Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi deklaroi se ekipi gëzon një formë të mirë fizike dhe Taulant Xhaka është rikuperuar pas dëmtimit.
Në një konferencë për mediat të mbajtur pasditen e së premtes në Lesn të Francës, tekniku italian tha se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare dhe as një derbi, paçka se shumë lojtarë me origjinë shqiptare do të përballen si kundërshtarë.
"Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për ti kuptuar në mënyrën e duhur",-tha De Biazi.
Ndërsa për sa i përket futbollistit Xherdan Shaqiri te Zvicra, trajneri deklaroi se i njeh shumë mirë cilësitë e tij dhe ai do të jetë një nga lojtarët që do të mbrohet me kujdes nga kuqezinjtë. "Ai është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Një lojtar që e njohim mirë, i njohim vlerat dhe gjithçka që ka Shaqiri. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes",-tha De Biazi.
Pas kësaj konference, futbollistët e Kombëtares zhvilluan edhe stërvitjen e parë në Lens, qytet në të cilin do të luajnë të shtunës (ora 15:00) finalen e parë ndaj Zvicrës.