Tani loja është shtrirë dhe ka përfshirë borxhet kombëtare, pra fatet e kombeve të tërë. Pas dështimit të bankës së investimeve “Lehman Brothers” ishte qeveria amerikane ajo që ndërhyri për të shpëtuar tregjet financiare nga kolapsi. Por tani sulmi është drejtuar ndaj vetë qeverive dhe pave të thre që u dergjën nëpër institucione financiare për t’i mbajtur ato ende në jetë. Por aktualisht monedha që ndodhet më në vështirësi dhe më në shënjestër të krizës nuk është as paundi, as dollari, por euroja dhe kjo si për arsye ekonomike, ashtu edhe politike. Vendet më të dobëta në jug të kontinentit, të ashtuquajtura Club Med, kanë qenë gjithmonë problematike. Kjo sepse në më të shumtën e kohës kanë jetuar përtej mundësive të tyre reale ekonomike dhe kanë përtuar që të shndërrohen në vende kompetitive e ndërkohë, pjesërisht hapur e pjesërisht fshehtas, kanë grumbulluar një sasi të jashtëzakonshme borxhi. Veç kësaj nuk kanë ndërmarrë reforma të rrepta. Kjo ishte situata para se ato të shndërroheshin në anëtarë të Eurozonës. Me futjen në këtë bashkësi të re në vend që t’i ndryshonin rregullat e lojës, i vazhduan edhe më tej. Ndërkohë, vendet e tjera, ato më të zhvilluara, funksionin ndryshe dhe mbi të gjitha nuk u treguan shumë të vëmendshëm ndaj anëtarëve jugorë.
Për sa i përket euros, ajo konsiderohet deri më sot si një histori suksesi. Gjatë krizave të fundit financiare në botë, monedha e përbashkët ka qenë e fortë dhe ka treguar rezistencë veçanërisht për vendet më të vogla, por problemet nisën të shfaqeshin me daljen në pah të borxheve, të sasirave jashtëzakonisht të mëdha të borxheve kombëtare. Edhe para prezantimit të monedhës së përbashkët, në vitin 1999 nobelisti i ekonomisë, Fridman, deklaroi se euroja nuk do të kishte forcë për të përballuar kriza të rënda dhe madje ai parashikoi se zona e euros do të shkatërrohej pas 10 vitesh nga krijimi i saj. Kohët e fundit Greqia u vu para përgjegjësisë që të pranonte sasinë e vërtetë të borxhit të saj dhe të mos vazhdonte që ta fshihte më situatën e rëndë në të cilën ndodhej. Ekonomistë të ndryshëm kishin paralajmëruar për një situatë të tillë, por ata që e bënë veshin të shurdhër ishin politikanët. Kuadri ligjor i euros nuk përfshin rregulla të sakta për përballimin e llojit të krizës që po përjetohet dhe kjo është arsyeja që ka shumë hezitim dhe mosmarrëveshje në lidhje me mënyrën e ndërhyrjes që duhet të kryhet ndaj vendeve problematike. Për sa i përket fushatës së spekulimeve ndaj Greqisë, ajo ishte një fushatë që nisi në muajin dhjetor.
Agjenci të ndryshme publikuan me komente shkallën e borxhit të lartë grek dhe këto informacione patën një ndikim të menjëhershëm në tregjet e bondeve dhe të aksioneve. Tregjet dhe vlera e mallrave që tregtohen në to janë rrudhur dhe tkurrur që nga fillimi i krizës financiare, për më tepër nga fillimi i krizës së Greqisë. Në këtë situatë shpesh ata që përfitojnë shuma të mëdha parash brenda një kohe mjaft të shkurtër janë spekulatorët financiarë. Një i tillë ishte George Soros, i cili përmes një loje me paundin britanik u shndërrua brenda nate në miliarder në vitin 1992. Aktualisht spekulatorët kanë vënë bast tashmë jo në rrëzimin e institucioneve të ndryshme financiare, por në vetë kapitullimin apo mbijetesën e shteteve të caktuara, në rastin konkret të Greqisë. Bankat e investimeve janë ndër institucionet që dalin më me fitim nga një situatë e tillë. Veçanërisht njëra syresh, “Goldman Sachs” e “Wall Street”, bankë që ka gisht në shumë veprime financiare të Greqisë në të shkuarën me pasoja në të tashmen. Kjo bankë ka qenë këshilluesja e qeverive të ndryshme dhe aktualisht ajo thuhet se ndodhet tani edhe në anën e spekulatorëve që kanë vënë bast aktualisht kundër Greqisë.
Kjo bankë u përfshi edhe në rastin kur Greqia u përpoq që t’i fshihte Brukselit nivelin e borxhit të saj të brendshëm. Në vitin 2002, Banka Amerikane ndihmoi Athinën që të shkëmbente një sasi të dollarëve dhe jenit që kishte borxh. Bëhet fjalë për një sasi monedhe prej 10 miliardë dollarësh. Madje për ta nxitur për ndërmarrjen e një hapi të tillë, Goldman i dha Greqisë në atë kohë një kredi prej 1 miliard dollarësh, e cila nuk iu raportua kurrë Brukselit. Politikanët aktualisht po përballen me pasojat e marrëveshjeve të tilla të fshehta. Pas ekspozimit të aferave të tilla nga shtypi amerikan, Kancelarja gjermane Merkel, deklaroi se nëse gjëra të tilla do të vërtetoheshin në lidhje me afera të njërës prej bankave që ka shkaktuar krizën financiare, si “Goldman Sachs”, atëherë një gjë e tillë do të përbënte një skandal. Pavarësisht kësaj, edhe qeveria e re greke, e cila është distancuar me shumë tradita të qeverisë së kaluar të djathtë nuk mund t’ia dalë a bankën në fjalë.
Problemi më i madh në rastin e Greqisë, që ndodhet në pozicionin më të vështirë krahasuar me vendet e tjera, nuk është ndihma që mund t’i jepet asaj, por fakti që rasti i shpëtimit të saj mund të shërbejë si një rast precedent. Pra, edhe vende të tjera në prag të një situate ekstreme për sa u përket borxheve mund të kërkojnë të njëjtën gjë dhe kjo do ta çonte situatën jashtë kontrollit.