F16 italiane trembin shqiptaret

F16 italiane trembin shqiptaret

Dy gjëmime të forta kanë tronditur qytetet e Durrësit e Kavajës, si dhe zonave përreth tyre. Gjëmimet e perceptuara si shpërthime nga qytetarët kanë shkaktuar habi dhe te autoritetet policore dhe detare të cilat menjëherë kanë nisur kontrollet në tokë e det.

Nga kontrollet ka rezultuar se nuk ka pasur shpërthime, ndërkohë që në zonën e Kavajës mjaft qytetarë të kontaktuar në linjë telefonike thonë se kanë parë tre avionë, dy prej të cilëve ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët me shpejtësi të lartë.

Raportimet qytetare, si dhe i peshkarexhës "Dita" që ndodhej në det të hapur për 2 shpërthime dhe avionë që fluturonin mbi det ka angazhuar forca dhe mjete të rojes bregdetare dhe policisë kufitare për verifikime.

Gjëmimet e pazakonta kanë shkaktuar jo pak panik, por ngjarja ka nisur të sqarohet me kalimin e minutave. Me anë të një njoftimi për shtyp Ministria e Mbrojtjes ka hedhur dritë mbi ngjarjes, duke saktësuar se shpërthimet kanë ardhur nga fenomeni i quajtur “bum sonik”.

“Një avion boing komercial i cili udhëtonte nga Anglia në drejtim të kontinentit Afrikan humbi për disa momente kontaktin me qëndrat e kontrollit ajror në Serbi, në hapësiren e të cilit po kalonte fillimisht. Kaq ka mjaftuar që të niste procedura e dhënies së alarmit SOS për hapësirën shqiptare, ku avioni do të kalonte më pas. Mospërgjigjja e këtij avioni, kur ai ndodhej në afërsi të hapësirës ajrore shqiptare, vuri në gatishmëri një ndër bazat NATO, prej të cilës u ngrit në ndjekje një çift avionesh luftarakë F16 italiane. Hapësira ajrore shqiptare ruhet nga forcat e NATO-s dhe përkatësisht nga Greqia dhe Italia, ku kjo e fundit kishte përgjegjësinë këtë radhë për ruajtjen e hapësirës shqiptare. Burime i thane Top Channel se avionët luftarakë italianë, të ngritur në ajër kanë aktivizuar shpejtësinë supersonike për të arritur avionin civil përpara se ai të hynte në hapësirën ajrore shqiptare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas njoftimit “bumi sonik” ka ardhur pikërisht nga kjo manovër e avionëve dhe megjithëse mbi ujëra ndërkombëtare rreth 20 milje larg bregdetit shqiptar, për shkak të shpejtësisë mbi kufirin e zërit kanë ndodhur edhe gjëmimet e konsideruar nga banorët si shpërthime”.

Burime zyrtare nga Albkontroll bëjnë të ditur se avioni në fjalë, pasi kishte humbur komunikimin me kullën e kontrollit të Beogradit, sapo ka hyrë në territorin shqiptar ka vendosur lidhjen me kontrollorët e Rinasit por pavarësisht kësaj, dy avionët F16 italianë e kanë shoqëruar për 10 minuta avionin në fjalë, deri në 8 milje në jug të kufirit shqiptar me Greqinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama