të botuara në formën e dorëshkrimeve, këto variante do t’i japin mundësinë lexuesit të kuptojë se si punonte një shkrimtar i asaj kohe, i cili nuk qëndronte para kompjuterit e t’i jepte “cancel” çdo gjëje që nuk i shkon për shtat romanit. Kjo mënyrë e re, konsideruar komode, fshin çdo gjurmë të laboratorit krijues të një shkrimtari. Patrik Heminguej, i vetmi djalë ende i gjallë i Heminguejit, ka theksuar se ka dhënë të drejtën e botimit të këtyre materialeve në dorëshkrim, sepse “jep mundësinë e një vështrimi nga afër në mendimet e tim eti. Por është edhe e vërtetë se sado që ta studiosh një klasik (të letërsisë), nuk mund të kuptohet asnjëherë se nga çfarë lind talenti”.
Në botimin që do të dalë në Amerikë, do të sillen edhe disa tituj alternativë që vetë shkrimtari kishte menduar për këtë roman: “Love in war” (Dashuri në luftë), “Of Wounds and Other Causes” (Plagë dhe çështje të tjera), “Every Night and All” (Çdo natë dhe të gjitha). Bashkë me lajmin e këtij botimi, në shtyp komentohet edhe mbi faktin që ndoshta kjo është një mënyrë për të risjellë imazhin e Baba Heminguejit, që me kalimin e viteve rrëshqiti në atë të një antifeministi dhe një të alkoolizuari. Ky botim do të kthejë vëmendjen e lexuesve të vepra e tij. Duket se ky veprim ka nxitur dëshirën e botuesve për të përfshirë të tilla materiale të shkrimtarëve të ndryshëm në ribotime të ardhshme.