Me këtë mbiemër janë të lidhur emrat e disa familjeve të mëdha shqiptare të periudhës së pavarësisë e të mbretërisë, Zavalani dhe Ypi. Janë lidhur disa fate tragjike njerëzish: Fejzi dhe Riza Alizoti, babë e bir, pushkatuar njëri e varur tjetri dhe gjithë pasardhësit e tyre që u dënuan dhe internuan në masë.
Meqë fëminia e të bijës si e shumë të tjerëve që u dalluan e u veçuan nga shenja e biografisë që nuk klasifikohej pozitivisht nga regjimi komunist, Meri ka ndërmarrë një sërë kërkimesh të cilat pasi i plotëson i boton në formën e monografisë. Ajo ka botuar tashmë një album për Alizotët.
E tani këtë monografi për atdhetarin Fehim Bej Zavalanin. Libri pati vetëm një prezantim të shpejtë formal në ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mbrëmjen e 21 janarit. Ministria ka financuar këtë botim dhe si gjithë botimet e Ministrisë që qarkullojnë në një rreth të ngushtë publiku, shkoi edhe kjo monografi.
"Ndoshta ishte kjo arsyeja, lidhjet familjare, por nuk janë thjesht motive familjare", thotë Meri. "Fehim Zavalani, figurë e Rilindjes, ka qenë lënë në harresë gjatë këtyre viteve, sepse i biri, Tajar Zavalani (1903-1966), përkthyesi, gazetari, historiani, që pasi solli idetë komuniste nga Bashkimi Sovjetik, kaloi shumë vështirësi, deri sa përfundoi në BBC e Londrës."
Me pak fjalë, Zavalani ati, një themelues i Komitetit të Fshehtë të Manastirit (1905), kryetar i Klubit të Manastirit (1908) dhe drejtues i gazetës "Bashkimi i Kombit", kishte patur një ndikim të rëndësishëm në formimin intelektual të të birit.
Duke shfletuar shumë materiale të nxjerra nga Arkivi Qendror Shtetëror dhe Biblioteka Kombëtare, disa libra për figurat e fillimshekullit të njëzetë, që Meri i quan "burra të vërtetë që e donin Shqipërinë e që i ka admiruar veprat e tyre dhe ç'kanë lënë pas, doli te kjo monografi e vogël nga vëllimi, e pajisur me kujtime të vetë Fehim Zavalanit, material fotografik, dëshmi të bashkëkohësve.
Fehim Zavalani (1859-1940) u lind në fshatin Zavalan që tani i përket krahinës së Përmetit. Autorja e monografisë pohon se për fëmininë dhe rininë e hershme nuk kemi shumë të dhëna, por kuptohet që këtë periudhë ai e ka kaluar në krahinën e tij ku ka marrë mësimet e parë në turqisht, persisht apo arabisht.
Më 1879 niset nga Zavalani për në Stamboll për të kryer studimet. Por "ndodhën shumë ngjarje në jetën e tij. Ishte i mbikëqyrur, shumë herë shtëpia iu bastis dhe shumë dokumente iu dogjën". Autorja e ka parë të udhës të përfshijë Kujtimet që Zavalani ka shkruar për jetën e tij dhe që u botuan më 1936 në Revistën "Përpjekja" të Branko Merxhanit.
"Ato që kam gjetur i kam përfshirë. Kujtimet duhej të vijonin, por siç dihet, Revista "Përpjekja" u mbyll shumë shpejt. Në të gjitha këto unë kam ruajtur ortografinë, për të qenë libri në kohë."
