Për shkak të krizave të shumta që mbërthyen disa prej vendeve të Bashkimit Europian këtë vit, euro tregoi se është një monedhë ende e brishtë, aq sa u vu në pikëpyetje vetë mbijetesa e saj. Çekuilibrat e thellë mes “qendrës dhe periferisë”, vendet me ekonomi me të zhvilluar si Gjermania dhe ato më të varfra të Evropës jugore si Greqia, kanë përbërë gjithmonë sfida për monedhën e përbashkët europiane. “Krisjet”, të injorua gjatë viteve të arta, u shfaqën sërish pas recesionit ekonomik, duke i shtyrë shumë vende drejt falimentimit, pas “huave” për krizën e bankave, dhe bënë që kriza të kalonte nga institucionet financiare në ato politike. Si Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ashtu edhe Herman Van Rompuy, Presidenti i BE-së, bënë me dije se kriza përbënte një kërcënim ekzistencialist që mund të shembte Bashkimin Europian dhe t’i fuste Europës ankthin e vitit 1930, të rënies së shteteve dhe kaosit politik.
Greqia, vendi i BE-së që prej vitit 1982 dhe anëtar i Eurozonës, që pati gënjyer dy herë mbi gjendjen e saj financiare autoritetet e Bashkimit Europian dhe Bankën Qendrore Europiane, ishte e para që rrezikoi falimentimin dhe kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve. Gjithsesi, situata kishte qenë shqetësuese që në vitin 2009. Frika e kontaminimit dhe efekti domino për vendet e tjera të brishta të zonës euro, sidomos të ashtuquajturat PIGS: Portugali, Irlandë, Greqi dhe Spanjë, përbënin një shqetësim të madh. Me disa qetësime të vogla, sidomos gjatë pushimeve, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare ka qenë një karakteristikë e të gjithë vitit për Bashkimin Europian. Kjo situatë zgjati deri në maj, kur u bë e pashmangshme ndihma për Greqinë.
FMN-ja dhe BE-ja i akorduan asaj një paketë prej 110 miliardë eurosh për ta nxjerrë vendin nga kriza e fundosjes dhe për të qetësuar disi tregjet financiare mbi atë se çfarë mund t’i ndodhte euros. Por teksa Greqia qetësoj paksa, liderët e tjerë europianë, sidomos Kancelarja Angela Merkel, “dridhej” mbi atë që do i duhej të bënte. Për tre muaj, Kancelarja gjermane i rezistoi ndihmës për Greqinë, plotësisht e vetëdijshme se zgjedhësit e zemëruar gjermanë mund ta ndëshkonin atë në zgjedhjet vendore (dhe ashtu bënë), dhe se ndihma për Greqinë mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese të vendit të saj. Nicolas Sarkozy, i tmerruar se çrregullimi i tregjeve do të godiste Francën, kërcënoi se do të largohej nga zona euro, gjatë një takimi rreth krizës të zhvilluar në Bruksel në maj, derisa Merkeli ra dakord për krijimin e një fondi të ri të BE-së për të ndihmuar vendet e zonës euro që do të shfaqnin probleme. Takimi i ministrave të Financave më 9 maj çoi në krijimin e një fondi shpëtimi prej 440 miliardë eurosh me kontributin e të gjitha vendeve të Eurozonës, ndërsa një tjetër mekanizëm prej 60 miliardë eurosh përfshiu të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Mekanizmi, që përfshinte ndihmën britanike prej 7 miliardësh, ishte veprimi i fundit i marrë nga qeveria laburiste, një vendim që e bëri koalicionin fitues mes liberaldemokratëve dhe konservatorëve, të përballej me gjendjen e dobët të financave publike britanike. Fondet e shpëtimit, të krijuara në kundërshtim me ligjet e BE-së, sollën nevojën për modifikimin e Traktatit të Lisbonës. Deri në fund të tetorit, propozimet për modifikimin e traktatit, krijimi i një mekanizmi të ri të përhershëm shpëtimi pas vitit 2013, u arritën duke shpërthyer një valë të re lëkundjeje për tregjet, pasi Gjermania insistoi që investitorët privatë duhet të paguanin një pjesë të llogarisë. Sipas udhëheqësve të Bashkimit Europian, ky mekanizëm i përhershëm shpëtimi do të zëvendësonte sistemin e përkohshëm që u përdor në ndihmë të Greqisë. Por pas vendit helen, edhe Irlanda po kalonte një moment të vështirë krize financiare, nga e cila mund të dilte vetëm me ndihmën e ndërkombëtarëve.
