Çfarë kanë të përbashkët Luiza Xhuvani dhe Eva Alikaj? Luajnë me të njëjtin partner, aktorin Ndriçim Xhepa. Kanë një sërë rolesh me të në ekran dhe në skenë. Sa për kujtesë, Alikaj-Xhepa janë shfaqur bashkë tek filmat "Treni niset në shtatë pa pesë" dhe "Përdhunuesit" të dy filma të S. Pecanit, dhe tek "Hije që mbeten pas". Në teatër tek "Romeo e Xhuljeta" dhe "Ylli pa emër".
Xhuvani-Xhepa janë parë tek "Unë e dua erën", "I dashur armik", dhe në teatër pak më dendur: "Pulëbardha", "Pak më afër", "Kapitulli i dytë", "Korbi i bardhë". Pritej që dy të fundit të rishfaqeshin në rolet e bashkëshortëve në krizë identiteti, Marta dhe Xhorxh, në dramën e Eduard Olbit "Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf".
Por është Alikaj ajo që jo vetëm është parë si kandidatura më e mirë e mundshme, po edhe ka bërë që regjisori Kushtrim Bekteshi nga Maqedonia më në fund të marrë frymë lirisht dhe të fillojë, me pak vonesë, punën për premierën e veprës së Olbit që në 4 dekada, prej Amerikës, ka bërë xhiron e skenave të botës.
Dhjetë ditë përpara kur regjisori duhej të fillonte provat e tavolinës, është ndodhur para një të papriture. Aktorja që duhej të luante Martën, Luiza Xhuvani u tërhoq. Xhuvani fitoi mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për shkak të angazhimit në Partinë Socialiste dhe përfaqësimit të saj në parlament (kur opozita të hyjë aty), do të rrijë jashtë aktrimit për një kohë.
Tani Bekteshi e ka zgjidhur hallin. Teatri Kombëtar njoftoi dje se Eva Alikaj ka marrë rolin e Xhuvanit. Ajo ka ardhur nga Vjena para dy netësh, është ulur në tavolinën e punës, edhe pse, siç thonë burimet, nuk është nënëshkruar akoma një marrëveshje mes Teatrit Kombëtar dhe aktores që jeton në Austri.
Alikaj është një nga katër personazhet e dramës e cila pritet ta ketë premierën në fillim të tetorit, por programi i sezonit të ardhshëm do të njoftohet shumë shpejt nga TK.
Ajo është Marta një grua tek të pesëdhjetat, që ka një pushtet të komplikuar mbi të shoqin, Xhorxhin, rol që i është besuar Xhepës. Përkrah tyre janë një çift më i ri, Hani (Eftjola Laçka) dhe Niku (Helidon Fino).
Roli i Alikajt duket i vështirë. Ajo është një grua që nuk ka kaluar asnjë udhëkryq në jetë, dhe pikërisht tani kur i kanë ikur duarsh gjëra thelbësore që koha i merr me vete bashkë me moshën, është e kapur në rrjetën e hiçit dhe të gënjeshtrës bashkëshortore, dhe të vërtetat e tyre i përballon me arrogancë.
"Ëho's Afraid of Virginia Ëoolf" u shkrua nga dramaturgu amerikan Edëard Albee në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur bota pas epokës së pasluftës u përfshi më në fund në një diskutimin civil, që i takonte një teme jo më pak të rëndësishme se lufta, mbi "seksin e dytë".
Drama është shqipëruar nga Gjergj Peçi. Refreni që do të këndojë Marta e Eva Alikajt është: "Kush ka frikë nga Virginia Ëoolf/ Virginia Ëoolf/ Virginia Ëoolf" dhe fjala është për një nga figurat qendrore të letërsisë së shekullit të njëzetë, shkrimtarja angleze e cila 80 vjet përpara analizonte statusin e gruas në shekuj dhe në shekullin e modern, pozitën e saj sociale, familjare, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë.
Ndoshta ky është roli më i rëndësishëm në teatër që Alikaj ka marrë përsipër deri tani.
Eva Alikaj është lindur në Tiranë më 1961.
Në moshën 21-vjeçare, u shpall Aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, në filmin "Njeriu i mirë" (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe hyri në Teatrin Kombëtar ku prezantohet me rolin e Xhulietës në tragjedinë "Romeo e Xhulieta" të Shekspirit.
Vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime. Me rolin e Lindës tek "Shirat e vjeshtës" (1984) ajo merr Medalionin e Festivalit VI, për Etlevën tek "Treni niset në shtatë pa pesë" (1988) vlerësohet me Çmimin e Dytë.
Role të tjerë janë Ilona në "Botë e padukshme" (1987), Ana në "Jeta në duart e tjetrit" (1990), Evgjenia në "I paharruari" (1984), Drita në "Vendimi" (1984), Irena në "Hije që mbeten pas" (1985), Edlira në "Stolat në park" (1988). Ajo është bërë popullore për rolin komik të Elsës në komedinë "Pallati 176".
Për ehrë të fundit është shfaqur në skenën e Teatrit Kombëtar me muzikanlin "Sot në mbrëmje: Lola Blau" G.Kraisler, ku ishte regjisore, aktore, këngëtare, skenografe dhe kostumografe dhe për këtë u vlerësua me Çmimin "KULT 2008" si aktorja më e mirë e vitit.
Ardhja e saj gjithmonë shoqërohet me një kërshëri dhe shpresohet që ajo të japë atë që nuk ka mundur ta japë diku prej rrethanave, diku tjetër për arsye që i takon të mos i thotë. Qysh prej vitit 1991 jeton në Austri.
Gazeta Shekulli