Eurozona do ti paguaje Greqise 8.3 miliarde Euro

Eurozona do t'i paguaje Greqise 8.3 miliarde Euro

Ministrat e Financës të Eurozonës ranë dakord ditën e martë që t’i paguajnë Greqisë një paketë prej 8.3 miliardë Eurosh, duke shënuar fundin e betejës midis qeverisë së Athinës dhe kreditorëve të saj në raundin e fundit të reformave.

Si rezultat i marrëveshjes, e cila u aprovua në një takim në Athinë, si pjesë e presidencës gjashtë mujore të Greqisë në BE, Greqia do të marrë transhenë e parë prej 6.3 miliardë Eurosh në fund të muajit prill, e cila do të krijojë mundësinë e mbylljes së borxheve që arrijnë në vlerën 9.3 miliardë Euro. Dy pagesa të mëtejshme ndaj Greqisë, secila prej tyre në vlerën 1 miliard Euro do të bëhen në qershor dhe korrik.

Marrëveshja vjen pas më tepër se gjashtë muajsh, pasi zyrtarët e Trojkës filluan rishikimin e tyre në shtator. Por misioni i rishikimit, i katërti i programit grek, u fut në një qorrsokak pas dështimit të Trojkës për të firmosur një marrëveshje me qeverinë greke në raundin tjetër të reformave të tregut të punës dhe reduktimit të shpenzimeve.

Ministri danez Jeroen Dijsselbloem, i cili kryesoi takimin e tetëmbëdhjetë ministrave të financës së bllokut, tha se marrëveshja do të siguronte që Greqia nuk do të kishte probleme me monedhën gjatë gjithë vitit 2014.

“Programi do të vazhdojë deri në fund të këtij viti dhe ne do të vendosim në fund të vitit nëse ndihma të mëtejshme do të jenë të nevojshme,” tha ai.

Ndërsa ministri grek i financës, Yannis Stournaras beson se Athina do të shmangë paketën e tretë të ndihmës dhe tregoi se planifikon të zgjerojë tregun e obligacioneve duke shitur 1.5 deri në 2 miliardë Euro obligacione në muajt vijues.

Ka shenja të shumta se Greqia do të jetë e aftë ta rifinancojë veten në tregje. Nivelet e interesit të obligacioneve qeveritare kanë rënë me 6.5%, nga 30% që ishin dy vite më parë. Pas gjashtë vitesh recensioni, pritet që ekonomia e Greqisë të rritet me 0.6% këtë vit. Komisioni Europian parashikon një nivel rritjeje prej 2.9% në vitin 2015.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama