Eurokriza dhe roli i shteteve te fuqishme ne zgjidhjen e saj

Eurokriza dhe roli i shteteve te fuqishme ne zgjidhjen e saj
Me krizën e madhe të vendeve të zonës Euro, që nuk po arrijnë të rimëkëmben edhe pas marrjes së paketave të “shpëtimit” dhe vendimit të fundit të Danimarkës për të rifilluar kontrollet në kufi, Bashkimi Europian ndodhet në krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë.

Fotoja e Presidentit francez, Miteran dhe Kancelarit gjerman, Kol ku të dy shfaqen dorë për dore, është një nga fotot më të famshme të shekullit që shkoi. Mbi të gjitha, ajo qëndron e fiksuar në memorien kolektive të Gjermanisë dhe të Francës. Ajo tregon Helmut Kol dhe Miteranin në vitin 1984, në ceremoninë e organizuar me rastin e përkujtimit të Verdunit. Gjesti i tyre ilustron ripajtimin që ndodhi mes këtyre dy vendeve pas dy luftërave botërore, gjatë të cilave pati shumë qëndrime armiqësore. Por sot ky lloj emocionaliteti është prekës, por edhe i largët njëherazi.

 Në ato vite, pra në vitet ’80, ai që do të shndërrohej më vonë në organizatën me emrin Bashkimi Europian,  ishte thjesht një organizëm për administrimin financiar të transfertave mes të dy vendeve. Kur njerëzit flisnin për Europën,  ata përqendroheshin në këto çështje të mëdha: ”Hapjen e kufijve, mirëkuptimin ndërkombëtar, luftën dhe paqen”. Në atë kohë ishin fjalë boshe, pa asnjë domethënie të madhe konkrete, por duket se ndiheshin thellësisht nga dy liderët përkatës të atëhershëm të të dy vendeve fqinj. Njerëzit i ndjenin këto ideale dhe çështje të një Europe të bashkuar dhe në harmoni dhe jetonin me këtë ide.

Por ky pasion u zhduk nga debate në lidhje me Bashkimin Monetar.  Në fakt, këto ditë fjalia se Bashkimi Europian e shndërroi një kontinent të përfshirë dhe ndarë nga luftërat në një ishull lirie  dhe stabiliteti, do të tingëllonte shumë e çuditshme dhe askush nuk do ta besonte. Tani çështja është nëse ky bashkim do të vazhdojë që të shndërrohet në një bashkim transfertash financiare, apo nëse do t’i referoheshim fjalëve të një pjese të shtypit gjerman; në një bashkim ku disa shtete që punojnë, paguajnë për shtete të tjera dembele.

Në shumë vende, Europa nuk konsiderohet më si një “goditje fati”. Në vend të këtij perceptimi, europianët pyesin veten se si do të arrijnë që të mbrohen nga refugjatët e shumtë që vijnë nga Afrika apo nga shtetet e dështuara financiarisht të Jugut e ekspansioni i shteteve të pasura të Veriut. Tani këto janë çështjet e ditës që dominojnë në Europë dhe në debatin për të. Dhe tani vijnë në këtë debat edhe danezët, që kanë bërë lëvizjen më të rëndësishme në epokën moderne. Ata duan që të rivendosin kontrollin e kufijve.

Në këtë mënyrë, do të kthehet mbrapsht. Kështu, ata do të rrëzojnë vetë thelbin dhe kuptimin e Europës së bashkuar; atë të lirisë së lëvizjes dhe mungesës së kontrolleve. Pak ditë më parë, euro-entuziastët morën përsipër një pjesë të fajit në lidhje me këtë situatë. Ata pranuan problemet që kanë të bëjnë me implementimin dhe përdorimin e euros, për shkak se sipas tyre, integrimi europian dukej më i rëndësishëm përmes integrimit financiar, sesa përmes një pune të vazhdueshme për çlirimin dhe heqjen e kufijve dhe vendosjes së rregullave dhe politikave të lëvizjes së lirë.

Në këtë mënyrë, Bashkimi Europian e shtriu zgjerimet e tij, duke mos u adoptuar siç duhet ndaj institucioneve të tij. Duke qenë se ideja e Europës supozohej që të ndriçonte çdo cep të kontinentit, askush nuk e vrau shumë mendjen nëse ishin apo jo të përgatitura për një sfidë të tillë të gjitha shtetet e reja që u bënë pjesë e bashkësisë së madhe në raundet e ndryshme të anëtarësimit, kryesisht pas vitit 2000. Në fakt, ideja europiane dhe e një Europe të madhe dhe të bashkuar e të lirë, dukej në periudha të caktuara kohore kaq urgjente, saqë njerëzit në përgjithësi, por çka është më e keqja, edhe vetë institucionet dhe zyrtarët e lartë, nuk u kujdesën shumë për detajet, që në fakt ishin shumë të rëndësishme, sepse janë pikërisht detajet ato që rrezikojnë shembjen e gjithçkaje. Por një veprim i tillë u dha argumente edhe atyre që ishin skeptikë ndaj një Europe të bashkuar. Injorimi i problemeve nuk i zhduk aspak ato. Përkundrazi, në një kohë tjetër, zakonisht shumë më të papërshtatshme, ato rikthehen dhe sjellin me vete një krizë edhe më të madhe.

Tani vetë Bashkimi Europian gjendet në krizën më të rëndë të tij që nga momenti i zgjerimit të madh dhe pjesërisht është një krizë, që u krijua për shkak të problemeve të abandonuara dhe jo të zgjidhura. Është një krizë gjithëpërfshirëse, që nis me problemin e madh të dyndjes së refugjatëve nga brigjet e Afrikës veriore e deri tek kriza e euros, e deficiteve të stërmëdha buxhetore të shumë vendeve të Eurozonës dhe kriza e besimit. E gjithë kjo situatë tanimë nuk do të mund të zgjidhet vetëm me retorikë të zakonshme. Tashmë fjalët nuk pinë më ujë as për ta shtyrë situatën për zgjidhje në një moment tjetër. Por në të njëjtën kohë, është një situatë që nuk mund të zgjidhet jashtë kuadrit të një “vizioni” europian.

Gjithnjë e më tepër gjermanët po kërkojnë një arsye të fortë se përse duhet të jenë ata që të paguajnë për gafat financiare të vendeve të tjera, të Greqisë në këtë rast, gafa të bëra për vite me radhë dhe të mbajtura të fshehura nga qeveritë. Përse duhet të jetë një shtet i përgjegjshëm si Gjermania ai që duhet të ndihmojë shtetet problematike, që nuk janë treguar të kujdesshme për politikat e tyre financiare. Dhe, nuk bëhet fjalë vetëm për arsye financiare.

Europa vazhdon që të mbetet ende, pavarësisht të gjitha problemeve, një ide e madhe, por në të nuk jepen garanci për lirinë. Për ruajtjen e saj duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të pareshtur, pavarësisht se BE-ja është garantuesja më e madhe e lirive në kontinent. Në vetvete asnjë vend europian, qoftë Gjermania, Franca apo Britania e Madhe nuk është e fortë deri në atë pikë sa të luftojë e vetme në arenën ndërkombëtare  për interesat e veta. Në këto kushte, Bashkimi Europian mund të jetë një lojtar i madh, por jo anëtarët e tij individualë. Dhe është në interes të secilit prej shteteve anëtare që të ndihmojë shtete që janë në vështirësi.

Për momentin duket sikur askush nuk e kujton apo nuk dëshiron që ta kujtojë një fakt të tillë. Por është dikush që duhet ta kujtojë. Kjo është Kancelarja gjermane, Merkel e cila është kryetarja e shtetit më të fuqishëm të Bashkimit Europian, dhe jo vetëm nga ana ekonomike. Si e tillë, ajo mbart një përgjegjësi të veçantë për Europën dhe nëse do të bëhet fjalë për humbje, ajo do të jetë e para që do të humbasë më shumë. Ka disa analistë që shohin një dilemë të madhe në Gjermani në lidhje me qëndrimet që duhet të mbahen në drejtim të Bashkimit Europian. Nëse Bashkimi Europian do të ketë ndonjë të ardhme, Gjermania duhet që të ndikojë në modelin e drejtimit të organizatës, duke imponuar modelin gjerman, por një gjë e tillë mund të bënte që shumë shtete të tjera ta konsideronin dhe ta shihnin Gjermaninë si një rivale. Atëherë Berlini do të zëvendësonte Brukselin, dhe kjo mund të mos i pëlqente shumëkujt.

Dilema është shumë e vështirë për t’u zgjidhur, por sipas analistëve gjermanë, Merkel as që po përpiqet që ta zgjidhë. Sigurisht që veprimet e saj nuk kanë qenë anti-europiane dhe Gjermania ka ndihmuar vendet e organizatës, por nga ana tjetër  qeveria gjermane nuk e ka shprehur hapur para qytetarëve të saj apo para Europës se përse beson tek Europa. Për Merkelin, problemet e BE-së janë të një natyre teknike, por megjithatë ato nuk do të zgjidheshin vetëm me pragmatizëm. Por në fakt, Europa është shumë më tepër se shuma e veprimeve individuale të shteteve që e përbëjnë. Tani, pra pikërisht tani, ajo ndodhet në rrezik, dhe këtë anëtarët në të fuqishëm duhet ta kenë mirë parasysh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama