Deri tani asnjë gjyq kundër piraterisë. Kineastët kërkojnë ndryshime në Ligjin "Për Kinematografinë"
Shfaqet sërish problemi i administrimit të filmave të prodhuar para viteve '90 në Shqipëri. Për herë të fundit ky problem është diskutuar para dy vitesh kur kineastët i janë drejtuar ish-kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Xhevdet Feri.
Në atë kohë, Feri kishte premtuar "rivlerësim, riorganizim dhe ndryshim të modelit të administrimit të të drejtave të autorit kinematografik për veprat e prodhuara para vitit 1997". Sot kineastët ngrenë zërin sërish për këtë problem, që për shumë vite nuk ka parë një zgjidhje konkrete, apo një zgjidhje siç do të dëshironin ata.
Javës që shkoi, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Forumi i Mbrojtjes së Autorëve të Audiovizualit (FMMA), me drejtor ekzekutiv Esat Mysliun, prezantoi propozimet për ndryshimin e ligjit "Për Kinematografinë" nr. 8096, datë 21.03.1996. Me këtë synohet që kontigjenti i filmave të para '90-ës që ruhet në Arkivin Qendror të Filmit, të mos administrohet më nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por t'i kalojë këtij Forumi, ku aderojnë 130 kineastë dhe skenaristë shqiptarë.
Këto propozime i janë dërguar më 18.09.2009 ish kryetarit të QKK-së Feri, është vënë në dijeni ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe së fundi edhe kryeministri, Sali Berisha.
Në "Propozimin për amendim të ligjit Për Kinematografinë", drejtuar nënkryetarit të Komisionit Parlamentar, Mark Marku, thuhet: "Asambleja e FMMA ju drejtohet me kërkesën që të mundësoni rishikimin dhe abrogimin e nenit 23 të ligjit nr. 8096, datë 21.03.1996 "Për Kinematografinë" i ndryshuar, dhe të vendosë dhënien e Fondit të Filmave Shqiptarë të prodhuar nga ish-Kinostudio deri në vitin 90 për Administrim, Forumit në Mbrojtje të Autorëve të Audiovizualit, i cili do t'i shërbejë më mirë përdorimit të fondit të filmave dhe respektimit të pronësisë intelektuale të veprave filmike për të eleminuar përfundimisht piraterinë".
Forumi parashtron arsyet përse duhet t'i hiqet kjo leje administrimi QKK-së. Sipas tij "QKK si administratore e këtij fondi nuk ka hapur asnjë proces gjyqësor kundër piraterisë dhe në mbrojtje të së drejtës së autorëve".
Pirateria është shqetësimi më i madh i këtij forumi, që sipas drejtorit Esat
Musliu, nuk është kontrolluar siç duhet.
Në një bisedë me "Shekullin", Musliu përmendi jo pak raste kur abuzohet me veprën filmike. Nga televizionet e ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e sidomos nga kabllorët në rrethe.
Janë edhe format më të vjetra të piraterisë, ajo e shumëfishimit në DVD nga shtëpitë diskografike, dhe nëpërmjet internetit, që rezulton një vjedhje e pakontrollueshme edhe për ato vende që e kanë sofistikuar mbrojtjen e pronës artistike dhe intelektuale.
"Gjithë këtë pirateri, Qendra Kombëtare Kinematografike, nuk ka mundësi ta kontrollojë", pohon Musliu. "Forumi nuk kërkon pronësi, por kërkon administrim. Produkti fizik le të jetë pranë arkivit qendror të filmit, por ne të bëjmë administrimin. Dhe nga ky administrim, ndoshta jo në masën 100 për qind, por mbi 90 për qind ne jemi në gjendje ta frenojmë piraterinë."
Regjisori përmend një aktmarrëveshje mes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Televizionit "Koha", për projektimin e filmave shqiptarë. Kontrata është lidhur në shkurt 2009 dhe ende nuk është likuiduar. Projeksioni i filmave vazhdon tej limiteve të kontratës. Po kështu edhe projeksioni i filmave në platformën dixhitale.
Për këto raste, Musliu pohon se nuk është marrë asnjë masë, dhe nuk është zhvilluar asnjë gjyq nga Qendra e Kinematografisë. Ai thotë se Forumi i Mbrojtjes së Autorëve të Audiovizualit nuk ka forcën e duhur ligjore për të denoncuar shkeljet.
Në propozimin për amendimet e Ligjit "Për Kinematografinë", me të cilat mendohet të jenë njohur ministri i Kulturës, Xhaferri dhe kreu i qeverisë Berisha, thuhet:
"Në kushtet e sotme, kur kërkesa për produktin kinematografik të vjetër, sa vjen dhe po rritet, duke pasur edhe kërkesa të vazhdueshme dhe nga komuniteti shqiptar jashtë kufijve, jemi të mendimit se kalimi nën administrimin tonë, do të ishte më efiçent, më i shpejtë dhe do të rriste nga njëra anë të ardhurat që hyjnë në llogari të kësaj shtrese të nderuar të kombit, por nga ana tjetër dhe atyre që derdhen në buxhetin e shtetit".
Mysliu beson se nëse administrimi i lihet në dorë Forumit të Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë, jo vetëm që vepra filmike do të jetë më e kontrolluar dhe do të punohet seriozisht, por dhe autorët do të fitojnë më shumë nga përdorimi i saj. Ato 30% e të ardhurave që i kalojnë QKK për administrimin e veprave filmike, t'i shkojnë drejtpërdrejtë autorëve.
Në këtë moment përqindja që merret nga përdorimi ndahet: Qendra Kombëtare Kinematografike (30%), Albautori (10%), Agjencia e Ekzekutuesve (3%) dhe 57% shkon tek FMMA, që e shpërndan tek regjisorët dhe skenaristët.
Pas këtyre prezantimeve, forumi i kineastëve është në pritje të një takimi në Ministrinë e Kulturës ku do të diskutohet në prani të të gjitha palëve QKK, Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit, FMMA.
Në letrën drejtuar Ministrit të Kulturës dhe Kryeministrit thuhet: "Për një amendim sa më korrekt, bashkëkohor dhe efikas, duke qenë se shteti shqiptar ka ngritur një Zyrë të specializuar për të drejtën e autorit, jemi të gatshëm të presim dhe të ngremë një grup të përbashkët, për të zgjidhur modalitetet dhe të gjitha çështjet teknike, të nevojshme për amendimin e ligjit."
Produkti kinematografik shqiptar deri në vitin 2005 është administruar nga Alba Film Studio. Në vitin 2005 iu hoq e drejta e administrimit të filmave shqiptarë të prodhuar deri më 1990, dhe me një shtesë të ligjit 9380, më datë 28.04.2005, i kaloi Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Jorida Pasku : Gazeta Shekulli