Eshte koha e grave

Eshte koha e grave
Norvegjia, parajsa e barazisë

Shume vende europiane ia kane vene qellim vetes qe te arrijne barazine mes femrave dhe meshkujve ne kompanite e medha. Me shume respekt per veten dhe me shume te drejta per to.

Në Naydalen, mes pyllit dhe dëborës, gjendet e famshmja ‘Norvegian school of Management’, dhe në këto ditë është vendi i duhur për të shkuar. Në sallën B2, në kat të parë, po zhvillohet një trajnim me të ftuar nga e gjithë bota: “Gratë në poste drejtuese, leksioni i Norvegjisë”. Profesor Morten Huse ka ftuar profesorë, politikanë, sipërmarrës dhe pastaj vetë ato, gratë, për të treguar rreth ligjit që e ka çuar Norvegjinë përpara gjithë vendeve të tjera. Prej pesë vjetësh, Huse studion kuotat: “Kjo është thjesht një çështje demokracie”.

Por nëse gratë përbëjnë rreth 50 për qind të popullsisë, nuk ka arsye përse vetëm një përqindje shumë e vogël e tyre të jetë në poste drejtuese. Ishte janari i vitit 2006, kur një Parlament i ndarë dhe plot telashe, në fund ka aprovuar revolucionin që të tjerët po shpejtojnë të bëjnë: sepse pa asnjë shtysë do të duheshin edhe 70 vjet të tjera për të arritur në shifrën e 30 për qind të pranisë së grave në vendet ku vendoset. Në Norvegji sot, përkrah dhjetë burrave, në një këshill drejtues, ulen katër gra. Në sallën B2 të universitetit flitet vetëm për gratë.

Laila Davoy, deputetja kristiandemokrate nënvizon se, janë gratë që vendosnin për konsumin dhe shton: “Çështja e riekuilibrit të gjinisë i përket shoqërisë, jo grave. Nuk do të ketë barazi deri kur në pushtet të mos ketë një grua kompetente”. Benja Sting Fagerland, koordinatore e projektit “Female Future”, një lloj shkolle për të përgatitur gratë në role vendimmarrëse shprehet: “Këtu tek ne më përpara thoshin se nuk ka gra shumë të përgatitura, por unë nuk kam dëgjuar të thuhet e njëjta gjë për një burrë”.

 Ndërkaq, Elin Hurvenses, i “Professional Board Forum” shprehet: “Thonë se gratë nuk janë shumë të interesuara për çështjet e vendimmarrjes, por ato duhet të bëhen të dukshme dhe të ndërtojnë atë që burrat kanë bërë gjithmonë, rrjetin e tyre”. Shumë prej grave që sot janë në poste drejtuese tregojnë se sa shumë kanë ndryshuar gjërat që kur gratë bashkë me burrat janë lejuar të marrin vendimet së bashku: “Kam bërë pjesë në këshillin administrativ të shoqërisë sime në vitin 2003, dhe që atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë, sidomos mënyra se si zgjidhen anëtarët: cilësia është më e lartë, sepse edhe procesi i zgjedhjes është më i mirë. Tani kërkohet edhe kompetenca, diçka që burrave nuk u është kërkuar kurrë.

Dinamikat tani kanë ndryshuar: diskutimet janë më të hapura, ka një numër më të madh idesh dhe pranim të përgjegjësisë sociale. Burrat mendojnë vetëm për biznesin, gratë shqetësohen për botën, burrat e konsiderojnë veten sikur dinë gjithçka, por edhe gratë po studiojnë e përgatiten për të mos mbetur pas”. Sot në Norvegji, asnjë prej tyre nuk e konsideron veten më pak të aftë se kolegët meshkuj. Por, ç’do të thotë prania e grave në këshillat administrativë të kompanive të ndryshme? A ekziston ndonjë mjet për të matur efikasitetin e tyre?

Nga studimet dalin disa siguri: e para është se, edhe pse mund të jenë të pakta në numër, nuk duhet të jenë të vetme. “Kemi vërtetuar rëndësinë e nocionit të masës. Nëse janë të pakta në numër, gratë kanë tendencën të bashkojnë sjelljet e tyre me atë të meshkujve të tjerë me të cilët punojnë, por nëse numri i tyre është të paktën tre, priren të veprojnë ndryshe. Ekziston një vlerë e veçantë e krijuar nga gratë, dhe është kapaciteti strategjik më i madh i tyre”, - thonë specialistët. Shumë prej kompanive më të suksesshme sot në Amerikë dhe në të gjithë botën drejtohen nga femra, që jo vetëm kanë ditur t’i nxjerrin nga kriza, por edhe t’i administrojnë me kujdes të madh.

“Numri i grave në një kompani nuk ka shumë lidhje me ecurinë e atij biznesi. Më tepër ato janë një mënyrë për të dizajnuar një shoqëri të re, atë ku si burrat, ashtu dhe gratë janë të barabarta”, - tregon ministrja norvegjeze e Mundësive të Barabarta, Arni Hole. Po pas Norvegjisë, edhe Islanda, Spanja, Franca dhe Holanda kanë aprovuar ligjet për të riekuilibruar numrin e femrave dhe meshkujve në këshillat administrativë të shoqërive të kuotuara në bursë. Projekte të tilla janë në prag miratimi në Gjermani, Britaninë e Madhe, Austri dhe Belgjikë.

“Në një botë ideale kompanitë e mëdha në mënyrë të vullnetshme duhet të zgjedhin më shumë gra në postet drejtuese. Por nëse nuk e bëjnë, në shumë vende kjo të bëhet e detyrueshme përmes ligjit”, - tregon Viviane Reding, zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, zëdhënëse e kësaj beteje në nivel kontinental. Në Europë gratë përbëjnë 12 për qind të këshilltareve administrative të shoqërive të kuotuara në bursë dhe vetëm 3 për qind të administratoreve të deleguara. Shifrat ndryshojnë nga një vend tek tjetri, duke kaluar nga 26 për qind tek kompanitë suedeze apo finlandeze, në 2 për qind tek ato malteze. Por, ajo që shqetëson më shumë Reding është mënyra e ngadaltë me të cilën po “ecin” shumë shoqëri.

“Me këtë ritëm duhet të presim edhe gjysmë shekulli për të arritur barazinë mes femrave dhe meshkujve në punë”, - tregon ajo. Në raportin e fundit mbi “gender equality”, BE-ja kujton se kompanitë me një numër të madh femrash në këshillat e tyre administrativë janë më të suksesshme se ato ku vendimet merren vetëm nga burrat. “Jam e sigurt se ‘Lehman Sisters’ nuk do të kishte falimentuar”, - thotë ajo. Për më tepër, Reding lëshon një ultimatum për kompanitë europiane. “Brenda 8 marsit të vitit 2012, komisioni do të vlerësojë nëse do të bëhen progrese domethënëse për të rritur pjesëmarrjen e grave në procesin e vendimmarrjes”. Objektivi i fiksuar nga BE-ja për 27 vendet anëtare është: të arrihet brenda vitit 2015 që të paktën 30 për qind e grave të jenë anëtare në këshillat e tyre administrativë, për të shkuar deri në 40 për qind në vitin 2020.

Që tani, bën me dije Komisioni Europian, gratë po diplomohen më shumë se burrat (59 kundrejt 41 për qind) dhe po bëjnë gjithmonë e më shumë karrierë. Sipas BE-së, kjo shërben për të luftuar diskriminimin e grave në punë për sa i përket karrierës dhe pagës. Hendeku i pagës mes dy sekseve vazhdon të jetë rreth 17.5 për qind në BE. Sot në Norvegji, rreth 44 për qind e këshillave administrativë përbëhen nga gratë; edhe në Spanjë prezenca e tyre nëpër kompanitë e mëdha është rritur ndjeshëm. Ndërkohë, edhe Gjermania dhe Britania e Madhe po e diskutojnë seriozisht këtë çështje. Brenda vitit 2015, numri i grave nëpër kompanitë e mëdha do të dyfishohet, ishte premtimi i David Cameron.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama