Është një shfaqje që do të vihet në skenë nga regjisori grek, Vangjelis Theudoropulos, me skenografi dhe kostumografi të Angelos Mehnitis (autor i skenografisë së Lojërave Olimpike të Athinës). Do të performojnë aktorët Margarira Xhepa, Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Rajmonda Bulku, Gulielm Radoja, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Olta Daku, Eftjola Laçka, Enejda Xhelili, Loredana Gjeçi etj. Është një tragjedi e Euripidit, që u prezantua për herë të parë në 415 p.e.s. Vepra ishte pjesë e një triologjie që kishte lidhje me luftën e Trojës. Struktura e dramës është shumë e thjeshtë, por nga ana tjetër është edhe shumë gjeniale. Në dramë do të jetë pikërisht momenti ekstrem i të gjithë tragjedisë. Burrat janë të gjithë të vdekur, ndërsa gratë e Trojës dorëzojnë trupat, duke pritur fatin e tyre në betejën fituese. Në të gjithë dramën prezenca e gjallë dhe akute e dhimbjes sjell bindjen e heroizmit dhe bukurisë. Rezulton evidente qendra e këndit të shikimit që janë fituesit dhe jo fituesit, ku kjo lloj forme e të sjellurit të pjesës është adoptuar edhe nga Eskili tek vepra “Persianët”. Ka një përfundim jo shumë të ndryshëm që prezantoi në fakt jo vlerat militare të grekëve, por dëshpërimin e grekëve të mundur. Edhe Euripidi tek “Trojanët” e përqendron vëmendjen e tij tek fitimtarët dhe në mënyrë të veçantë tek gratë, me qëllim për të hedhur dritë mbi vuajtjet dhe dhimbjet e tyre.
SUELA FURRIKU : Gazeta Standard