Europa ne pellembe te dores

Europa, ne pellembe te dores
Spanja, Italia dhe Greqia. Sidomos këto do të jenë këtë verë propozimet e reja turistike për shqiptarët se ku mund të kalojnë pushimet. Me gjithë gamën e plazheve simbole të turizmit të tyre si; Palma De Majorka dhe Ibiza në Spanjë; Sardenja, Korsika, Iskia dhe Siçilia me ishujt e vegjël egjeanë në Itali apo Kreta, Rodos, Korfuz në Greqi etj.

Agjencitë turistike shqiptare kanë nisur t'i përgatisin paketat me të tilla propozime, në fakt, fill pas liberalizimit të vizave. Disa menaxherë të mençur të kësaj fushe i sajuan fët e fët edhe "top destinacionet" më të lakmuara të Europës elitare dhe të ëndërruara për vite të tëra nga shqiptarët.

"Janë vende jo të panjohura nga turisti elitar shqiptar, që organizohej në mënyrë individuale, por jo të njohura masivisht nga pjesa dërrmuese.", thotë menaxherja turistike e agjencisë "Globus", Etleva Fetahu.

Në BE, jashtë BE apo Shqipëri?

"Në tërësi Europa Perëndimore me destinacionet e saj ka një koncept të ndryshëm nga Antalia, deri tani më e parapëlqyera nga turistët shqiptarë të këtyre viteve të fundit", thotë administratori i agjencisë turistike "Albania Holiday, Kliton Gërxhani.

Sipas tij, në Antalia çdo gjë ofrohet all/incluse dhe për rrjedhojë ekziston më pak motiv për të dalë prej hotelit, por edhe të dalësh ke pak çfarë të shohësh dhe të bësh. "Ndërsa kudo rreth e qark në Europë gjen shumë histori, objekte muzeale, koncerte artistike, argëtim dhe këto vlejnë për ata që duan sidomos pushime aktive dhe jo pasive siç ofron Turqia apo ishuj ekzotikë si Maldive e Mauritius.", përforcon Gërxhani.

Dhe me një makinë ku ngarkon gjithçka apo të marrë me qira, mund të shëtitet ngado. Dhe janë gjithë destinacionet e sipërpërmendura joshëse europiano-mesdhetare plot me culture, histori dhe dëfrime aktuale që do të mbushin posterat e sezonit të ardhshëm veror në garë bashkë edhe me të përhershmet Antalia, Sharm El Sheik, Mali i Zi, Kroacia etj.

Por kush do ta fitojë garën, tani që garuesit janë shtuar edhe me pretendentë të fuqishëm? "Vitin e parë them se turistët shqiptarë do të jenë të çoroditur. Ndërsa turisti i të ardhmes do të kërkojë edhe det, edhe kulturë dhe histori. Dhe Antalia nuk ia ofron të gjitha këto. Ndaj them se këtë verë ndoshta ajo do të braktiset pak.", analizon Albana Nanaj.


"Ose do të bëjnë dy lloj pushimesh, një javë në Antalia dhe një javë në Europë. Por të rinjtë shqiptarë unë nuk i shoh tanimë në Antalia", shpjegon Kliton Gërxhani. Po Shqipëria? "Sa vjen dhe bëhet një konkurruese,e thyem jo thjesht për turizëm patriotik, por vendi ynë, pavarësisht defekteve në shërbimet turistike, ofron natyrë të mrekullueshme, gastronomi, mikpritje dhe pushime të ëmbla afër shtëpisë", thotë Gërxhani.

Spanja

"Globus" sugjeron Palma De Majorka, Ibiza
Çmimi:
Fillon nga 600 euro/njeri për 10 ditë

Mjeti i udhëtimit:
Charter

"Ne si agjenci 'Globus' më shumë do të propozojmë Spanjën këtë verë me Ibizën dhe Palma de Majorkën. Kushton më pak dhe ofron të gjitha shërbimet", thotë menaxherja Etleva Fetahu. Pasi as në Spanjë nuk mungojnë resortet ku ofrohen të gjitha shërbimet. Gjithashtu, plazhet në Spanjë nuk janë shumë larg qyteteve që ofrojnë kulturë, histori monumentale, etj. Por aty kanë mundësinë të kënaqen të gjithë. Jo vetëm të rinjtë me gjallërinë e jetës së natës dhe gjithë zbavitjet që ofron, por edhe familjarët. Pasi resortet japin gjithçka edhe për fëmijët apo për pushime të qeta pa shumë ecejake. Meqë bileta ajrore për në Spanjë është më e kushtueshme se sa ajo për në Antalia, pushimet në Spanjë dalin aty rrotull tek 100 euro më shumë/njeri. Afërsisht, pasi çmimet e sakta nuk kanë dalë ende të sakta dhe është duke u punuar për to.

Italia

"Albtravel Tirana" sugjeron Sardenjën
Çmimi:
Fillon nga 600euro/njeri për 10 ditë
Mjeti i udhëtimit:
Traget, makina familjare, autobuz.

Sidomos Sardenja, ishulli i pushimeve të lakmuara nga gjithë italianët, por jo vetëm ata, do të jetë ndër të parat dhe kryesoret ish "mollë të ndaluara" fqinje, që disa nga agjencitë tona do t'iu propozojnë shqiptarëve për ta shijuar në verën 2011. "Kuptohet, në paketat për Sardenjën nuk mund të ofrosh hotele me pesë yje si në Antalia, pasi Sardenja është më shtrenjtë, por të paktën ato me tre yje", sqaron Albana Nanaj, menaxhere e agjencisë turistike, "Albtravel Tirana", e sapokthyer nga një përvojë e gjatë në Itali me turizmin. Ajo, në vend të çarterit të kushtueshëm, iu propozon turistëve shqiptarë edhe udhëtimin me autobus apo makina familjare dhe kalimin drejt Sardenjës me traget dhe makinë si; Durrës-Bari-Romë-Sardenjë. Sipas Albanës, Sardenja është shumë e përshtatshme për familjarët në qershor dhe shtator. Pasi çmimet në këtë periudhë ofrohen më të ulëta; 600 euro/njeri për një javë dhe fëmijët nën 18 vjeç mund të përfshihen edhe falas.

Greqia

"Globus" sugjeron Kretën, Korfuzin, Rodosin
Çmimi:
Fillon nga 700euro/njeri për 10 ditë
Mjeti i udhëtimit:
Pritet vendosja e linjave ajrore direkte

Është çuditërisht më e shtrenjta e të gjithave, sipas menaxherëve shqiptarë të turizmit. "Pasi hotelet greke janë më të shtrenjta për shkak edhe të kërkesave të mëdha nga gjithë bota që ka për Greqinë në tërësi si destinacion", thotë Etleva Fetahu. E sidomos për ishujt grekë. Por një mangësi, sipas tyre, është se janë të paktë ato hotele që ofrojnë gjithë shërbimet all/incluse në Greqi. Megjithatë, agjencitë e udhëtimit në Shqipëri mbeten në pritje të vënies së shpejtë të linjave ajrore direkte në disa nga ishujt më të parapëlqyer dhe menjëherë do të përgatisin edhe paketat greke për këtë verë.

Sommario: Në vend të parë ofrohet këtë vit Spanja me simbolet e saj në turizëm si: Palma de Majorka dhe Ibiza. Vijon Italia me Sardenjën, Korsikën dhe Siçilinë. E Greqia me ishujt më të njohur të saj: Kreta, Korfuz, Rodos etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama