Duket se stina e verës është mjaft e ngarkuar për "Miss Mendes", e cila është zgjedhur nga marka "Calvin Klein" si imazhi i veshjeve intime "Seductive Comfort" dhe parfumit të ri "Secret Obsession". Një pasion ai për CK, që nis vite më parë... duke filluar që nga dhëmbët e Kate Moss. "Isha në tetëvjeçare kur u shfaq reklama e veshjeve intime me Moss dhe Mark Wahlberg, që asokohe të gjithë e thërrisnim Marky Mark. Kate ishte modelja tipike amerikane, bionde me sy blu. Në fakt Moss ishte angleze me sy të vegjël dhe më kryesoja nuk kishte dhëmbë të përsosur. Mua, që në atë kohë, të gjithë më thërrisnin ‘Bugs Bunny‘ për shkak të dhëmbëve të dalë, fillova ta shihja Kate Moss si një mit. Pas tre vitesh takova Francisco Costa (dizajnuesi Calvin Klein) në një eveniment në "Whitney Museum" ku dhe e pëlqyem njëri-tjetrin, ndoshta për lidhjen latine: ai brazilian, unë kubane. Pas këtij takimi lindi edhe ideja e këtij bashkëpunimi". Përveç sukseseve të marketingut, Eva është edhe një autore mjaft e spikatur. Duket kaq e largët dita e debutimit me videon "Hole in my soul" të Aerosmith dhe disa shfaqjeve të tjera të vogla, para rolit në filmin "Training Day" përkrah Denzel Washington: një skenë nudo, një interpretim i mrekullueshëm së bashku me një mit të kinemasë amerikane, kështu lindi një yll i ri.
Will Smith, që kishte bashkëpunuar me të në një klip, zbuloi anën e saj komike në filmin "Hitch" (një sukses i madh botëror). Pas këtij suksesi, interpretoi sërish përkrah Denzel në filmin "Out of Time", më pas me Nicolas Cage në filmin e regjisorit Marvel Comics, "Ghost Rider", dhe së fundmi "We own the night", me Joaquin Phoenix dhe Robert Duvall.
Për një kohë shumë të shkurtër, Eva u bë një artiste e kompletuar dhe mjaft e kërkuar nga aktorë të famshëm, të cilët e dëshirojnë përkrah tyre, jo vetëm për pamjen fizike, por edhe për sensin e hollë të humorit. "Nuk më intereson të jem protagonistja e një filmi nëse punoj me aktorë të mëdhenj protagonistë, nga të cilët vetëm mund të mësoj", tregon Eva. "Edhe një film aksion, ku dialogët nuk janë aq të rëndësishëm, nëse regjisori është i zoti, siç është John Singleton në filmin "2 Fast 2 Furious, krijohet mundësia për të bërë gjëra jashtë normales, për shembull të vraposh, të hidhesh, të qëllosh apo të ngasësh një makinë me shpejtësi të paimagjinueshme, gjithçka në të njëjtën skenë. Kështu filmi bëhet një sfidë. Angazhimi im i fundit? Një punë e drejtuar nga Frank Miller, ideatori i "Iron Man", titullohet "The Spirit" dhe unë interpretoj rolin e një hajduteje bizhuterish, e cila është martuar dhe ndarë 15 herë".
Do të duhej një gazetë e tërë për të folur për Evën dhe dashuritë e saj, por nuk kemi dëshirë të merremi me thashetheme. Kështu le të kthehemi pas në vite, në kohën kur prindërit e saj emigruan në Kubë. E lindur në Teksas dhe e rritur Majami, pas divorcit të prindërve zgjodhi të jetonte me nënën dhe tre vëllezërit në ‘Echo Park‘, një lagje shumë e varfër e Los Anxhelosit. Ajo tregon se arritja dhe gëzimi më i madh ishte kur i bleu së ëmës një shtëpi, me paratë e fituara nga puna. Evës i pëlqen stili i aktoreve të viteve ‘70, edhe pse trukimi ishte paksa i ekzagjeruar: luku, flokët me forma, beli i ngushtë, mosekspozimi i gjoksit. Më pas vjen pazari: "Më pëlqen thjeshtësia, dua të ndihem mirë me gjithçka që vesh, por pa hequr dorë nga të qenit seksi. Nëse do të më takoni nëpër rrugët e Los Anxhelos, me mikeshat e mia, në dyqanin tim të preferuar (‘Amoeba Records‘, ndërkohë që blej CD ose DVD) apo thjesht duke shëtitur për të kaluar kohën, mund të jem e veshur shumë thjesht, por diçka është e sigurt: në këmbë do të kem patjetër taka të larta. Më hiqni gjithçka, por ju lutem jo takat".
Nga : Gazeta Shqip