Lajmin e bëri të ditur edhe Qendra Kombëtare Kinematografike, bordi i të cilës një vit më parë e kishte rrëzuar projektin e klasifikuar për konkurrim në kategorinë e filmit alternativ.
I paraqitur në dhjetor 2009 si një bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez, projekti gjeti mbështetje për 15% te buxhetit te filmit. Shtëpia filmike shqiptare "90 Production" merr përsipër të financojë 50% të filmit, "Arizona Film" 15% dhe producenti grek "Fantasia Audiovizual" me 35%. Paraqitja dhe mbrojtja para Bordit të Bashkëprodhimeve të Eurimages-it u bë nga dy përfaqësuesit zyrtarë të Shqipërisë në Eurimages, kryetari i QKK-së Artan Minarolli dhe Roland Sejko, krahas producentëve grekë dhe francezë.
Vendimi i djeshëm i Bordit Menaxhues të Eurimages-it (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane) është jo vetëm një mbështetje financiare po edhe morale. Kjo është mbi të gjitha matje e aftësive në një mjedis jashtë klaneve që po ia marrin frymën pa lindur konkurrencës në fushën kinematografike në Shqipëri.
Kjo është një fitore e madhe e Alimanit, paçka se më e vështira vjen më pas: cili do të jetë rezultati.
Ata që e njohin punën e tij (filmat e shkurtër "Katoi" që mund ta quajmë një klasik të kinemasë shqiptare, "Gas" një tragjedi e kohës sonë, rrëfyer me një ndjeshmëri tronditëse dhe estetikë të qartë, "Busulla" një vepër "pa pretendime" që rri pa u shqetësuar pranë dy të parave) puna e një regjisori shqiptar që jeton dhe punon në Athinë prej valës së parë të emigrimit drejt Greqisë, mund ta marrin me mend se çfarë lehtësimi është kjo mbështetje.
Në Shqipëri ka njerëz që përpiqen për kinemanë, por energjitë, talenti dhe idetë humbin rrugës së një shkretëtire. Individët ecin përpara sistemeve politike, kulturore, strategjike. Sa ç'është e mirë kjo, është edhe në dëm të individëve, sepse ata në fund të fundit, nuk mund të bëjnë pa strukturat ku duhet të hyjë dhe të mbahet arti apo prodhimi i tij.
Për skenarin e "Përtej amnistisë" Alimani ka marrë shkas nga një lajm në shtypin shqiptar, që bënte fjalë për demokratizimin e sistemit të burgjeve: lejonte krijimin e dhomave të veçanta për vizita intime mes bashkëshortëve. I ngacmuar nga kjo ai ndërtoi një histori midis dy njerëzve, një burri dhe një gruaje.
Në një intervistë për këtë projekt Alimani ka treguar se është një dramë që flet për "njerëzit e vegjël", për njerëzit e parëndësishëm, por që "po t'i shohim thellë, kanë një përmasë gjigante për ne. Gjithkush nga ne ka një përmasë të tillë. Rëndësi ka të gjesh këndin nga do ta vështrosh dhe nga do të duket kjo lloj përmase.
E kam fokusuar skenarin tek dy ata njerëz që janë tepër të zakonshëm, njerëz me marrëdhënie bashkëshortore të dekompozuara, njerëz që kërkojnë në atë llumin e jetës, bulëzat e pastra të dashurisë. Janë dy njerëz që në fakt krijojnë marrëdhënie të paligjshme."
Do të jetë një film shqiptar, me aktorë shqiptarë, me ngjarje që do të xhirohen në Shqipëri duke dhënë frymën e kohës dhe të tranzicionit. Protagonistë mendohen të jenë aktorët Ornela Kapedani dhe Karafil Shena. Kapedani u shpall aktorja më e mirë në festivalin e parë të filmit në Durrës më 2008.
Lajmi për miratimin e projektit shqiptar në Eurimages, vjen dy javë pas vizitës në Tiranë të Sekretarit të Përgjithshëm të Eurimages-it Roberto Olla. Ai erdhi për një seminar ku u diskua forma e aplikimit, kushtet që duhet të plotësojnë, limitet dhe marrëveshjet që duhet të respektojnë kineastët në paraqitjen e projekteve.
Mosaplikimin e deritanishëm nga të tjerë regjisorë shqiptarë Olla e shpjegoi me mosnjohjen e Euroimages-it nga ana e atyre.
Në anë tjetër, ndonjë regjisor do të pohonte se kineastët shqiptarë janë akoma larg standardeve të kinemasë evropiane.
Eurimages-i mbështet filma të gjatë artistik, të animuar dhe dokumentarë deri në 70 minuta me qëllim promocionin e kooproduksioneve evropiane. Për këtë arsye projektet që aplikojnë në këtë strukturë duhet të kenë së paku dy bashkëprocudentë nga vende të ndryshe të Evropës.
Cilësia e skenarit, historia dhe tema, origjinaliteti, karakteret dhe dialogët, struktura narrative, stili, aktorët, bashkëpunimi teknik dhe artistik, mundësia për të qarkulluar në festivale dhe për t'u distribuuar, janë disa nga kriteret që duhet të plotësojë një projekt cilësor kur aplikon në Eurimages.
Në mbledhjen e përtremuajshme të bordit të projekteve të Eurimages-it u mbajt në Stamboll nga 13 deri më 17 mars. Bordi shqyrtoi 34 kërkesa filmike bashkëprodhimi nga të cilat u miratuan 14.
Kineastët shqiptarë mund të paraqesin projekte e tyre të bashkëprodhimit në mbledhjet e radhës të Eurimages-it që do të mbahen në Hamburg qershorin e ardhshëm.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli