Aty janë ekspozuar një shpatë bronzi rreth 1 m e gjysmë, që vjen me formë të lakuar dhe përkrenarja e njohur me kokën e dhisë, me dekorime të holla floreale përreth qemerit. Nga brenda janë shënuar inicialet e autorëve R. Hoti dhe J. Devole.
Të dyja këto objekte shkojnë më së miri me shtatoren. Vetëm një dorë e madhe sa e Skënderbeut të Paskalit mund të rrokë një shpatë si kjo që kemi para syve. Në vitrinë një shënim shpjegues thotë që imitimet janë bërë në bazë të objekteve origjinale që ndodhen në Muzeun e Vjenës.
A kanë ato shmangie nga origjinali? Çfarë elementësh kanë “lënë jashtë” realizuesit dhe çfarë kanë “shtuar”?
Sepse sipas studiuesve të artit mesjetar dhe autorëve të veprave me motive e tematikë nga epoka e Skënderbeut, kemi të bëjmë me imitime që nuk janë bazuar në njohjen nga afër dhe konkrete të objekteve origjinale. Kësaj njohjeje të kufizuar i shtohet edhe përfytyrimi mitik që është kultivuar sa në folklor, sa në letërsinë e ashtuquajtur dokumentare me romanin historik, po dhe nga historiografia zyrtare pas ’45-s.
Në harmoni me këtë përfytyrim janë në Muzeun Historik Kombëtar tablotë murale skënderbejane realizuar me krejt frymën e realizmit socialist nga artistë të njohur si piktori batalist Fatmir Haxhiu apo Guri Madhi.
Edhe për Gazmend Lekën që e ka “ngjëruar” epokën me skicat dhe pikturën e vet, afresket murale dhe objektet që janë vendosur në Pavijonin Mesjetar në MHK i kanë mbetur besnike këtij lloj imazhi ekzagjerues.
Sa për përkrenaren e imituar, Leka pohon se koka e dhisë është si një pasaportë e Skënderbeut, pavarësisht se i mungojnë lulet apo shkrimi, elemente që sipas piktorit, i ka përkrenarja origjinale. “Në vitin 1980-‘81 nëpërmjet fotografisë u bënë disa imitime të zbehta të objekteve origjinale”, thotë Leka, “prandaj kanë krijuar këtë ide për to”. Kësisoj ardhja e armëve origjinale për herë të parë në Shqipëri do duhej të shfrytëzohej, sipas Lekës, për t’i studiuar nga afër dhe për të bërë një imtim të ri të tyre.
Piktori Hasan Nallbani e quan të natyrshme këtë që ka ndodhur: që epoka skënderbejane të përpunohej si një imazh që tenton t’i shmanget realitetit historik dhe t’i afrohet kufijve të mitit dhe legjendës. “Këto janë fenomene të njohura të cilat në histori ndërtohen për figura historike që i ndan nga bashkëkohësit një distancë e gjatë kohore. Kur mungojnë të dhënat konkrete atëherë ndërtohen imazhe të natyrës legjendare.”
Nallbani mendon që këto vepra duhen parë për atë periudhë kohore kur janë bërë. Skënderbeu mund të ketë pasur përmasa trupore mesatare ose të ketë qenë shtatshkurtër, por në përfytyrimin tonë ai “është imponuar” me shtatin që i ka dhënë Odhise Paskali. Por, Nallbani nuk lë jashtë vëmendjes ndikimin e një teksti mjaft të rëndësishëm për gjithë literaturën mbi Skënderbeun që do të shkruhej pas pesëqindës, po aq edhe për fabrikimin e mitit, pra “Historia e Skënderbeut” e Marlin Barletit. “Ata që kanë pikturuar apo kanë krijuar mbi imazhin e Gjergj Kastriotit, nuk i kanë parë asnjëherë realisht objektet origjinale, prandaj gjithçka e kanë të ndërtuar me elemente imagjinare të hiperbolizuara”, shton Nallbani.
Në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar përkrenarja e Skënderbeut dhe njëra nga shpatat e tij, ajo e harkuara e cila nuk do të udhëtojë nga Austria për në Shqipëri. Ndryshojnë përmasat por edhe materia. Kjo shpatë është e gjatë rreth 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Përgjegjësi i projekteve të restaurimit pranë MHK Frederik Stamati tregon se shpata që ndodhet në këtë muze dhe në atë të Krujës janë të njëjta dhe janë një përzierje e bronzit me bakër. Shpata që ndodhet në Muzeun e Vjenës ka formë të drejtë e me prehje në të dy anët. Gjatësia e pjesës së mprehur është 88.5 cm, gjerësia 5.7 cm dhe peshon 1.3 kg, ndërsa bashkë me këllëfin 1.9 kg, kurse përkrenarja peshon 3 kg. Përkrenarja së bashku me pjesën e poshtme të helmetës është në çelik shkëlqyes dhe shiriti i shkruar është i larë në ar. Sipas Stamati, “të bësh një kopeje ekzakte nuk është gjë e kollajshme, sepse në rastet kur këto kopje bëhen nga origjinalet, kanë një çmim të paimagjinueshëm”.
Propozimi i piktorit Gazmend Leka dikujt do duhej t’i binte në vesh dhe ta merrte në konsideratë. Kështu do të viheshin në vend pasaktësitë dhe mistifikimet që janë bërë normë në epokën komuniste.
Nga diktatura mbretërore te komunizmi
Oliver Jens Schmitt
Kur në shtetin shqiptar të themeluar në vitin 1912, i cili përfshinte gjithsej gjysmën e shqiptarëve në Europën Juglindore, pushtetin në vitet 20-të e mori Ahmet Zogu, kreu i një fisi verior, ai me mjeshtëri shfrytëzoi lavdinë e ringjallur të Skënderbeut, në mënyrë që duke iu referuar titullit gjoja mbretëror të Kastriotëve të paraqitet si “Mbret i Shqiptarëve”. Zogu e instrumentalizoi kultin e Skënderbeut si element për të stabilizuar sistemin.
Komunistët e ardhur në pushtet në vitin 1945, të drejtuar nga Enver Hoxha, vazhduan këtë traditë. Ndryshe nga koha nën Zogun, pas vitit 1945 në Shqipëri u themeluan fakultete dhe (më 1972) Akademia e Shkencave, sistemi shkollor u zgjerua masivisht, niveli i lartë i analfabetizmit në mesin e të rriturve u luftua më programe shtetërore. Sistemi arsimor i drejtuar nga qendra ndikoi dukshëm në përhapjen e kultit të Skënderbeut deri në skajin e fundit të vendit malor.
Ashtu si Zogu edhe Enver Hoxha prezantohej si pasardhës i Skënderbeut dhe përplotësues i veprës së tij. Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së fisnikut të nderuar si hero kombëtar, regjimi komunist në janar 1968 organizoi një kongres pompoz shkencor, në të cilin udhëheqësit e partisë dhe të shkencës të drejtuar nga shteti, mysafirëve të pranishëm – mes tyre edhe pjesëmarrës ideologjikisht të pranueshëm nga bota e jashtme – ua shpallën interpretimin e ri dhe të obligueshëm të jetës së Skënderbeut.
Mehmet Shehu, njeriu i dytë në shtet dhe parti, dhe Aleks Buda, kryehistoriani komunist, mbajtën fjalime pothuaj të ngjashme për nga përmbajtja dhe theksuan kështu unitetin e politikës dhe shkencës së historisë. Ata e madhëruan Skënderbeun si udhëheqës të madh luftëtarësh, i cili paskësh shpëtuar Europën nga hordhitë sulmuese aziatike dhe drejtuar masat popullore shqiptare në luftë për liri, pavarësi dhe revolucion social.
Të dy thanë se vepra e pambaruar e Skënderbeut u kurorëzua nga Enver Hoxha, portreti i madh i të cilit në Kongres ishte varur krahas atij të Skënderbeut: populli shqiptar paskësh arritur kulmin e historisë së tij.
Skënderbeu gjithashtu shërbeu edhe si legjitimim për politikën izolacioniste, të mbështetur plotësisht në autarki të regjimit të Hoxhës, i cili pas thyerjes me Jugosllavinë e Titos (1948) dhe me Bashkimin Sovjetik (1961) në Europë ishte i varur vetëm nga vetvetja dhe përkrahej vetëm nga aleatët e largët kinezë. Formulat propagandistike të vitit 1968 vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, vetëm parullat e luftës së klasave janë zëvendësuar në favor të frazave nacionaliste.
Pjesë nga trajtesa “Skënderbeu ose eksporti i një heroi kombëtar” botuar në vitin 2005