Ervisa stilistja e fustaneve me tullumbace

Ervisa, stilistja e fustaneve me tullumbace
Nuk e mban mend kur ka kapur gjilpërë me dorë për herë të parë, por për herë të fundit ka habitur gjithë Politeknikun me fustanin e saj të realizuar me hapëse kanoçesh. Ervisa Mana, sapo ka përfunduar vitin e tretë për Inxhinieri Tekstile në Universitetin Politeknik të Tiranës. Në sfilitën e përvitshme që shkolla organizon më 1 korrik, ajo është paraqitur me një punim të rrallë. Një fustan të realizuar me 1300 hapëse kanoçesh. Ishte një ide e “pjekur” prej një viti në kokën e saj, kohë që i është dashur edhe për të mbledhur lëndën e parë, pasi nuk ka qenë e lehtë të bësh 1300 copë bashkë.

Për këtë inisiativë të sajën është organizuar i gjithë fisi e shoqëria e në fund ia ka dalë. Veshja ka lënë me gojë hapur të gjithë të pranishmit në atë mbrëmje. Pas mbarimit të sfilatës Ervisa ka marrë përgëzime nga pedagogë dhe bashkëmoshatarë të saj për këtë ide krejt origjinale. Por kjo nuk është herë e parë që Ervisa realizon një fustan me materiale të veçanta. Vitin e kaluar ka shkaktuar të njëjtën habi duke realizuar një fustan me… tollumbace.

Në momentin e parë askush nuk e ka kuptuar se çfarë është ai metarial, është dashur ndërhyrja e moderatores që të sqaronte gjithë kuriozitet në atë sallë. Ervisa shpjegon se, ka përdorur tullumbace të ngjyrave të verdhë, jeshile dhe të kuqe. I ka ngjitur ato me njëra tjetrën, dhe të gjitha së bashku kanë bërë një fustan. Qepja e tyre i ka ngrenë tre muaj kohë e mund. Këtë e konsideron si punën më të lodhshme deri më tani e ndërsa për më vonë mund të ketë edhe të tjera pasi dëshirat e saj ekstreme në këtë fushë janë të mëdha.

Për Ervisën përpos shkollës që tashmë e ka bërë me profesioniste ky është një pasion i hershëm. Veshja dhe marrëdhënia me të nuk ka lindur tani. Ajo na tregon se çdo rrobë që ble nuk e lë asnjëherë në formën e saj origjinale. E këtë “ves” e ka pasur që në fëmijëri ku eksperimentet e para i ka bërë me kukullat. “E ç’kanë hequr ato të shkretat nga mua!” shprehet Mana ndërsa prek vazhdimisht fustanin e saj aq sa të duket sikur do t’i bëj ndonjë ndryshim aty për aty.

Erdhi dita kur këtë pasion ajo do e kthente në profesion. Diploma si inxhiniere tekstile i jep asaj të drejtën të punojë me veshjet. Por se si e ka nisur këtë rrugë ajo na tregon se: “Kisha dëshirë që e vogël të merresha me stilime. Nuk e kisha menduar që do të vazhdoja shkollën për këtë gjë, por ja e kreva dhe tani kam më shumë mundësi të punoj më veshjet. Këtë e kisha hedhur në një nga renditjet, por jo ndër të parat. Kjo është një degë e bukur, por vitet e para ne studiojmë degët e inxhinierisë”.

Në çfarë profesioni del në momentin që e mbaron këtë shkollë?

Dal inxhiniere tekstile, dhe mund të punësohem në fabrikat e veshjeve.

Cfarë mësove nga shkolla?

Më shumë teori se sa praktikë. Në vitin e tretë kemi bërë praktikë në një fabrikë veshjesh dhe ajo na ka ndihmuar pak sa. Në këtë degë pranohen çdo vit 60 studentë por gjatë viteve shkurtohen dhe arrijnë të diplomohen maksimumi 30 prej tyre.

Janë vajza të gjitha?

Vajza më shumë. Në klasën time janë vetëm dy djem. Edhe ata që janë paragjykohen. Nga emri kur e dëgjon mendon se është shkollë shumë e lehtë, por nuk është ashtu. Ka lëndë shkencore, ka kimi sepse na duhet për të dalluar materialin e copës. Ka edhe nga ata nxënës që i jepet për lëndët shkencore por jo për dizajn. Që do të thotë se gjatë shkollës janë vlerësuar me notën “Dhjetë”, po kur vjen puna për të krijuar një veshje nuk ia dalin dot. Kjo tregohet çdo fundviti ku ne realizojmë krijimet tona. Një vit e kemi të detyrueshme pastaj vitet e tjera sipas dëshirës. Vitin e kaluar kam realizuar një fustan me tullumbace.

Si arrite?

Në shkollë na thanë që kemi një sfilatë duhet të jetë material i veçantë. Më erdhi ideja për tullumbace. Në fillim mendova ta bëjë ngjyra-ngjyra të ndryshme, pastaj e bëra me dy ngjyra. Në pjesën poshtë vendosa një kosh, nga ata të fustanëve të nuseve, dhe e bëra më të kuqe. Pjesën e bustit me të verdhë dhe jeshile. I bërë në formë luleje dhe i kapa me kapse letrash dhe pastaj i qepa me dorë. Ishte shumë e lodhshme ajo qepja, për tre muaj e kam përfunduar duke i qepur një e nga një.

Pse me tullumbace?

Po kishte një temë që ishte ajo e festave. Duke u nisur nga kjo atmosferë mendova ta realizoja me këto materiale që janë më shumë të përdoruarat në kësi rastesh. Material i veçantë, nuk e kishte bërë asnjëri deri me tani dhe mu duk interesante.

Ketë herë është akoma më interesante, me hapëse kanoçesh. Pse?

Sapo përfundova atë me tullumbace, mendova këtë me hapëse kanoçesh dhe kisha një vit që i mblidhja duke angazhuar gjithë shoqërinë e miqtë anë e mbanë.

Sa ke përdorur?

Janë rreth 1300 hapëse. E veçanta është se përpara e kam bërë me hapëset e kanocceve Redbull, pas me ato të marra nga Coca Cola-t, dhe tek pjesa e bustit përdora katrorë.

Me këto punoje çdo ditë?

Çdo ditë nga një orë. Poshtë i kam vendosur një copë të zezë, i kam qepur dhe pas i kam vendosur zinxhir. Copa ishte e hollë po e zezë. I kam marrë një e nga një hapëset e kanoçeve. Ishte pak punë acaruese. Me këto materiale që kam punuar unë deri më tani askush nuk e ka bërë. Çdo njeri që vinte në shtëpi më sillte hapëse se i kisha porositur. Ishte koha kur kisha porositur të gjithë miqtë: “Ccfarëdo që të pini, hapëset e kanocceve mi sillni mua”. Kështu që i bie se për fustanin tim kanë “sponsorizuar” shumë vetë.

Këtë herë me arusha

“Kam një ide për të bërë një fustan komplet me arusha. Dhe një tjetër me fotografi”. Këto janë projektet e radhës për Ervisën. Ajo gjithmonë është në kërkim të së veçantës. Ka filluar të mbledh një nga një arushat e parë, por për të ky do të kushtojë më shumë pasi edhe materiali kushton. E në kësi rastesh për të kërkuar vullnetarë si te kanoçet është e vështirë. Ideja tjetër e saj është një fustan me fotografi. Fotografi këto të vet Ervisës me fustane të parat por edhe nga jeta e përditshme, pasi përveç sa folëm më sipër një tjetër pasion i saj është edhe fotografia.


Jeta

Emri: Ervisa
Mbiemri: Mana
Vendlindja: Përmet

Ervisa është nga ato vajza që bën një jetë aktive në Tiranë. Përveç studimeve edhe punon si zëdhënëse pranë një inistitucioni partiak. Preferenca e saj e parë për të vazhduar studimet e larta ishte Shkenca Politike por nuk ia doli, ndërsa tani punon pranë një institucioni politike. Ndoshta është në rrugë të mbarë për të përmbushur dëshirën e saj. Ndërsa stilimin e ka pas hobi: “Nuk mendoja se do të ta bëja shkollë. Në përgjithësi merrja një fustan të vjetër, përshembull që nuk ishte më në modë, e shqepja e rregulloja, e ndryshoja. Dhe gjërat që blej nuk i lë asnjëherë si janë. I fus duart në çdo gjë që blej”, tregon ajo për vetveten.

Vlerësimi për fustanin me tollumbace

“Shumë bukur, ma vlerësuan. Në momentin që dola në sfilatë nuk po e kuptoja se ngjanin si trëndafila. U mor vesh se ccfarë ishte, vetëm në momentin kur tha prezantuesja se ky fustan është realizuar me tullumbace”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama