Evropa ngjarjet qe bene 2008-en

Evropa, ngjarjet që bënë 2008-ën
2008-a ishte një vit i turbullt për Evropën, pasi një seri kri zash që pasuan njëratjetrën sollën ndryshime dhe ripërcaktime të hartës politike. Kështu, ndër ngjarjet që ia vlen të shënohen janë konflikti në Kaukaz, që në njëfarë mënyre u qetësua nga ndërhyrja e Presidentit të Francës, Sarkozi, që kryesoi 6- mujorin e dytë të BE-së. Por, ndërsa në Kaukaz dëgjoheshin të shtëna, në Bruksel u ndjenë të çarat e para mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera që janë në varësi të gazit e naftës ruse. Por Kaukazi ishte vetëm një vatër konflikti, pasi kriza e vërtetë, këtë herë financiare, që erdhi përtej Atlantikut, infektoi të gjitha financat botërore, e veçanërisht ato evropiane. Më poshtë janë renditur 10 ngjarjet më të veçanta të vitit 2008, sipas britanikes "Times"

1) Triumfi i Sarkozisë me Karlën

Presidenti francez, Sarkozi, e nisi vitin me shumë beteja. Mbyllja e 2007-ës ishte një katastrofë dhe 2008-a i solli, sipas sondazheve, një mbështetje shumë të vogël nga populli, madje bëhej fjalë për pikët më të ulëta të një Presidenti francez në fillim të mandatit të tij në 50 vitet e fundit. Por martesa me ish-modelen Carla Bruni në shkurt duket se i solli mbarësi dhe pak nga pak rritje në popullaritet. Vizita e parë zyrtare e çiftit në Britaninë e Madhe ngjalli kureshtje dhe shkaktoi vëmendje mbarëbotërore, pavarësisht se në ankandet britanike dolën në shitje fotot e vjetra nudo të Zonjës së Parë të Francës.

2) Kriza financiare godet BE-në

Ngritja meteorike e Presidentit francez i dha atij emërtimin "mbreti i botës" për rolin qendror si kryesues i Bashkimit Evropian për 6- mujorin e dytë të vitit. Këta 6 muaj ishin edhe më të vështirët, duke qenë se bëhej fjalë për ashpërsimin e krizës financiare, rëniet e njëpasnjëshme të bankave dhe gjithë problemet e mëdha ekonomike që pasuan.

3) Thashethemet për një Luftë të Ftohtë

Marrëdhëniet jo të mira mes Rusisë dhe Evropës, pas konfliktit në Kaukaz, shumëkush i konsideroi si preludin e një lufte të re të ftohtë. Dasi të mëdha u vunë re edhe në radhët e vendeve të NATO-s e atyre të Bashkimit Evropian në lidhje me ndërtimin e mburojës antiraketë të amerikanëve në vendet lindore, dikur ish-komuniste. Kjo ndërmarrje e amerikanëve nuk u pëlqente aspak rusëve, të cilët në kundërpërgjigje kërcënuan se do të ndërtonin një sistem të ngjashëm, i cili do të kishte si objektiv Evropën Lindore.

4) Obamamania

Barak Obama, tashmë Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri një vizitë elektorale në disa vende të botës dhe kryeqytete të Evropës. Ai arriti të mblidhte rreth vetes turma të mëdha njerëzish në Paris, Londër e sidomos në Berlin, në sheshin qendror të të cilit mbajti edhe një fjalim të paharrueshëm. Obamamania vazhdoi në Evropë deri në fitoren e tij presidenciale në nëntor, pasi pjesa më e madhe e evropianëve e shihnin Obamën si një alternativë shumë të mirë kundër Presidentit aspak popullor Bush.

5) Gafa e Berluskonit

Zgjedhja e Obamës riaktivizoi sistemin e gafave të Kryeministrit italian, Berluskoni, i njohur për shumë bëma në këtë fushë. Ai, në një fjalim të tij, e cilësoi Presidentin e ri amerikan si "të nxirë nga dielli". Menjëherë pas kësaj, reagimet ndaj tij ishin të ashpra, madje edhe Zonja e Parë franceze, Bruni- Sarkozi, që është italiane, deklaroi se ajo ishte e lumtur që kishte dhënë dorëheqjen nga nënshtetësia italiane.

6) Traktati i Lisbonës

Kushtetuta e pamiratuar e Bashkimit Evropian, rilindi me marrëveshjen e Lisbonës pas votës negative që mori në referendumet franceze e holandeze në vitin 2005. Por edhe këtë herë hasi në vështirësi të reja, pas refuzimit që i bënë irlandezët në referendumin e 12 qershorit.

7) Arrestimi i Karaxhiçit

I dyshuari për krime lufte, Karaxhiç, një nga personat më të kërkuar në botë nga ana e drejtësisë, u arrestua në Serbi në korrik, pas një dhjetëvjeçari fshehjeje. Gjykata e Kombeve të Bashkuara e Hagës e akuzoi për krime kundër njerëzimit në Bosnjë, gjatë viteve të luftës.

8) BE dhe Kosova

Pjesa më e madhe e botës njohu pavarësinë e Kosovës në fillim të vitit. Por ndarjet brenda disa vendeve të BE-së, të kryesuara nga Spanja, që i druhej rritjes së separatizmit, e zbehu festën e madhe në Prishtinë.

9) Incesti tronditës

Evropa u tmerrua në muajin prill, kur doli në dritë rasti tronditës i babait që kishte përdhunuar të bijën për vite me radhë në një zonë të Austrisë. Monstra, zoti Fritzl, u akuzua edhe për vrasjen e njërit prej fëmijëve të tij. Ai kishte sjellë në jetë 7 fëmijë në qilarin e shtëpisë me të bijën dhe rasti i tij konsiderohet si ndër më të rëndët dhe tronditësit.

10) Vdekja e Hajderit

Austria erdhi në fundin e një periudhe me vdekjen e liderit të ekstremit të djathtë, Jorg Hajder në një aksident automobilistik në muajin tetor. Pak net më parë, pas zgjedhjeve të përgjithshme, partia e tij ishte shndërruar në njërën prej partive më të fuqishme në vend, ndërkohë që partitë kryesore kishin dalë me rezultatet më të ulëta që pas Luftës II Botërore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama