Europa dhe plazhet ku behet qejf

Europa dhe plazhet ku behet qejf
Muzikë, ritme të çmendura dhe shumë sensualitet. Këta janë përbërësit e pamungueshëm të “beach party”, festat popullore në plazh që i bëjnë çdo vit e më të nxehta pushimet e të rinjve europianë. Edhe këtë vit sajti online i revistës “Times” në Londër ka bërë klasifikimin e 10 festave më të mira të organizuara në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së verës dhe plazhit. Në dhjetëshe, në krahasim me vitin e shkuar, janë vetëm tre të rikonfirmuar dhe shtatë hyrje të reja, ndërkohë që janë përjashtuar disa vende kult si Biarritz dhe Mykonos. Në fund, si gjithmonë, të gjitha festat u premtojnë të gjithë atyre që kanë dëshirë të argëtohen, net të zjarrta dhe transgresive deri në orët e para të mëngjesit.

Festat në plazh

“Turquoise” në Rimini është klubi më i madh italian në plazh që shtrihet përgjatë bregdetit në një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë. Gjatë ditës “Turquoise” është një stabiliment madhështor detar që nuk frekuentohet vetëm nga të rinjtë, por edhe nga një numër i madh familjarësh. Ashtu siç shkruhet edhe në faqen e internetit të këtij stabilimenti, festat nisin me fillimin e natës, kur stafi u ofron të pranishmëve pije dhe kokteje të ndryshme për t’u shijuar përgjatë bregut të detit. Më vonë festa zhvillohet me dixhej ndërkombëtarë dhe një numër të madh VIP-ash që mbushin plot e përlot tri baret e diskotekës. Por kush dëshiron të kalojë një mbrëmje romantike nuk duhet të shqetësohet: në plazh gjen edhe një restorant të qetë me qirinj dhe dhoma private. Pasi kalojmë Alpet, i drejtohemi Hosseger, atdheu i sërfistëve francezë. Këtu në darkë ata që pëlqejnë “jetën e ëmbël” i gjen në "Dick’s Sand Bar", lokal që qëndron hapur deri vonë çdo natë vere.

Deti i Zi në Turqi dhe festat spanjolle

Zhvendosemi në plazhet e Turkbukut, një plazh i vogël peshkatarësh në brigjet jugore të gadishullit të Bodrumit në Turqi, dhe këtu do të zbuloni një “Sant Tropez” të vogël. Në ndryshim nga lokaliteti i famshëm francez, këtu çmimet nuk janë marramendëse, pavarësisht luksit dhe numrit të madh të jahteve që popullojnë portin. E vogël, e këndshme dhe shumë pak e njohur, Turkbuku është me të vërtetë magjik. Festat popullore në plazh organizohen nga e famshmja “Mio beach”, nga i sofistikuari

"Maki beach bar" dhe nga "Na Na beach club": këtu klientët shtrihen në shtretër të rehatshëm të bardhë dhe admirojnë bukurinë marramendëse të Detit të Zi. Në dhjetëshe një vend nderi i takon edhe plazhit të Ibizas, që për shumë vite është atdheu i festave europiane. “Times” konfirmon plazhin e famshëm "Playa d’en Bossa", ku gjenden klubet e natës më të famshme në botë, si

"Bora Bora beach club" ose festat në plazh të organizuara nga Sands dhe Ushuaia. Sipas së përditshmes londineze, në këtë të fundit mund të shijohet edhe një ushqim i mrekullueshëm që serviret gjithmonë nga baristë të qeshur dhe plot standarde. Le të qëndrojmë akoma në ishujt Baleari, por zhvendosemi në “Palma de maiorca”, ku gjendet një lokal seksi dhe transgresiv "Nassau beach club". Festa në plazh nis pasditeve me muzikën house dhe një atmosferë shumë qetësuese. Gjithmonë në Spanjë, e veçantë për rërën e saj të artë është plazhi "La Malvarrosa" i Valencias: këtu dashamirësit e parë të jetës së natës shfaqen rreth mesnatës dhe kthehen në shtëpi jo më parë se ora tetë e mëngjesit. Atmosfera më spektakolare, sipas “Times”, përjetohet në lokalin “Monocle”, ndërsa në plazh të rinjtë “shkallojnë” duke kërcyer muzikë me ritme të zjarrta.

Bukuritë e Europës Veriore

Veriu i Europës nuk duket pas pjesës latine të kontinentit, madje edhe këtë verë paraqitet denjësisht në listën e plazheve që ofrojnë festa të zjarrta këtë periudhë. Vendi i parë në Europën e Veriut i pranishëm në klasifikim është ai i qytezës së Bloemendaal aan Zee, që gjendet edhe në listën e vitit të kaluar të “Times”-it. Ky vend, që dikur ishte një fshat i vogël peshkatarësh, tashmë është bërë qendra e një prej vendeve më të bukura, më në modë dhe më të populluara të Holandës. “Republiek” është një klub që siguron muzikë dhe transgresion deri në agim. Zhvendosemi në Tylosand, një fshat afër Halmstad mbi bregun perëndimor të Suedisë, ku gjen një jetë nate të zjarrtë. Në plazhin e hotel “Tylosand” në mëngjes mund të çlodhesh, ndërsa mbrëmjeve festat janë të zakonshme. Gjithmonë në Europën Veriore në plazhet uellsiane të Llangennith gjejmë "Kings Head", ku organizohen kërcime transgresive, ndërsa sërfistët shpesh nudo kalojnë dallgët në netët me hënë të plotë. Sërfistët nordikë dhe dashamirësit e birrës gjenden edhe në plazhet e “Croyde”, në Kontenë e Devonit në Angli. Këtu lokali mbi plazh më i madh dhe më i bukuri është "The Thatch", ndërsa muzika rege është e “institucionalizuar”.

Shërbimet që ofrohen

Përveç librave, muzikës dhe lojërave, në vende të caktuara të këtyre plazheve vihen ekrane të mëdha, duke u krijuar mundësi njerëzve që, pa u larguar nga plazhi, të mund të shohin edhe aktivitetet më të rëndësishme sportive, apo programet e preferuara. Televizori në plazh po bëhet një nevojë e pashmangshme. Por iniciativat nuk përfundojnë këtu: në fakt, në çadër është e mundur që të lidhesh me internetin për të kontrolluar postën tënde elektronike ose të “lundrosh” në sajtet e ndryshme të tij, pa e prishur fare rehatinë. Ndër të tjera, sot mund të gjenden edhe krevate me mbajtëse celulari, që të japin mundësinë për ta karikuar atë nën çadër. Pastaj, ka edhe të reja nga më të çuditshmet, siç janë çadrat për duhanpirësit, të cilat u krijojnë mundësi plazhistëve për të pirë duhan, pa i shqetësuar aspak të tjerët përreth. Ndër shërbimet më të kërkuara janë edhe aktivitetet që u kushtohen fëmijëve dhe në veçanti të sapolindurve. Vende për t’u ndërruar pampersat, për të ngrohur ushqimet, duke i ndihmuar në këtë mënyrë nënat për pushime të rehatshme. Nën çadër mund të gjenden gjithashtu edhe krevate të përshtatshme për gjumin e fëmijëve. Shërbimet që synojnë të tërheqin klientelën në moshë të re janë sidomos ato që bazohen te sporti, si për shembull, futbolli në rërë dhe te teknologjia, si lidhjet me internet, porositë me anë të një SMS-je apo lojërat e ndryshme me kompjuter. Përveç sporteve klasike në rërë, gjithmonë e më të kërkuara janë disiplinat e reja të sportit si: sërfi, uind sërfi, ecja nordike dhe lloje të tjera sportesh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama