“Gjuha shqipe me nje mushkeri” liber i ri i Mehmet Elezit

“Gjuha shqipe me një mushkëri”, libër i ri i Mehmet Elezit
Lexuesit kanë në dorë një botim tjetër për problemet e gjuhës së sotme shqipe dhe standardit të saj. Sapo ka dalë prej shtypit e është vënë në qarkullim në libraritë e Tiranës libri i ri i Mehmet Elezit “Gjuha shqipe me një mushkëri”. Autori ndalet në mënyrë të veçantë te nevoja e reformimit të standardit, duke e argumentuar këtë sidomos me rrethanat dhe zhvillimet e reja në botën shqiptare dhe brenda vetë gjuhës shqipe.

Elezi i referohet gjuhëtarit e dijetarit të madh Eqrem Çabej, i cili duke vëzhguar së afërmi pasojat e standardizimit të gjuhës shqipe, me të cilin Çabej nuk u pajtua kurrë, ka paralajmëruar për rreziqe deri në krijimin artificialisht të “dy gjuhëve”. “Sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne: më nj’anë gjuha e shkruar e intelektualëve, më anë tjetër gjuha e thjeshtë e popullit...”, shkruan Çabej dhe këshillon: “Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme”. Në vijim të pikëpamjeve të parashtruara prej tij te libri “Gjuha shqipe në bunker” dhe te “Fjalor i gjuhës shqipe” me 41 mijë fjalë që nuk gjinden në fjalorët e Akademisë së Shkencave, mbështetur edhe te këshillat e kryemjeshtrit të gjuhës shqipe Çabej, Elezi thotë se është koha për një planifikim të ri gjuhësor.

Në librin “Gjuha shqipe me një mushkëri” argumentohet pse standardi duhet të hapet në mënyrë shkencore, sipas një filozofie gjithëpërfshirëse, pasi kështu mbrohen vlerat e gjuhës shqipe dhe njësia e kombit. Ne shqiptarët jemi vëlla i vetëm në një katund të madh; e po të shkapërderdheshim edhe më duke pjellë “gjuhë” e “kombe”, këto pjella do të ishin zogj të vegjël, që zor do të mund të fluturonin vetë, thekson Elezi.

Nga : Gazeta Express

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama