Euro 2016/ Skaneri i kater ekipeve ja shanset per finalen (FOTO)

Euro 2016/ Skaneri i katër ekipeve, ja shanset për finalen (FOTO)

Dhe ja ku mbetën 4 të fundit. "Euro 2016" mbërriti në fazën e gjysmëfinaleve dhe ndeshjet e kësaj jave premtojnë akoma më shumë dramë dhe intrigë.

113716919-1b80d77a-f3f9-4851-861a-cfe07a547424

Nesër në Lion, Uellsi do të përballet me Portugalinë, por ky duel konsiderohet më shumë si Bejl kundër Ronaldos.

24 orë më vonë, në Marsejë, organizatorët e Francës do të luajnë përballë kampionëve të botës, Gjermania, një klasike europiane. Por si vijnë 4 gjysmëfinalistet deri këtu?

113828866-80766d35-3774-44a2-9f52-3d79e7c67042

Uellsi - Kryesuan Grupin B me 6 pikë, pavarësisht humbjes me Anglinë në ndeshjen e dytë. Debutuan duke mundur Sllovakinë 2-1, por, pavarësisht avantazhit në derbin me Anglinë, u mposhtën me të njëjtin rezultat.

Pasi Anglia dështoi të mundte Sllovakinë në ndeshjen e fundit, Uellsi rrëmbeu vendin e parë me një triumf 3-0 ndaj Rusisë. Një rezultat i tillë u siguroi një tjetër derbi me Irlandën e Veriut në 1/8-at, të cilin e fituan falë një autogoli të MekOulej.

Përballë favoritëve të Belgjikës në çerekfinale, ata nuk u trembën dhe i përmbysën me një 3-1. Pika e fortë e "dragonjve" konsiderohet grupi, por Xho Alen ka shkëlqyer në mesfushë.

Hal Robson- Kanu, sulmuesi pa skuadër pas skadimit të kontratës me Reding, ka filluar të refuzojë oferta pas paraqitjes në këtë turne. Por mbi të gjithë ka shkëlqyer ai, Garet Bejl. Përballë do të ketë shokun e skuadrës te Reali, Kristiano Ronaldo, i cili nuk e ka arritur ende formën e tij më të mirë në këtë turne.

Por, nëse doni të vini bast se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as nesër, atëherë e keni të humbur. Doza e patriotizmit që i ka shtuar trajneri Kolman është gjithashtu pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre që kur zbret në fushë, vetëm inferiore nuk ndihet.

Por ndaj Portugalisë ai duhet të zëvendësojë Ramsejn dhe Dejvisin e pezulluar. Nëse nuk tremben as nga Ronaldo, atëherë Uellsin do ta shohim në finale.

Portugalia - Kanë qenë shumë larg skuadrës bindëse dhe e kaluan grupin me tri barazime, duke u kualifikuar si e treta më e mirë. Lideri ka qenë Pepe, por këtë rol pritet ta marrë përsëri Ronaldo, i cili e ka shpërdoruar shumë këtë turne. Mesfushori i talentuar i Bajernit, Renato Sançez, ka justifikuar gjithashtu çdo qindarkë që u shpenzua për të.

Fernando Santos mund të mos e kishte imagjinuar këtë progres vetëm me barazime deri këtu, por ai është arkitekti i një skuadre që vetëm sulmon, pavarësisht rasteve që shpërdoron. Si mund të shkojnë në finale? Skuadrën e kanë plot talent, por thjesht u ka munguar kolaudimi.

Në këto momente u mungon forma që Uellsi e ka. Por të gjithë e dimë se britanikët duhet të jenë në ditën e tyre më të mirë që t'i mundin.

151822915-dbce3426-2cea-4452-a022-e4ed5aaf70ef

Gjermania - Në kontroll të gjithçkaje deri tani. Dominuese e grupit falë diferencës së golave ndaj Polonisë. Sllovakisë në 1/8-at i dhanë leksionin me ndeshjen më të mirë që kanë zhvilluar deri tani, 3-0. Italia pastaj është Itali dhe, pavarësisht diferencave teknike, ua vështirësoi punën si përherë.

Megjithatë, kampionët e botës e bënë detyrën dhe kaluan me penallti. Golat kanë ardhur nga të gjitha anët, por truri i këtij ekipi është Toni Kros, i cili vendos ritmin e ndeshjes me saktësinë e pasimeve.

Ozil ka qenë gjithashtu i shkëlqyer. Ndërsa me Uellsin dhe Portugalinë e kemi të lehtë të bëjmë një zgjedhje, te Gjermania ka shumë yje, duke nisur nga porta dhe përfunduar te sulmi.

Lëv ka për detyrë të ulë tensionin që është normal në këtë moment të turneut, por ai po ia del, sepse Gjermania bëhet më e bukur, ndeshje pas ndeshjeje.

Gjermania do synojë të kontrollojë topin ndaj Francës dhe ushtrojë sa më shumë presion në mbrojtjen e tyre, edhe pse në këtë pikë duhet të bëjë kujdes kundërsulmet e organizatorëve.

112549237-7e21bb84-0fdc-463c-ab8d-019c9ddb2383

Franca - Një fazë grupesh ku ndeshjet i zgjidhte në fund me kryevepra të Pajesë apo Grizmanit. Por francezët e dominuan Irlandën në 1/8- at, edhe pse u desh një përmbysje me Grizmanin në pjesën e dytë.

Ndaj Islandës dhuruan spektakël, duke siguruar fitoren me më shumë gola të shënuar të turneut. Yjet deri tani janë Grizman, Zhiru dhe Paje, por mos e nënvlerësoni as Pogbanë që duket se po rikthehet.

Katër vitet e Deshampit në stol po i japin rezultatet e këtij brezi kaq të talentuar. Që Franca ta fitojë ndeshjen, të gjithë duhet të jenë në ditën e tyre më të mirë dhe të thyejnë mbrojtjen solide gjermane, por edhe të ruhen ndaj ofensivës së kampionëve të botës.

Me ndihmën e tifozëve ata duhet të kontrollojnë edhe energjitë dhe do t'u bënte punë sikur të studionin se si mund t'i mposhtin gjermanët në fushën e tyre, penalltitë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama