Ëndrra e shqiptarëve nisi në Portugali dhe u trondit pikërisht nga Portugalia. Goli i Bekim Balajt në ndeshjen e parë eliminatore na dha krahë për të shpresuar dhe për të besuar se ne mund të ishim në Francë.
Ia dolëm pas shumë peripecive dhe ishim pikërisht në sofrën e pasanikëve. Shqipëria, ekipi që renditej i treti nga fundi për vlerën e kartonëve të futbollistëve.
Si për ironi të fatit, Portugalia ishte skuadra që u dha fund shpresave të shqiptarëve për të vazhduar më tej. Në një sfidë spektakolare në fillimin e saj, por teatrale në fund, e humbura doli Shqipëria.
Hungaria dukej se do të na bënte një dhuratë të bukur duke lënë jashtë këtij Europiani Kristiano Ronaldon, por "përbindëshi" i Realit shënoi dy gola duke u "hakmarrë" në njëfarë mënyre edhe me Shqipërinë, e cila e mundi pikërisht në shtëpinë e tij. Ai në atë ndeshje mungonte, por shokët e tij nuk e ndalën vrullin e kuqezinjve.
Ndeshje për infarkt- Shqiptarët ishin tifozë me Hungarinë që në këtë sfidë nuk ishte aspak favorite në letër. Ndoshta skenari i djeshëm ishte më i pamunduri, por për shumë minuta besimi ishte në anën tonë. Hungaria kaloi e para në avantazh falë një supergoli të Geras në minutën e 19-të, por në pjesën e parë ishte Nani ai që barazoi sfidën.
Dy gola të mrekullueshëm të Xhuxhak nuk mjaftuan sepse Kristiano Ronaldo u përgjigj në të njëjtën mënyrë duke u dhënë fund llogaritjeve dhe kalkulimeve të shqiptarëve. Barazimi 3-3 i kënaqi të dyja ekipet, por nxori "huq" kuqezinjtë që prisnin vetëm fitoren e hungarezëve.
Në Portugali morëm hovin për të fluturuar drejt Francës, ndërsa Portugalia na preu biletën për të fluturuar drejt Shqipërisë... Sërish Atkinson- Ironia e fatit ditën e djeshme nuk lidhej vetëm me skuadrën që na dha goditjen përfundimtare, por edhe me gjyqtarin e ndeshjes Hungari-Portugali.
Martin Atkinson, arbitri i ndeshjes Serbi- Shqipëri, e cila gjithashtu do të mbahet mend gjatë. 14 tetori i vitit 2014 u shndërrua në një nga ngjarjet më të shëmtuara të futbollit. Huliganët serbë pushtuan fushën e lojës në të cilën po luanin shqiptarët dhe goditën futbollistët.
Atkinson vendosi të mos e vazhdonte më ndeshjen dhe nga raportet e mëvonshme rezultoi se ishte konfuzioni i tij që i dha Shqipërisë fitoren 3-0 në Gjykatën e Arbitrazhit në KAS. Ditën e djeshme, ai arbitroi sfidën mes Hungarisë dhe Portugalisë dhe ndeshja rezultoi korrekte, pa shumë raste për diskutim.