Kush ishte Evliya Celebi dhe përse vepra e tij vazhdon të jetë kaq e rëndësishme pas katërqind vjetësh? Çfarë vendi kemi ne shqiptarët në veprën e tij? Këto pyetje lindin natyrshëm, pasi kemi parë shpesh herë të citohet emri i tij në librat mbi botën osmane.
Evliya Celebi lindi në vitin 1611 në Stamboll në një familje, e cila kishte marrëdhënie të ngushta me oborrin mbretëror. I ati ishte një prej argjendarëve të oborrit, ndërsa e ëma ishte një kushërirë e largët e vezirit të madh Melek Ahmed Pasha. Duke qenë se vinte nga një familje e pasur, ai merr arsimimin më të mire të mundshëm në atë kohe, në shkenca dhe art islamik e osman, veçanërisht në recitimin e kuranit dhe në muzike. Folës i shumë gjuhëve të huaja e besimtar i flaktë, Evliya Celebi përfaqëson intelektualin tipik stambollien të kohës së vet.
Celebi konsideronte fatin e tij si udhëtar rrjedhoje të një profecie të thënë në momentin e lindjes. Ai përshkruan se si në ditën e lindjes, pas kryerjes së riteve fetare prej dervishëve të oborrit, kryedervishi ngre në krahë dhe hedh fëmijën e sapolindur në ajër duke thënë; “… le të fluturojë ky fëmijë si një balonë mbi këtë tokë…”.
Me kalimin e viteve, dëshira për udhëtim bëhet gjithmonë e më e fortë teksa Evliya rritet. Në vitin 1631, ai flet për domosdoshmërinë për t’u nisur në udhëtim. Ai dëshiron t’i shpëtoje presionit të familjes, të prindërve, të mësuesve të vet dhe të përshkojë botën. Miqtë më të afërt ishin dervishë “me zemra të plagosura” – siç i quan ai, me të cilët bisedonte për vende të largëta ku çdo gjë ishte kaq ndryshe nga Stambolli. Sa më shumë i dëgjonte tregimet e tyre e aq më shumë dëshira e flaktë, për t’u nisur në udhëtim, i digjte shpirtin. Në dëshpërim e sipër ai thotë; “A do të më jepet ndonjëherë mundësia për të parë tokat e shenjta të Egjiptit dhe Damaskut, Mekën e Medinën, të puth kopshtin e banuar nga Profeti ynë i lavdishëm Muhamed”? Udhëtimi i pushtonte mendjen dhe zemrën në çdo moment. Në një paragraf ai përshkruan një ëndërr të parë në njëzet vjetorin e lindjes se vet, në të cilën i shfaqet Profeti. Atëherë Evliya bën një lapsus dhe i kërkon atij “seyahat” – udhëtim, në vend të faljes- “şeƒăat”. Profeti ia jep të dyja, plus “ziyraet” – nderin e të vizituarit varret e shenjtorëve.
Në rininë e hershme, ai tërheq vëmendjen e sulltanit më zërin e bukur dhe aftësinë për të recituar. Siç shkruan ai vetë, në vitin 1636, sulltani i madh, Muradi IV, e thërret për ta pyetur për sa orë arrin të recitojë të gjithë kuranin. Evliya i ri i përgjigjet se mund ta recitojë të gjithin për 7 orë, por për të qenë i saktë do ta recitojë për 8 orë. Që prej këtij momenti, sulltani e merr pranë për ta bërë nëpunës së oborrit. Shoqërues i pashallarëve në misione administrative, Evliya do të vizitojë pjesën më të madhe të qyteteve të Perandorisë Osmane. Ai u shërben eprorëve të vet si recitues i kuranit, tregues historish, thërritës në lutje, mbledhës taksash ose zëdhënës. Udhëtimi i tij fillon në provincat turke të perandorisë dhe përfundon në Egjipt. Gjatë 42 vjetëve, Evliya Celebi do të vizitojë Azinë e Vogël, Lindjen e Mesme, vendet përreth Gjirit Persik, Luginën e Nilit, Rusinë e Ballkanin, si dhe vende europiane si Austrinë, Hungarinë, Francën e Napolin. Në një moment të caktuar, ai e përshkruan karrierën e vet si udhëtim “Seyahatname” dhe vendos të mbledhë përshkrimet e këtij udhëtimi në një seri librash më po të njëjtin titull.
Për ironi të fatit, Evliya Celebi vdes në Kajro, në ditët që ndoqën humbjen katastrofike të ushtrisë osmane në rrethimin e Vjenës 1683, duke lënë si trashëgimi një vepër që dëshmonte shkëlqimin e një perandorie në rënie e sipër.
Libri i udhëtimit
Siç e tregon dhe emri “Seyahatname” – udhëtim, është para se gjithash një libër udhëtimi. Ai konsiderohet si libri më i gjatë dhe më i plotë në llojin e vet, në Perandorinë Osmane dhe ndoshta në botë. “Seyahatname” përfshin trilogjinë e famshme për çdo udhëtar; udhëtimin si argëtim dhe pasurim të dijeve, pelegrinazhin si mënyrë për t’ju afruar më shumë Zotit dhe njëkohësisht detyrën e tij si nëpunës i administratës. I shkruar në mënyrë të ndërgjegjshme si i tillë, ky libër është i mbushur me përshkrime të hollësishme mbi natyrën e vendeve që përshkon, qytetet organizimin urban dhe arkitekturën e ndërtesave, gjuhët e popujve që takon dhe karakteristikat e tyre.
Vepra e tij ka një rëndësi të veçantë, sepse ajo nuk përmban vetëm përshkrim të thjeshtë të elementëve që autori has gjatë rrugëtimit, por jep informacione të rëndësishme mbi historinë dhe organizimin shtetëror të perandorisë osmane dhe të vendeve të tjera, si dhe pikëpamjen personale të autorit.
Seyahatname është mjaft e rëndësishme edhe në kuadrin e informacioneve që jep mbi gjuhët dhe dialektet e vendeve të ndryshme. Autori flet për leksikun e këtyre gjuhëve, formën e tyre, sintaksën, si dhe përshkruan shqiptimin e tingujve.
Besimet fetare dhe organizimi i tyre nuk mund t’i shpëtonin syrit të një besimtari të flaktë, siç ishte Evliya Celebi. Duke kaluar në Shqipëri, ai do të shkruajë për përhapjen e islamizmit, ende në faza fillestare, si dhe për tyrbet dhe vendet e konsideruara si të shenjta prej besimtarëve bektashinj.
Përshkrimet e tij mbi organizimin urban, hapësirat e gjelbra, menaxhimin e ujit, formacionet mbrojtëse dhe arkitekturën e ndërtesave janë informacione të vyera për historinë e arkitekturës. Machiel Kiel, autori i librit “Arkitektura Osmane në Shqipëri”, shkruan se vepra e Celebisë është shumë e pasur dhe e vlerësueshme dhe ajo duhet të merret në konsideratë, veçanërisht për sa i përket arkitekturës fetare myslimane dhe ndërtimeve osmane. Ndërtesat e besimeve të tjera, ai i fut zakonisht në të njëjtin grup duke shfaqur kështu paragjykimet apo klishetë e kohës.
Për sa i përket çështjeve ekonomike, autori na përcjell përshkrime mjaft interesante mbi organizimin e urdhrave të esnafeve, marrëdhëniet tregtare, dhe aktivitetet ekonomike të popujve të ndryshëm. Në rolin e antropologut, por dhe të historianit Celebi na ofron një libër, i cili mund të mos ketë saktësi shkencore, por është gjithsesi një minierë ari për studiues së fushave të ndryshme, të cilët, shpesh herë, e kanë analizuar pjesërisht për të nxjerrë të dhëna të vlefshme për çështjet që u interesonin.
Në veprën e tij prej dhjetë volumesh, Shqipëria përmendet në volumin e tetë ku ndër të tjera ai flet dhe për Greqinë, Stambollin dhe betejën e Kandias në Kretë ku ai mori pjesë. Në trojet shqiptare ai përmend qytetet: Gjirokastër, Avlonya – Vlorë, Elbastan – Elbasan, Preveze, Tiranë, Üsküp – Shkup, Daraç – Durrës, Lesh – Lezhë, Manastir, Mitrovicë e Piristinë – Prishtinë etj., në të cilët udhëton nga viti 1660 deri në 1670. Në përshkrimin e çdo qyteti autori rendit informacionet pak a shumë në të njëjtën mënyrë, duke filluar me historinë dhe organizimin administrativ, shqiptimin e emrit të qytetit në gjuhë të ndryshme dhe etimologjinë e tyre, pozicionin gjeografik për të vazhduar me përshkrimin e topografisë, të shtëpive, xhamive medreseve, haneve, banjave dhe burimet e ujit. Me pas, ai flet për besimin fetar të banoreve, strukturat shoqërore për të vazhduar me mënyrat e veshjeve, shëndetin e tyre deri dhe për mënyrat e varrosjet e të vdekurve. Përshkrimet e trojeve shqiptare të shekullit të XVII janë të rralla. Autorë të tjerë që kanë shkruar mbi Shqipërinë e kësaj periudhe janë të pakët dhe japin informacion jo të plotë. Për këtë arsye volumi mbi Shqipërinë i Evliya Celebisë përbën një vepër shumë të rëndësishme që e nxjerr vendin tonë nga statusi i “terra icognita”. Ky volum është përkthyer dhe interpretuar prej Robert Dankoff dhe Robert Elsie në librin “Evliya Celebi në Shqipëri dhe viset e afërta; Kosova, Mali i Zi dhe Ohri”
Bibliografi
Robert Dankoff: An Ottoman Mentality. The World of Evliya Çelebi. Leiden: E.J. Brill, 2004.
Robert Dankoff: An Ottoman Mentality. The World of Evliya Çelebi, recensé par Fréderic Hitzel