Angel Jordanesku e nis në sulm. Në konferencë e tij të parë për këtë fazë finale të Europianit, trajneri i Rumanisë ka deklaruar se skuadra e tij nuk u druhet aspak organizatorëve të kompeticionit.
Gjatë fjalës së tij, 66-vjeçari ka deklaruar se e di çfarë takimi do të jetë dhe gjithashtu ka bindjen se skuadra e tij do të dijë të reagojë përballë francezëve. "E dimë se Franca do të nisë ndeshjen në sulm.
Do të na ushtrojë presion dhe do të mundohet që të tregojë për të gjithë se çfarë është e aftë që të bëjë në këtë kompeticion. Megjithatë, kjo nuk na tremb aspak. Lojtarët e mi dinë të sillen në situata të tilla. Gjithsesi, në këtë ndeshje duam që të jemi sa më të balancuar, jo që të mendojmë vetëm për t'u mbrojtur.
Do të provojmë që edhe ne ta vëmë në vështirësi Francën. Në lidhje me pretendentët e kompeticionit, mund të them që Franca renditet ndër të parat, por edhe Anglia, Gjermania e Spanja kanë ekipe që janë mjaft cilësore.
Për të qenë i sinqertë, Franca ka në përbërje futbollistë që bëjnë diferencën edhe në Ligën e Kampionëve, ndaj do të jenë një ndër skuadrat për t'u mundur", është shprehur Jordanesku.