Vitet e para të shekullit të njëzetë e gjejnë Zavalanin me familjen në Manastir. Ndodh njohja me Gjergj Qirjazin dhe pranë këtij emri do të rrijë gjatë emri i Zavalanit. Të dy të angazhuar në lëvizjen e fshehtë për përhapjen e shqipes. Dhe më 1905 janë zemra e Komitetit të Shqiptarëve për Lirinë e Shqiptarëve, organizatë politike revolucionare me një program politik i cili u përgjigjej kërkesave të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Meri e quan periudhë e artë këtë kohë kur burra të shquar, si Halit Bërzeshta, Bajo Topulli dhe Fehim Zavalani, që shpesh janë imagjinuar si kaçakë mali, puna e tyre lidhej dhe dijen, kulturën dhe guximin për t'i përhapur ato ndër shqiptarë.
"Në korrik 1908", tregon autorja, "kur turqit e rinj shpallën kushtetutën e re, Fehim Zavalani, i dënuar me dy vjet burg, u lirua dhe hapi një kapitull të ri në veprimtarinë e tij patriotike, falë lehtësirave që kishin shpallur tashmë xhonturqit.
Ngritja e klubeve shqiptare ishte një fenomen që u përhap një shpejtësi. U ngritën rreth 60 klube, që nga Manastiri deri në Mitrovicë, që nga Shkodra deri në Janinë. Jo vetëm në territoret shqiptare, po edhe në vise ku kishin emigruar shqiptarët, në Egjipt, Sofje, Bukuresht."
I zgjedhur kryetar i Klubit të Manastirit, klubi central që mbante lidhjet me gjithë klubet e tjera në Shqipëri, Zavalani pati periudhën më të gjallë patriotike. Këto rryma të Rilindjes që patën qëllim përhapjes shqipes në shkolla, e librit shqip, në një kohë që ekzistonin tri alfabete, u mblodh Kongresi i Manastirit, në vjeshtë 1908.
Zavalani e hapi Kongresin e Manastirit, shtëpia e tij ishte qendër e këtij Kongresi që nuk po mblidhej thjesht për shkronjën shqipe po për problemin se çdo të bëhej me Shqipërinë.
Momenti më i rëndësishëm i Zavalanit, sipas autores së monografisë, ishte drejtimi i Gazetës "Bashkimi i Kombit. "Gazeta me qendër në Manastir, shpërndahej mirë në gjithë vendin. Kishte lidhje të drejtpërdrejtë me njerëzit. Një vit e ca jetoi pastaj u mbyll.
Të mbash një gazetë në ato kushte ishte shumë e vështirë. Në kohën që drejtonte gazetën Fehim Zavalani, është arrestuar dhe dënuar, pas botimit për masakrat që po bënte Turgut Pasha në Gjakovë.
Të dhënat erdhën gojarisht nga një ushtar nga Kosova. Këto i shkroi Kosta Dako me pseudonim Kamani edhe Zavalani i botoi. U gjykua, bëri 6 muaj burg në Gjakovë dhe pagoi edhe një gjobë natyrisht. Që në numrin e parë të gazetës ai shkruan: Do të bëhemi theror për Shqipërinë siç jemi bërë theror."
Pas kësaj autorja shton seriozisht: "Sot nuk ka më atdhetarë." Ç'është një atdhetar? Këtu Meri përpiqet të sjellë ndër e një poeti dhe ia del ta thotë me fjalët e veta: "Ka njerëz që ia marrin atdheut gjakun dhe gjithçka. Ka njerëz që ia japin atdheut gjakun dhe gjithçka. Ky është atdhetarizmi."
Fehim bej Zavalani ndërroi jetë më 1940, në Selanik. Një rrugë në Tiranë mban emrin e tij. Ky libër mbyllet me një rekuiem për Adile Ypin, e bija e Fehim Zavalanit, për mënyrën si e ngrysi jetën Adileja: Prej vitit 1947 deri sa vdiq, në vitet shtatëdhjetë, jetoi në internim.
Asnjëherë nuk ka qenë e lirë. E bija e saj, ishte martuar me një Alizot dhe vëllai i saj ishte, Tajar Zavalani, i mërguar nga Shqipëria. Jetoi në mjerim në skamje të paparë.