Revista e njohur "France Football", organizatore e çmimit prestigjioz "Topi i Artë", ka publikuar sot një shkrim ku tregon se secila prej skuadrave gjysmëfinaliste të Euro 2016, ka në gjirin e saj një kandidat shumë të fortë për ta fituar trofeun më të lakmuar individual.
I pari është padyshim Kristiano Ronaldo me Portugalinë. Pavarësisht një turneu jo edhe aq të suksesshëm në planin personal, ai ka arritur të drejtojë ekipin drejt gjysmëfinales. Në favor të tij është edhe fakti që ka fituar Ligën e Kampioneve me Real Madrid, i cili është një tjetër turne që në të shumtën e rasteve rezulton vendimtar për të përcaktuar emrin e fituesit.
Emri tjetër është ai shokut të skuadrës te Reali, Garet Beil, me të cilin Ronaldo do të jetë kundërshtar në gjysmëfinalen e parë të Euro 2016. Beil është imazhi i Uellsit në Europian, ndonëse ka vënë veten në dispozicion të skuadrës. Nëse Uellsi do të bëjë mrekullinë duke fituar trofeun, do të jetë e vështirë që dikush t'i heqë atij nga duart "Topin e Artë".
Real Madrid ka një tjetër kandidat në garë në radhët e Gjermanisë, mesfushorin Toni Kros. Futbollisti është i pagabueshëm në pasimet e tij dhe është regjisori i mirëfilltë i lojës së Gjermanisë, e cila pas titullit Kampion Bote, kërkon të bëjë të vetin edhe trofeun kontinental. Suksesi në finalen e 10 korrikut, padyshim që do të kthente Kros në një prej emrave pretendentë për të fituar trofeun, i cili prej shumë vitesh përfundon vetëm në duart e sulmuesve.
Nga Madridi, por këtë radhë në përbërjen e Atletikos, vjen edhe kandidati i katërt, i cili i përket përfaqësueses franceze. 25 vjeçari Antuan Griezman është kthyer në liderin e Francës dhe aktualisht kryeson renditjen e golashënuesve të Euro 2016. Nëse realizon kundër Gjermanisë dhe më pas në finalen e të dielës gola që rezultojnë vendimtarë, kush mund të thotë se nuk e meriton "Topin e Artë"?