Europa shtyn Tiranen te negocioje perseri me Bakajn

Europa shtyn Tiranën të negociojë përsëri me Bakajn

Tirana ka nisur të mendojë seriozisht për Europën. Edhe pse konfirmimi zyrtar nga ana e UEFA-s nuk ka ardhur ende, klubi po bëhet gati për pjesëmarrjen në këtë kompeticion. Blindimi i kontingjentit do të jetë hapi i parë dhe më pas do nisin nga afrimet e reja.

bakaj

Koha nuk është se premton, kur dihet që në 30 qershor do të luhen ndeshjet e para. Ndaj, nëse vjen OK-i nga "qeveria" europiane e futbollit (vendim që do të jepet sipas të gjitha gjasave të hënën), bardheblutë duan që të kenë gati bazën për ekipin e sezonit të ri. Edhe pse Elis Bakaj mund të quhet i larguar (kur dihet që ai ka kërkuar zyrtarisht prishjen e marrëveshjes së rinovimit), nuk përjashtohet mundësia që ai të mbetet pjesë e Tiranës, të paktën për Europën.

Klubi do ta tentojë fantazistin dhe duke ditur raportet e mira mes palëve, ekziston mundësia që të ketë një pakt xhentëlmenësh vetëm për këto ndeshje. Megjithatë, sikundër dihet, prioriteti i bomberit është që të luajë jashtë vendit. Ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar, madje ajo e fundit nga Malajzia e ka tunduar ndjeshëm. Një shumë prej 300 mijë dollarësh për 1.5 vite vështirë se refuzohet, por vetë Bakaj është ende i pavendosur. Ndoshta largësia po e mban ende pezull.

bakaj

Edhe pse FC Perak ka gjithçka gati për të, sulmuesi ende nuk ka thënë "po". Sakaq, burime të sigurta pranë lojtarit tregojnë se ai ka edhe disa oferta të tjera, ndaj ka kërkuar kohë para se të ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Sakaq, një tjetër lojtar që Tirana po mundohet ta blindojë është Masato Fukui. Por pretendimet e japonezit kanë stepur ndjeshëm drejtuesit. Ai kërkon gati trefishimin e kontratës sezonale në terma financiarë, ndaj negociatat kanë mbetur pezull. Lojtari ka marrë një ofertë edhe nga Flamurtari, por ndoshta pjesëmarrja e mundshme e Tiranës në Ligën e Europës po e bën që të mendohet mirë para se të vendosë.

Adela Merko



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama