Euro 2016 ka shënuar një numër të madh ndryshimesh në pankinat e skuadrave që morën pjesë në këtë turne. Deri tani janë regjistruar 9 ndryshime trajnerësh mes 24 skuadrave pjesëmarrëse, me 3 të paralajmëruara që para fillimit të turneut, ndërsa 6 të tjerat që erdhën si pasojë e rezultateve të dobëta.
Mes atyre që komunikuan largimin që para fillimit të aktivitetit ishte Antonio Konte, i cili çoi Italinë në çerekfinale dhe u eliminua vetëm falë penalltive përballë Gjermanisë. Trajneri do të marrë drejtimin e Çelsit, por ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton përsëri mundësinë e kthimit në kombëtare.
Erik Hamren i Suedisë kishte deklaruar se do të largohej që para fillimit të aktivitetit, ndërsa vendin e tij do ta zërë 62 vjeçari Jane Anderson. I njëjtë edhe qëndrimi i Lars Lagerbak, i cili shkroi historinë në stolin e Islandës, para se t'i lërë vendin përfundimisht dentistit Heimir Hallgrímson, të cilin e ka pasur bashkë-trajner gjatë kësaj aventure.
Dështimet sollën largime të pritshme që pas fazës në grupe. Mikhail Fomenko i Ukrainës, Leonid Slutski i Rusisë, Angel Jordanesku i Rumanisë dhe Pavel Vrba i Republikës Çeke u larguan që në ditën pas eliminimit nga turneu.
Ndërkohë, eliminimi në ndeshjet e 1/8 i kushtoi shtrenjtë Roi Hoxhson, i cili braktisi Anglinë, ndërsa edhe Vicente Del Boske vendosi të largohej nga stoli i kombëtares pas dështimit të Spanjës.
Tashmë priten edhe dy largime të tjera. I pari është ai i Fatih Terim, i cili ka bërë të qartë se mund të ikë nga Turqia pas dështimit në këtë Europian. Ndërsa i dyti është ai i Mark Vilmots, i kryqëzuar nga mediat dhe shtypi vendas pas dështimit të radhës së Belgjikës që ka shumë talente por nuk arrin të luajë si skuadër.