Etnografia e rrezikuar

Etnografia e rrezikuar
Ky muze do të organizohet në dy kate, të dytë dhe të tretë, të Muzeut Historik Kombëtar, (në anën që ka përballë Hotel "Tiranën").Vend vërtet shumë i mirë, me të gjitha avantazhet që ofron qendra e një kryeqyteti, për një aktivitet të tillë.

Një muze, veç propagandimit të vlerave të veta, që realizohet nëpërmjet të ekspozimit, ka edhe një funksion tjetër, shumë delikat dhe njëkohësisht shumë të rëndësishëm. Të ruajë e të trashëgojë objektet, pra vlerat që ka. Ruajtja nga vjedhjet, është vetëm njëra anë, ajo më e thjeshta dhe më e lehta. Por është edhe një anë tjetër, po kaq e rëndësishme dhe më e vështirë, që t'i ruajë eksponatet e veta nga dekompozimi. Kjo është një domosdoshmëri absolute dhe që njëkohësisht ajo që lihet fare pas dore. Ose se nuk dihet, ose se nuk kuptohet. Madje kjo nuk shprehet as në ligjet tona të trashëgimisë kulturore, që vërtetë në këtë drejtim, janë difektozë dhe lejojnë shkatërrimin, pra mostrashëgiminë e objekteve, kështu të ligjëruar.

Ka shumë faktorë që ndikojnë në prishjen e objekteve. (Nuk dua të jap leksione për të mësuar të tjerët se si prishen objektet dhe se si duhet të ruhen. Literaturë speciale që trajton të tilla çështje ka plot. Janë veç disa kujtesa, që duhen të merren parasysh sa nuk është vonë.)

Së pari, është mjedisi ku mbahen dhe ekspozohen. Çfardolloj trajtimi laboratorik t'iu bësh objekteve ata zhvleftësohen në funksion të njëmjedisi të papërshtatshëm. Reaksionet e natyrshme janë ata që e çojnë një molekulë nga gjendja më energjitike, në atë më pak energjitike, pra më të thjeshtë. Nga kjo pikpamje dekompozimi i objekterve muzealë është i pashmangshëm. Mirëpo ka shumë e shumë veprime të zgjuara, të cilat ose i ndërpresin, ose i minimizojnë këto reaksione prishjeje.

Një faktor vendimtar është lagështia relative. Pa lagështi reaksionet kimike dhe biokimike të dekompozimit të objekteve ndërpriten. Në muze, për efekt të natyrave të ndryshme të objekteve mbahet një lagështi relative nga 40-60%. Jo më shumë se rrezikon të shfaqet myku. Se mund të kontrollohet kjo lagështi me ventilatorë, e duke hapur, e mbyllur dritare, është përrallë për netë dimri. Lagështia relative rregullohet me anë të kondicionerëve profesionalë, ( jo nga ata që shiten në pazar për shtëpi dhe kafene ), që mbajnë një lagështi relative të pandryshuar, të përcaktuar nga ne, në bazë të kërkesave specifike të objekteve. Kur u ndërtua Muzeu Historik Kombëtar u pajis me kondicionerë të tillë. Bodrumi i muzeut është një fabrikë e vërtetë. Ka kohë që ata kondicionerë nuk punojnë më për lloj-lloj arsyesh. Një herë Muzeut Historik Kombëtar nuk i jepen para për energjinë elektrike, e muzeu pëson ndërprerjen e energjisë njëlloj si lagjet e tjera të Tiranës. ( A e di vallë drejtori i KESH-it se çfarë dëmi iu shkakton objekteve ndërprerja e energjisë?) Një herë nuk ka para për lëndë djegëse, një herë tjetër nuk punojnë pajisjet se s'ka para për pjesë ndërrimi, etj. Madje në Muzeun Historik Kombëtar nuk ka as specialistë për kondicionerë, e ajrin e kondicionuar. Ata janë nxjerrë të tepërt prej vitesh. Le të shtojmë këtu se kondicionerët në një muze nuk pushojnë së punuari ditë e natë, madje as natën e Vitit të Ri.

Një parametër tjetër që siguron konservimin e objekteve është temperatura. Sa më e lartë të jetë, aq më shpejt zhvillohen reaksionet e prishjes, aq më shumë insekte që gërryejnë drurin, aq më shumë molë, etj. Kur u ndërtua MHK u mendua që problemi të rregullohej me anë të kondicionerëve. Por sot ata nuk punojnë. Vapa në verë në sallat e muzeut bëhet e padurueshme. Punonjësit hapin dritaret për pak fresk. Nga këto dritare të hapura çrregullohen më keq parametrat e konservimit dhe nga jashtë futet pluhur, e ndotje, që përbëjnë një tjetër faktor dëmtues. Ёshtë një fjalë goje të thuash që "të merren pluhurat", apo " të lahen tekstilet e ekspozuara". Studimet tregojnë se pluhurat në objektet muzealë, veç shëmtimit, luajnë rolin e abrazivit. Gjithashtu thithin lagështinë, apo gazet ndotës të atmosferes e ia kalojnë këto objektit, duke përshpejtuar prishjen. Kemi mijëra shëmbuj të tillë nga muzeumet e Shqipërisë. Pastaj është edhe një anë tjetër. Tekstilet etnografike nuk janë të rinj, nuk e kanë fortësinë e rinisë së tyre. Ashtu të ronitur siç janë, sa larje mund të durojnë? Një tekstil i ri mbas pesëdhjetë larjeve standarde kthehet në leckë, që s'bën as për të marrë pluhurat. Tekstilet, që u ekspozuan në Ekspozitën e Kulturës Popullore në Tiranë, mbas larjes së katërt,megjithëse në kushte laboratorike, u rronitën keq. Por ka edhe një problem tjetër. Shumica e tekstileve popullore kanë ngjyra të pafiksuara, ata vjellin bojë. Duke u larë ata do të transformohen në pamje. Po ka edhe më. Kostoja e trajtimit laboratorik të një tekstili muzeal është e lartë. Larja e njomë e një qilimi pa probleme, kushton rreth 200.000 lekë. Pa folur për prishjen. Në MHK u mendua që kjo çështje të zgjidhej me anë të filtrimit mekanik të ajrit. Dhe ashtu u bë. Filtrat u vendosën në rrymën e ajrit përpara kondicionerëve. Veç të shikoje se si u mbushën menjëherë me pluhur! Dhe kjo, në vitin 1982, kur nuk kishte pluhura si sot. Mirëpo filtrat u prishën, as kondicionerët nuk punojnë, e rezulton se dëmtimi i objekteve do të jetë i dukshëm. (Na ndodhi një herë kjo, në Ekspozitën e Kulturës Popullore.) Ka edhe këtu, si të thuash, një yçkël. Edhe filtrat më të mirë mekanikë pengojnë vetëm 95% të pluhurave. Ata që mbeten janë fraksionet më të imtë dhe më të vështirë për t'u larguar. Ndokudh mund të sugjerojë përdorimin e elektrofiltrave. Por këta prodhojnë ozon, që është shumë dëmtues për objektet, ndaj edhe nuk përdoren në muzeume. E kështu, detyrimisht, mbetet që objektet të ekspozohen të mbyllur në vitrina tepër të puthitura, e jo me pllaka xhami përpara, siç edhe është vepruar deri sot, që nuk luajnë thuajse asnjë rol.

Një faktor në prishjen e objekteve është ndotja atmosferike. Ёshtë ajo ndotje e çliruar nga mjetet e transportit. Kryesisht janë dy lloje gazrash që transformohen në acide e veprojnë mbi objektet, duke i kalbur, ndryshkur, etj. Ata janë dioksidi i squfurit, i konsideruar si "mënxyrë" për objektet muzealë dhe dioksidi i azotit. I pari, në qendër të Tiranës është sa gjashtëfishi i maksimales së pranuar për një muze, kurse i dyti, sa shtatëfishi. Me fillimin e qarkullimit të automjeteve nëunazën e vogël të qendrës së qytetit, lumi i makinave që kalojnë mbrapa Muzeut Historik Kombëtar do të rritet shumë, duke shkaktuar një ndotje më të madhe. Nga kjo pikëpamje ky muze ndodhet në një nga zonat më të këqia të Tiranës. Mbrapa muzeut është edhe vendi ku thithet ajri për tu futur në mjediset e brendshmeme anë të kondicionerëve. Që në fillim sistemi ipastrimit të ajrit nuk u plotësua me filtra për eliminimin e ndotjes atmosferike. Pra,kjo ndotje, me kondicionerë ashtu siç janë, apo pa kondicionerë, do të futet brenda në muze, e do të veprojë se s'bën me objektet. Kjo nuk është në teori. Në fillim objektet ishin "xixë", tani janë të sterrosura. (E di mirë, se i kam trajtuar me duart e mija).

Por është edhe problemi i ndriçimit. Energjia e rrezatimit ultra-vjollcë që depërton nga xhamat e dritareve të atij muzeu është 75 mikrovat për lumen, pra brenda normave ndërkombëtare. Ndriçimi i dukshëm në sallat e muzeut është 20 lux, edhe ky mirë, por jo pranë dritareve, ku është aq i lartë, sa ka shkaktuar edhe dëmtimin e objekteve, siç ishte rasti i një kostumi arbëresh, apo zbardhjen e ngjyrave. Grilat në dritare sot janë të prishura, e nuk mbrojnë siç duhet. Po të vizitosh muzeumet etnografikë të Evropës do të konstatosh se nuk ka gjëkundi dritë, që futet nga dritaret, ato janë të mbyllura me kanate dërrase.Të paktën të funksionojnë grilat!

Kështu të krijohet përshtypja se po ia japim objektet dreqit. Çfarë duhet bërë?

Ka vetëm një rrugë. Të vihet në funksionim sistemi i kondicionimit të ajrit. Të riparohet, apo të zëvendësohet, të plotësohet me filtra, etj. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që e ka në vartësi Muzeun Historik Kombëtar, duhet që detyrimisht ta zgjidhi këtë çështje. Profesor Ylli Pango, duke qenë i përgatitur në shkencat ekzakte, jam i bindur se do ta kuptojë drejt këtë shqetësim teknik, që po ngre. Nuk duhet pritur që këtë shqetësim ta ngrenë punonjësit në ministri. Nuk dua të ofendoj asnjeri. Ata janë miqtë dhe shokët e mi, vërtet shumë të mirë, por janë të një profili tjetër, shumë larg nga të kuptuarit e këtyre problemeve. Z. Ministër, tani është radha juaj që të veproni, e të shpëtoni nga dëmtimi një kulturë materiale, që rrezikon të prishet në një rrugë eksponenciale.

Frederik Stamati Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama