Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk njoftoi sot se liderët e Eurozonës kanë arritur një marrëveshje për Greqinë. "Eurosamiti ka arritur unanimisht një marrëveshje. Të gjithë gati për programin e ESM (Mekanizmi i Emergjencës së Stabilitetit) për Greqinë, me reforma serioze dhe mbështetje financiare", shkroi Tusk në "Twitter".
Presidenti i KE-së, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe ai i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp për të folur mbi detajet e marrëveshjes. “Sot, ne kishim vetëm një objektiv. Të arrinim një marrëveshje. Pas 17 orësh, e kemi atë. Mendoj se dikush duhet të shkojë të flerë”, tha Tusk në nisje të fjalës. Më tej, Tusk deklaroi se e mirëpret "pozicionin konstruktiv" të Greqisë, i cili ka ndihmuar në rikthimin e besimit, por paralajmëroi se marrëveshja përmban "kushte strikte".
"Marrëveshja duhet të marrë miratimin e parlamenteve"
Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha se marrëveshja duhet të aprovohet në Parlamentin grek. Nëse Athina arrin ta bëjë këtë të martën dhe të mërkurën, Eurogrupi mund të ketë një pamje më të qartë të mërkurën. Në vazhdim, 28 paralamentet e vendeve të BE-së do të japin aprovimin e tyre për programin e tretë të ndihmës. Më pas, do të fillojnë negociatat për programin e ri të ndihmës nga ESM, ku do të diskutohet edhe çështja e ristrukturimit të borxhit. Po ashtu, Dijsselbloem njoftoi më tej se asetet e Greqisë do të transferohen në një fond të ri, i cili do të kontribuojë në rikapitalizimin e fondit të ri. Mirëpo, ky fond do të vendoset në Athinë, jo në Luksemburg, ndryshe nga sa ishte parashikuar. Bisedimet për financimin e Greqisë do të fillojnë menjëherë, për ta ndihmuar vendin të shlyejë të gjitha pagesat e borxhit këtë verë.
"Nuk do të ketë 'Grexit'"
Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker siguroi se nuk do të ketë "Grexit". Jean-Claude Juncker, i pyetur sesi Aleksis Cipras do t'i çojë këto masa në parlament, duke marrë parasysh se ato u kundërvihen premtimeve me të cilat Syriza erdhi në pushtet, tha se është i bindur se parlamenti grek mund t'i aprovojë të gjitha masat ditën e sotme.
Si ndihet Brukseli për faktin se po akuzohet se ka lançuar një grusht shteti ndaj Greqisë?
Juncke: Thashë para referendumit se situata do të jetë më keq pas tij. Ky është një kompromis dhe nuk ka fitues dhe humbës. Është një marrëveshje tipike europiane.
Shefja e FMN-së, Christine Lagarde e quajti marrëveshjen një "hap të mirë për të rindërtuar besimin", transmeton "Bloomberg TV". Ndërsa Kancelari austriak, Walter Faymann paralajmëroi se do të jetë "tepër e vështirë të zbatohet kjo marrëveshje", por ajo do të ketë rezultate pozitive për kohezionin social grek.
Ministrat e Financave pritet të nisin bisedimet urgjente për të diskutuar për financimin e Greqisë. Greqia duhet t'i paguajë mbi 7 miliard dollarë BQE-së në Korrik dhe gusht para se të përfundojnë paratë e ndihmës.
Më herët, kryeministri i Maltës, Joseph Muscat konfirmoi në "Twitter" se liderët e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje për Greqinë. Edhe Kryeministri belg, Charles Michel ka postuar në profilin e tij, duke njoftuar se marrëveshja është arritur.
Marrëveshja u arrit mëngjesin e sotëm në Bruksel, pas një samiti maratonë, të nisur pasditen e djeshme. Tashmë, duhet të presim në vijim për të parë se çfarë kushtesh janë vendosur para Kryeminstrit grek, Aleksis Cipras.