Edhe pse Dublini e kishte të vështirë të pranonte kushtet për të marrë paketën që do t’i shpëtonte. Por, edhe ajo në fund të nëntorit u detyrua të pranonte ndihmën prej 72 miliardë eurosh, duke u zotuar se do të ndërmerrte masa të ashpra shkurtimesh në vend, sidomos në fushën sociale. Edhe për Belgjikën, ashtu si për euron, nuk ishte aspak një vit i lehtë. Zgjedhjet parlamentare në Belgjikë u fituan nga nacionalistët flamandë, që angazhohen për ndarjen e vendit duke e lënë Belgjikën për një kohë të gjatë pa qeveri.
E ndërsa institucionet politike luajtën një rol të madh në kohën e krizës, qeveritë e thuajse gjithë Europës u dënuan nga zgjedhësit me votat e tyre për ekstremistët e djathtë dhe partitë anti-emigrantëve. Në muajin prill, hungarezja Jobbik, një parti anti-rome dhe anti-semite, arriti të renditej e treta në zgjedhje, duke marrë më shumë vende në Parlament për ekstremin e djathë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Organizata më e madhe hebreje hungareze nënvizoi se, “kjo ishte hera e parë që një lëvizje që praktikon hapur politika anti-semite ka ndërmarrë një hap të tillë drejt pushtetit që nga koha naziste.
Edhe Partia e ekstremistit Geerd Wilders, në Holandë, i njohur për thirrjet e tij anti-emigrantëve dhe anti-myslimanëve arriti të renditej e treta në zgjedhjet e mbajtura në qershor në vend. Qeveria e re e koalicionit u formua dhe ja arriti qëllimit. Zgjedhjet suedeze në shtator nuk arritën të çonin në krijimin e një parlamenti, pasi Frederik Reinfeldt, një centrist i bazuar tek modeli i David Cameron, nuk arriti të fitojë, pavarësisht situatës së mirë dhe rritjes ekonomike të vendit. Rezultati më i keq për socialdemokratët që nga vitit 1914, arriti të çonte rreth 20 deputetë të ekstremit të djathtë në Parlament.
2010 ishte një vit jo i mirë edhe për myslimanët europianë, pasi liderët kryesorë si Presidenti Sarkozy dhe Kancelarja Merkel, të frikësuar nga suksesi i ekstremistëve në zgjedhje, u hodhën në sulm. Belgjika dhe Franca ndaluan burkën, dhe debati rreth identiteti kombëtar dhe Islamit u bënë shumë të nxehtë. Nga ana tjerët, romët të akuzuar si shkaktarët kryesorë të krimeve në Itali dhe Francë, u deportuan në vendet e tyre të lindjes, kryesisht Rumani dhe Bullgari gjatë këtij viti. Kjo situatë u bë shumë e mprehtë, pasi Franca u akuzua ashpër nga komisionarët europianë për të drejtat e njeriut.
Në fund, por jo për nga rëndësia, nuk mund të mos përmenden skandalet me drita të kuqe të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni i akuzuar për marrëdhënie seksuale me vajza të reja jo më shumë se 17 vjeç. Por pavarësisht akuzave për skandalet seksuale dhe korrupsionit, Kryeministri italian e përfundoi vitin duke arritur të fitojë vetëm me tre vota diferencë, mocionin e tij të mosbesimit në 14 dhjetor.