Evgeny Kaspersky Kam frike se rrjeti shume shpejt do te shnderrohet ne nje zone lufte

Evgeny Kaspersky: Kam frike se rrjeti shume shpejt do te shnderrohet ne nje zone lufte
Evgeni Kaspersky është një nga gjuetarët më të mëdhenj të viruseve të internetit dhe një nga biznesmenët më të fuqishëm në fushën e teknologjisë së informacionit. Në një intervistë, ai diskuton në lidhje me sulmet e fundit të hakersave ndaj shumë kombeve të mëdha dhe njerëzve shumë profesionistë që qëndrojnë pas virusit Stuxnet dhe frikës së shpërthimit të një dhune kibernetike.

Kur ka qenë hera e fundit për ju në rolin e një viktime të një virusi?

Së fundi kompjuteri im është infektuar dy herë. Kur dikush më dha fleshin tim në një konferencë, ai ishte i infektuar me një virus, por më pas programi ynë më ndihmoi që ta ndreqja. Herën e dytë uebsajti në një hotel në Qipro ishte i infektuar. Janë gjëra që mund t’i ndodhin gjithkujt, pavarësisht se sa i kujdesshëm mund të tregohesh. Unë kam nevojë për mbrojtje si gjithë të tjerët. Në fund të të fundit edhe një specialist në çështjet e sëmundjeve të transmetuara seksualisht ka nevojë gjithmonë për një mbrojtje të prezervativëve.

Virologët ndonjëherë entuziazmohen në lidhje me perfeksionin vrasës të viruseve të cilat studiojnë. A ndodh kjo edhe me ju, pra që të entuziazmoheni me teknologjinë e viruseve kompjuterike?

Sa më i sofistikuar që të jetë virusi aq më e vështirë dhe më eksituese është çarja e algoritmit të tij. Jam i lumtur sigurisht kur ia dal mbanë një sipërmarrjeje të tillë. Epo mirë ndonjëherë ka të bëjë edhe me respektin profesional, por nuk ka të bëjë aspak me atë që ju e quani “entuziazëm”. Çdo virus është një krim. Hakersat bëjnë gjëra të këqija. Unë nuk do të merrja kurrë një të tillë.

Ju dhe kompania juaj jeni në njëfarë mënyre fituesit e një epoke të re në çështjet e një lufte të re që ka nisur.

Nuk mendoj kështu, sepse kjo luftë nuk mund të ketë fitues, por vetëm viktima dhe grabitqarë. Gjithçka që ne mund të bëjmë për të parandaluar është që të përpiqemi që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit. Vetëm dy gjëra mund të zgjidhin gjërat për mirë dhe të dyja janë të padëshirueshme: ndalimi i kompjuterëve ose ai i njerëzve.

Edhe pse kompania juaj “KASPERSKY Lab” tani ka 2000 vetë të punësuar është një biznes i vogël krahasuar me krijuesit e programeve antivirusë si McAfee dhe Symantec. A mund të krahasoheni dhe të mateni me ta?

Ne sigurisht që jemi duke u përpjekur për një gjë të tillë. Rusia është avantazhi ynë kompetitiv më i rëndësishëm. Moska nxjerr programuesit më të mirë në botë. Në Rusi ka shumë universitete jashtëzakonisht të mira nga pikëpamja teknike.

Ju dikur jeni trajnuar si kriptolog nga KGB. A ua ka vështirësuar një gjë e tillë ekspansionin në Perëndim?

Jo, por fakti që jemi një kompani me rrënjët ruse ka pasur ndikimin e vet. Ne me raste përballemi me një lloj dyshimi. Megjithatë, tani jemi numri 1 në Gjermani dhe jemi duke u përhapur shumë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi klientë edhe te NATO.

Cilët janë aty klientët tuaj?

Një ministër Mbrojtjeje. Unë nuk do të mund të jap emrin e vendit.

Nga cilat vende vijnë më shumë viruset?

Është e vështirë që të thuhet, sepse viruset, për fat të keq nuk kanë “pasaportë”. Por të paktën mund të identifikojmë gjuhën fillestare dhe atë të momentit që krijuesi i virusit nis komunikimin dhe jep komandën.

Programet ruse nuk merren vetëm me gjëra të mira. Besoj se rusët merren edhe me viruse?

Bazuar në numrin e viruseve të programuar ne jemi në vendin e tretë në botë pas Kinës dhe Amerikës Latine. Për fat të keq rusët janë gjithashtu ndër kriminelët më të sofistikuar të hapësirave të rrjetit. Së fundi kanë shpikur viruse shumë komplekse dhe bëjnë me porosi programe të posaçme. Ata pastrojnë para përmes internetit. Megjithatë, numri më i madh i programeve të dëmshme shkruhet në kinezisht. Kjo do të thotë se ata mund të vijnë direkt nga Kina, por edhe nga Singapori, Malajzia dhe madje edhe Kalifornia ku ka hakersa që flasin gjuhën mandarine.

Shumë e çuditshme është që një numër shumë i vogël virusesh vjen nga India edhe pse ai është një nga vendet me potencialin më të madh të specialistëve të teknologjisë në botë?

Në përgjithësi, niveli i krimit në Indi është i vogël. Ka shumë mundësi që të jetë çështje e mentalitetit. India dhe Kina kanë pothuajse të njëjtin numër popullsie, të njëjtën dendësi për sa u përket kompjuterëve dhe standarde të ngjashme jetese, si dhe rrënjë të njëjta feje. Por Kina lëshon shumë më tepër viruse.

Përse Rusia është duke prodhuar disa nga hakersat më të rrezikshëm, por ka shumë pak kompani me shtrirje botërore si kompania juaj?

Është e vërtetë që ka pak, por unë shoh një problem bazë. Në Rusi niveli i trajnimit teknik ka qenë tradicionalisht i lartë dhe është përcjellë nga mësuesit te studentët për breza të tërë, por nuk ka ndërkohë profesorë që dinë se si të ndërtojnë një biznes,  sepse përgjatë dhjetëvjeçarëve të komunizmit ne jemi mësuar të ndërtojmë një lloj tjetër ekonomie dhe biznesi tipik amerikan nuk ka qenë kurrë në fokusin tonë. Pjesa më e madhe e liderëve të biznesit sot kanë lindur dhe janë shkolluar gjatë epokës komuniste dhe shpesh edhe ata kanë një lloj reminishence të viteve të së shkuarës. Kur rusët bëjnë biznes zakonisht e kufizojnë veten me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, sepse me ta ndihem më komod, sepse janë njerëz që e flasin gjuhën e tyre dhe e kuptojnë kulturën. Shpresoj të shoh një gjeneratë të re që nuk ka më frikë për kulturat e tjera dhe që flet frëngjisht.

Motori i kërkimit rus në internet Yandex së fundi grumbulloi 1.3 miliardë dollarë në ofertën fillestare publike në Nju Jork që ishte shifra më e lartë IOP në industri që nga rasti i Google

Që është në fakt një sinjal shumë i rëndësishëm për shumë njerëz në Rusi. Një kompani ruse ka treguar se mund të jetë e suksesshme me fuqinë e trurit të saj dhe jo vetëm me burimet natyrore te të cilat vazhdojmë që të mbështetemi. Ka pasur një ëndërr amerikane dhe tani ka një ëndërr ruse dhe ëndrra ruse është që të fitojmë para pa gaz dhe naftë.

Ju dikur e keni përshkruar veten tuaj si një person paranojak në ekstrem. Cili mendoni se është problemi më i madh që mund të shkaktojë ndonjëherë një virus kompjuterësh?

Në epokën sovjetike ne kishim një barsoletë që thoshte se një njeri optimist mëson anglisht, sepse ai shpreson që vendi dikur do të hapet ndaj Perëndimit dhe se një pesimist mëson kinezisht, sepse ka frikë se kinezët një ditë, herët ose vonë do të na pushtojnë, ndërsa një realist mëson që të përdorë kallashnikovin. Këto ditë ndërkohë një optimist mëson kinezisht dhe një pesimist arabisht.

Po realisti?

Ah, ai vazhdon që të bëjë praktikë me kallashnikovin. E kam seriozisht. Edhe amerikanët tani janë duke deklaruar haptazi se do t’i kundërpërgjigjen me një sulm në shkallë të gjerë ushtarak sulmit që mund t’u vijë nga interneti. Por çfarë do të bëjnë ata në rast se një sulm i tillë në internet do të nisë drejt tyre jo nga ndonjë vend tjetër, por nga brenda territorit të tyre. Gjithçka varet nga kompjuterët në ditë e sotme: që nga furnizimi me energji elektrike, tek avionët dhe te gjëra të dorës së dytë, por të rëndësishme gjithashtu. Unë kam frikë se rrjeti shumë shpejt do të bëhet një zonë lufte, një platformë për sulme profesionale apo sulme kritike që kanë të bëjnë me infrastrukturën.

Kur do të ndodhë një gjë e tillë?

Një gjë e tillë ka ndodhur tashmë.

Djali juaj, Ivan, së fundi u grabit nga një bandë, por u lirua më pas i padëmtuar. Sa e rrezikshme është që të jesh i pasur në Rusi?

Është shumë e rrezikshme. Shumë më e rrezikshme se në shumë vende të tjera të zhvilluara. Fëmijët e biznesmenëve të suksesshëm bëhen shpesh pre e grupeve terroriste.

Biri juaj studion matematikë dhe punon edhe si programues. Mendoni se do ta trashëgojë një ditë kompaninë tuaj?

Nëse do të jetë i mirë mendoj se po.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama