FIFA ka publikuar sot klasifikimin e ri botëror, duke zyrtarizuar ngjitjen me 5 pozicione të Shqipërisë, e cila tashmë mban vendin e 37 në botë.
Kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi kanë marrë shumë pikë falë fitores kundër Rumanisë, që i ka ndihmuar të hedhin hapa para në klasifikim. Ndërsa për tre ndeshjet e tjera të përllogaritura nga FIFA, miqësorja me Ukrainën dhe ndeshjet zyrtare nda Zvicrës e Francës, pikët e fituara kanë qenë zero meqë Shqipëria i mbylli me humbje.
Ndonëse Shqipëria ka kaluar kombëtare me emër si Rusia e Suedia, duhet theksuar se ajo vazhdon të mbetet në një pozicion të ulët për sa i përket renditjes brenda konfederatës, pasi është e 24-ta mes kombëtareve europiane.
Një risi për këtë renditje është edhe përfshirja e Kosovës, e cila ka bërë debutimin e saj në klasifikimin botëror duke u pozicionuar në vendin e 190 mes 210 vendeve që përfshin ai.