Pas tri vëllimeve me tregime, një me novela, dhe një romani, prozatori Veizi i paraqet lexuesit me një tjetër sfidë. Ky roman vjen si rrjedhojë logjike në krijimtarinë e këtij autori, i cili edhe në botimet e mëparshme është shquar për ambicien dhe origjinalitetin e tij. Prozatori Leonard Veizi, po e kristalizon gjithnjë e më mirë profilin e tij letrar, i vetorientuar dhe përkushtuar ndaj botës psikike të njeriut, luftës brenda vetes. “Rrëfimi” është një shtjellim ku ndërthuret pasioni dhe mendimi, kontradiktat dhe tjetërsimi. Është një rrëfim ku herë fiton mendja e herë fiton shpirti. Nëpërmjet një analize të hollë, pa marrë aspak ngjyresa moralizuese, Veizi analizon tronditjet e mëdha që i ndodhin sot njeriut shqiptar. “Rrëfimi” është një rrëfim ku takohen e shkuara dhe e ardhmja, realiteti dhe përjetësia. Autori, duke njohur tipa dhe karaktere njerëzore të ndryshme e të larmishme nga jeta, nëpërmjet hulumtimeve dhe psikanalizave të botës dhe luftës së njeriut me veten brenda qenies, ka krijuar realitetin artistik të një lufte të tensionuar psikologjike në vetëdijen e personazheve komplekse, i cili është më i përsosur se ai i jetës, ku ndeshet e mira me të keqen, e bukura me të shëmtuarën, e moralshmja me të pamoralshmen, në situata dramatike, lirike dhe tragjike. Ngjarja nuk ka një gjeografi të caktuar dhe kjo i jep veprës një dimension më të gjerë. Ngjarja ndodh brenda një kohe të shkurtër dhe ka pak personazhe, çka e bën atë të jetë sa intensive, aq edhe harmonike. Kjo luftë zhvillohet në rrafshin e tensioneve psikike të larta, nëpërmjet rrëfimit të tij psikoanalitik dhe monologut të vetë personazhit. Gjithçka krijohet me imagjinatë, e cila është e zhvilluar, e larmishme dhe herë-herë e magjishme dhe e jashtëzakonshme. Autori i romanit vërteton edhe një herë se është një ndër shkrimtarët më seriozë që lëvron prozën e sotme shqipe. Ai shfaqet me një stil më të konsoliduar, çka e bën veprën më të arrirë nga pikëpamja artistike. “Rrëfimi” është një botim i shtëpisë “Bota shqiptare”. Ky roman dallohet për një këndvështrim origjinal, çka i jep të drejtën që në të ardhmen të quhet një vepër e debatueshme. Leonard Veizi u lind më 29 gusht 1968, në Tiranë. Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. Ky është botimi i tij i pestë, i cili vjen pas botimeve:
1- “Grahma e shpirtit të mjegullt” 1997 (novela)
2- “Ngrehina e përhumbjes”, 1998 (tregime)
3- “Treni i fundit i metrosë”, 2005 (tregime)
4- “I dënuar me vdekje”, 2006 (tregime)
5- “Surpriza e natës së fundit”, 2008 (roman)
Nga : Gazeta Metropol