Renditja
Sipas raportit në fjalë, e parafundit për nga varfëria, duke lënë pas vetëm Bosnjën, Shqipëria renditet e dyta, pas Maqedonisë, për çmimet më të lira, në një nivel me Bullgarinë. Zyra e BE-së për Statistikat publikoi Indekset e nivelit të çmimeve për mallrat e konsumit dhe shërbimeve gjatë vitit 2011, tek vendet anëtare dhe ato aspiruese të Unionit.
Çmimet
Lista kryesohet nga Danimarka, si vendi më i shtrenjtë me 142 %, ndërsa vendi më i lirë Maqedonia me 45 %, ku 100 % konsiderohet mesatarja e 27 vendeve të BE-së. Treguesit më të ulët në Shqipëri vërehen për kategoritë “Hotele e Restorante” dhe “Alkol e Duhan”, respektivisht 42 % dhe 50 % të mesatares europiane (BE27). Buka, mishi, bulmeti, fruta-perimet e pijet jo-alkoolike, rezultojnë më të shtrenjta, pasi indeksi i çmimeve në vend është 70% e mesatares europiane, për veshjet 72%, për biçikleta e automjete personale 98%, ndërsa pajisjet elektronike 108 %, pra mbi çmimet mesatare në BE.
Energjia
Pra referuar raportit vendi ynë konsiderohet si vend me çmime të larta sa i takon veshjeve, por edhe çmimit të energjisë elektrike. Shqiptarët, sipas të dhënave të Eurostat paguajnë një çmim më të lartë se thuajse të gjitha vendet e zhvilluara. Ne lëmë pas vetëm 7 vende nga 37. Çmime të kripura në krahasim me vendet e BE-së, shqiptarët paguajnë edhe për telekomunikacionin. Nga ana tjetër edhe pse Shqipëria është një nga dy vendet me të ardhurat më të pakta në Evropë, për disa shërbime dhe produkte çmimi nuk është më i ulëti në kontinent. Shqipëria është vendi i parafundit duke lënë pas vetëm Maqedoninë. Duhet nënvizuar se duke qenë se Maqedonia ka çmimet më të ulëta për ushqimin, pijet dhe duhanin, Shqipëria del si vendin me konsumin më të ulët.