Bëhet fjalë për një projekt, që ka lidhje me nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe veçanërisht të atij kulturor në qytetin e gurtë. Projekti, kohëzgjatja e të cilit do të jetë dy javë, mbështetet nga zyra e “Packard” në Gjirokastër dhe dy organizata joqeveritare me qendër në Tiranë. Grupi i të rinjve i përbërë nga pjesëmarrës nga Serbia, Italia, Spanja, Polonia, Franca, Gjermania dhe Shqipëria po punojnë për restaurimin dhe rikthimin në identitet të disa prej rrugëve karakteristike, të cilat lidhin pjesë të ndryshme të qytetit me Kështjellën e gurtë. “Gjatë kësaj kohe të rinjtë evropianë do të realizojnë një sërë ndërhyrjesh restauruese, pastrimin dhe sistemimin e Kalasë së Gjirokastrës si dhe mjediseve rreth saj”, pohon përfaqësuesi i “Packard”, Sadi Petrela. Ndërkohë grupi i mysafirëve të rinj nga Evropa ka nisur të realizojë edhe një guidë të pasur turistike në qendrat historike, arkeologjike, arkitektonike dhe kulturore të zonës së Gjirokastrës.
“Krahas përmirësimit të pamjes së disa prej pikave të vizitueshme të qytetit “Shtegu turistik” ka si qëllim edhe promovimin e vlerave turistike të Gjirokastrës së UNESCO-s, njohjen e tyre nga këta vullnetarë të rinj, si dhe gjallërimin e zonës muzeale”, thotë koordinatori i projektit, Luiz Seiti. Në bazë të një programi të detajuar, të rinjtë vullnetarë do të realizojnë krijimin e “Shtegut turistik” që të çon në Kalanë e qytetit. “Nën këtë logo, vijon koordinatori Seiti, grupi i vullnetarëve të rinj ka nisur pastrojë dhe sistemojë të gjitha rrugët që të çojnë në Kalanë e gurtë duke i bërë ato të përshtatshme dhe të frekuentueshme nga vizitorët vendas dhe të huaj, që dëshirojnë të vizitojnë këtë simbol të Gjirokastrës”. Kontributi i të rinjve evropiane do të konsistojë edhe në pastrim dhe sistemimin e disa ambienteve të brendshme në një numër shtëpish karakteristike gjirokastrite si ajo e Zekatëve, etj. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve qëndrimi në qytetin e gurtë duket se Gjirokastra turistike po lë gjurmë të pashlyeshme për grupin e të rinjve nga Evropa. Banesat e gurta dhe komplekset karakteristike po krijojnë mbresa të veçanta tek të rinjtë evropianë. I riu gjerman Ulrike Schultz shpreh mbresa të veçanta për Gjirokastrën. “Mendoj se është një qytet shumë i bukur dhe me arkitekturë të veçantë, thotë ai. Edhe njerëzit këtu janë mikpritës”. Vlerat arkitektonike të Gjirokastrës kanë krijuar emocione edhe tek italiania Norma Molinarchi. “Është diçka e bukur që ne japim kontributin tonë për mbrojtjen e këtyre vlerave të papërsëritshme”, thotë ajo.
Marre nga : Revista Mapo