Euro 2016/ Eliminohet Shqiperia humb perballjen me Gjermanine

Euro 2016/ Eliminohet Shqipëria, humb përballjen me Gjermaninë

Shqipëria u eliminua sot zyrtarisht nga Euro 2016, kompeticion në të cilin mori pjesë për herë të parë në historinë e saj.

13493446_1200438246642173_624596347_o

Ishte një fushatë dramatike për kuqezinjtë, të cilët luajtën mjaft mirë dhe tërhoqën vëmendjen e mediave botërore, por që mungoi rezultati për të kaluar më tej.

Shqipëria gjeti në short Francën organizatore, Zvicrën me lojtarë me origjinë shqiptare dhe Rumaninë. Edhe pse shihej si më pak favorite, Shqipëria arriti të merrte një 3 pikësh për të mos dalë e fundit në grup dhe për të mbajtur shpresat për një kualifikim mes të tretave më të mira.

Por çfarë ndodhi në rrugëtimin e kombëtares shqiptare në Euro 2016? Aventura shqiptare në Euro 2016 nisi me polemika që në shpalljen e listës së lojtarëve që do të luanin në këtë kompeticion.

16-Sadiku

De Biazi u kritikua se nuk mori me vete Rashicën, Gjimshitin dhe Salihin, dhe e gjithë vëmendja u përqendrua te mbrojtësi Veseli, surpriza e grumbullimit. Por shpejt këto zgjedhje u harruan kur Shqipëria preku tapetin e gjelbër.

Ndeshja me Zvicrën, sakrifikimi i Canës dhe rastet e Gashit e Sadikut

Ndeshja e parë për kuqezinjtë ishte ajo e 11 qershorit përballë Zvicrës. Një ndeshje mjaft pritur, për shkak se në kombëtaren kundërshtarë luanin në formacion 5 shqiptarë.

Takim emocionues ishte ai mes dy vëllezërve Xhaka, ku njëri luan për Shqipërinë dhe tjetri për Zvicrën. Kuqezinjtë e nisën keq takimin, teksa pësuan një gol nga zivceranët me anë të Sharr. Ky i fundit përfitoi nga një gabim i Berishës, që në daljen e tij nuk arriti të grushtonte topin.

Por pas këtij rasti Shqipëria u përpoq ta merrte veten, edhe iu afrua golit dy herë në pjesën e parë. Sadiku pati një superrast, por goditja e tij u përplas në shpatullën e portierit zviceran.

Gjithçka u komplikua kur Lorik Cana kap një top me dorë, që ishte nisur për sulmuesin Sharr. Cana në rrëzim e sipër nuk arriti ta ndalte topin dhe përdori duart. Gjyqtari nuk e fali dhe kapiteni doli nga loja duke lënë kuqezinjtë me një lojtar më pak.

Shiritin e kapitenit e mori mbrojtësi Elseid Hysaj që udhëhoqi ekipin në sulme të njëpasnjëshme. Në të dytën, De Biazi bën ndryshime, heq Sadikun dhe Roshin dhe fut në lojë Gashin dhe Cikalleshin.

I pari ka edhe një rast mjaft të mirë me vetëm për vetëm me portierin por që e humb. Nëse do të ishte gol, llogaritë sot do të ishin bërë ndryshe dhe Shqipëria mund të kishte një pikë më shumë.

Pas ndeshjes me Zvicrën, më shumë u vlerësuan kuqezinjtë që luajtën më mirë se kundërshtarët edhe pse me një lojtar më pak. Shije të hidhur la vetëm ai gjest i Xhakës, kur zëvendësohej nga Kaçe. Djaloshi përplasi shishen e ujit në stol në shenjë nervozizmi.

Megjithatë, kuqezinjtë panë anët pozitive nga takimi. Kukeli ishte lojtari që ra më shumë në sy, i cili bëri qendërmbrojtësin për më shumë se 50 minuta dhe ia doli.

Humbja në fund me Francën dhe vlera e golit të Paje

Ndeshjen e dytë kuqezinjtë e zhvilluan ndaj Francëz organizatore në Marsejë. Kuqezinjtë kishin zgjidhur disa dilema në formacion. Ajeti startoi në qëndër të mbrojtjes duke zëvendësuar Canën e pezulluar dhe Agolli mori shiritin e kapitenit.

Ndeshja nisi më mirë për Francën, por kuqezinjtë rrezikuan disa herë. Protagonist u bë Sadiku që nuk arriti dot një top të Memushajt për të shënuar.

Po kështu, Lenjani humb një rast të shkëlqyer, i ndërtuar nga një skemë e De Biazit prej goditjes së këndit. Por goditja e anësorit kuqezi ishte shumë larg portës.

Në të dytën ishte Memushaj që gjeti shtyllën duke mos arritur të shënojë. Minutat e fundit të ndeshjes kuqezinjtë u mbrojtën më shumë sesa sulmuan. Por daljet e tyre përpara për goditjet nga këndi bënë që të vinte goli i parë.

Pikërisht në minutat e fundit shfaqet sindroma e vjetër. Grizman arrin të shënojë me kokë gjatë një kundërsulmi.

Një minutë më pas, kur kuqezinjtë kërkonin më kot golin e barazimit vjen edhe dyti me anë të Dimitri Paje, që u la i pamarkuar.

Ky gol i kushtoi rëndë kombëtares shqiptare, pasi nëse nuk do ta kishte pësuar, atëherë do të ishte në renditjen e të tretave më të mira mbi Turqinë dhe mund të shpresonte për më tej.

Por edhe pas kësaj humbjeje, mediat ndërkombëtare i bënë jehonë lojës së kuqezinjve. Ato vlerësuan shpirtin luftarak dhe lojën për fanellë të lojtarëve tanë.

Edhe De Biazi refuzonte çdo kritikë ndaj lojtarëve, ndërsa Agolli u shfaq i përlotur pas ndeshjes. Mbajti peshën e madhe të kapitenit në fushë dhe la shpirtin për një rezultat pozitiv.

Kryeministri Rama, për të motivuar lojtarët shkroi një letër të hapur. Mesazhi ishte i qartë teksa citonte të madhin Bielsa. "Nëse vazhdoni të luani kështu, një ditë do ta fitoni atë që meritoni".

Ndeshja historike me Rumaninë

Ndeshja e fundit e Shqipërisë në këtë kompeticion ishte ajo ndaj Rumanisë në Lion. Atmosfera ishte elektrizuese dhe Shqipëria zgjodhi fanellat e zeza, të njëjta me ato që siguroi kualifikimin në Euro 2016 në ndeshjen ndaj Armenisë.

De Biazi mbajti të njëjtin formacion por pa Kukelin. Në vend të tij ishte Migjen Basha dhe Andi Lila zëvendësonte Roshin në krah.

Kjo ishte ndeshja e së vërtetës për kuqezinjtë që e morën atë që meritonin. Sadiku pas një rasti të humbur nga Memushaj brenda zonës, merr një top prej tij dhe me zgjuarsi mposht portierin dhe mbrojtësin rumun me një goditje me kokë.

Ishte goli i parë i Shqipërisë në një kompeticion, duke vendosur një rekord, si edhe pas 90 minutave ishte fitorja e parë në një kompeticion të tillë.

Rumunët u përpoqën të rifuteshin në lojë, por Ajeti ishte i jashtëzakonshëm, po aq sa edhe Mavraj në qendër të mbrojtjes.

Ndërhyrjet e tyre ishin mjaft decizive dhe i mbajtën rumunët larg golit të barazimit. Memushaj gjithashtu ishte në top-form me dëpërtime dhe pasime nga më të mirat.

Por kuqezinjtë nuk arritën dot ta shënonin një gol të dytë, as me Sadikut që e pati një rast tjetër me topin që i dha Memushaj; as me Mavrajn që iu afrua golit dhe as me Balajn që u tregua mjaft i ngathët brenda zonës.

Megjithatë kuqezinjtë fituan duke bërë jehonë në të gjithë botën. Loja e mirë e dy ndeshjeve të para u shpërblye, pikët e para në kompeticion u morën, por nuk mbaroi me kaq. Shqipëria kishte shans që të kalonte grupin, po kësaj radhe ky shans ishte në duart e skuadrave të tjera.

Tri ditë ankth

Pas ndeshjes të së dielës, nisën ankthi dhe llogaritë për kuqezinjtë. Pa u luajtur ndeshjet e tjera Shqipëria ishte në vendin e tretë ndër të tretat më të mira, duke patur Irlandën e Veriut dhe Sllovakinë mbi krye.

Shqiptarët shpresuan për një fitore të thellë të Anglisë ndaj Sllovakisë në Grupin B, por erdhi zhgënjimi i parë nga të mëdhatë. Anglia u ndal 0-0 nga Sllovakia duke shfaqur një lojë të përgjumur.

Hoxhson edhe pse në ndeshjen e tretë në Euro 2016, ende s'e ka gjetur formacionin ideal të "Tre Luanëve".

Një ditë më pas erdhën dy zhgënjime të tjera. Shqipëria priste që Turqia të barazonte ose të mundte Çekinë dhe Gjermania të fitonte me Irlandën e Veriut me rezultat 3+. Asnjëra nga të dyja nuk ndodhi.

Gjermania e lodhur në sulm por me shumë raste iu fal golit të Gomes për të fituar ndeshjen minimalisht, ndërsa turqit mposhtën 2-0 Çekinë, duke kaluar mbi Shqipërinë në të tretat më të mira dhe duke e spostuar Shqipërinë në vendin e katërt.

Por shpresat tona u shuan përfundimisht në takimin dramatik të ditës së sotme, ku prisnim fitoren e Hungarisë ndaj Portugalisë.

Hungaria e para e grupit F e nisi mirë takimin duke kaluar në avantazh, por portugezët barazuan shpejt me Nanin.

Ishte një ndeshje me shumë gola, por që në fund përfundoi me rezultatin x-x që u shkoi për shtat të dyjave. Portugalia ngjitet mbi Shqipërinë dhe ne eliminohemi nga kompeticioni si një ndër dy të tretat më të këqija.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama