YLLI AGA
Tregonte ish-trajneri i Shqipërisë, Hans Peter Brigel. Vetëm pak muaj pasi RFGJ ishte shpallur kampione e Europës, shorti kishte përcaktuar se do të luanin në Tiranë përballë Kombëtares shqiptare.
Si zakonisht, një ditë përpara ndeshjes zyrtare, të besuarit e Jupp Derval do të duhej të bënim seancën e zakonshme stërvitore. Zbritja e gjermanëve në tapetin e blertë do të shoqërohej me ovacione të tifozëve që kishin mbushur tribunat. "Ishte një surprizë e madhe. Një stadium i tejmbushur dhe entuziazëm.
Diçka e pabesueshme për një skuadër kundërshtare. Kaq i befasuar isha sa i bëra një pyetje retorike njërit prej shokëve. Mos luhet sot ndeshja?", rrëfente Brigel.
Në fakt, ajo atmosferë ishte dëshmi e qartë e një dashurie të madhe për këtë sport, e etur për të parë gjigantët përballë kuqezinjve, të cilët riktheheshin në garat europiane pas një pezullimi absurd disavjeçar dhe në mënyrë ekskluzive një lidhje të fortë që tifozëria shqiptare kishte për Kombëtaren gjermane, që përjetonte një nga periudhat më të mira të historisë së saj.
Për shumë prej atyre që kishin zënë vend atë ditë në stadium, apo edhe një ditë më vonë në ndeshjen zyrtare, shumë nga futbollistët ishin kthyer në idhujt e tyre të rinj.
Europiani i vitit 1980 ishte ndjekur masivisht në vendin tonë, pas autorizimeve të shtuara për blerjen e TV dhe shtëpive me fat që e kishin një të tillë, do të duhej të ktheheshin në salla kinemash për të shpërndarë dashurinë për futbollin dhe kombëtaret e veçanta. Në atë periudhë gjermanët ishin në modë.
Sigurisht e gjitha kjo ishte një pjesës e një historie të gjatë që tifozëria shqiptare kishte pasur edhe më parë, dhe do të vijonte edhe për disa dekada me kompeticionet e mëdha europiane dhe botërore që ktheheshin në festa të vërteta kombëtare.
Koha e zhvillimit të tyre historikisht ka qenë nga më të paqtat dhe të gëzueshme deri në absurd, pasi shpesh kulmonin me paradat apo manifestimet e zhurmshme, shpesh me këmbë dhe së fundi me flamuj dhe bori makinash. Me shumë mundësi, i njëjti film nuk do të mungojë edhe gjatë ditëve të "EURO 2016", por me siguri për herë të parë nga periudha kur këto kompeticione transmetohen në vendin tonë, të gjitha skuadrat e preferuara të tifozërisë shqiptare do të kalojnë si zgjedhje të dyta.
Prezantimi për herë të parë i Kombëtares shqiptare pritet të hapë një epokë të re, pasi tanimë në krye të çdo axhende do të jetë dita, ora, qyteti, stadiumi, kundërshtari, arbitri i ndeshjes së kuqezinjve tanë.
Nga ky moment të gjithë yjet e kontinentit, çdo kombëtare, çdo futbollist, do të duken më tokësorë se kurrë, pasi projektorët, vëmendja, pritshmëria, ankthi, dashuria kanë vetëm një emër, Shqipërinë dhe secilin, veçmas futbollistët kuqezi.
Një atmosferë e tillë do të jetë në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në çdo qytet të shqiptarisë, në çdo skaj të botës ku ka shqiptarë, pasi, më në fund, Shqipëria e madhe, unike, e fortë dhe me ambasadorët më të mirë do ta prezantohen si të barabartë me rivalët europianë.
Dhe këtë moment historik do të duhet ta fiksojmë mirë në memorie, ta gdhendim në histori si gurin e themelit të asaj që duhet dhe meriton të jetë Shqipëria. Në aspektin sportiv, nuk ka dyshime se kuqezinjtë tanë konsiderohen kundërshtari i preferuar për gjithkënd.
Por nëse pranojmë teorinë për ngushtimin në maksimum të diferencave mes ekipeve kombëtare, për futbollistë të çdo përfaqësueseje që kanë si elementin më të vyer eksperiencën e fituar në kampionatet më të mira të kontinentit, drejtimin teknik, harmonizimin e lojës dhe veçanërisht dëshirën për të lënë gjurmë në këtë kompeticion, po kuqezinjtë tanë do të dinë të na përfaqësojmë denjësisht në "EURO 2016", në atë që meriton të quhet Europiani ynë.