FMN Ne 5 vjet Shqiperia humbi me shume se gjysme buxheti

FMN: Ne 5 vjet Shqiperia humbi me shume se gjysme buxheti

Kriza ekonomike, e cila prej vitesh ka ngadalësuar motorët e rritjes, por ka pakësuar edhe shanset e punësimit apo financimit, efektin në Shqipëri e ka pasur jo pak, por në vlerën 2.5 miliardë dollarë. Në pesë vite llogaritet që vendi ynë ka humbur gati 3/5 e një buxheti nga ngadalësimi i prodhimit dhe rritjes. Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas përllogaritjes që ka bërë për impaktin e krizës për një sërë vendesh të rajonit, për Shqipërinë gjykon se prodhimi në pesë vite ka rënë me më shumë se 21.2 për qind. Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë pasur humbjet më të mëdha për faktin se kriza erdhi në një kohë që cilësohet si një post-tranzicion dhe kur mundësitë e rritjes ishin edhe më të mëdha.

Një goditje e tillë në një moment të rëndësishëm të ekonomisë, pa dyshim që ka dhënë edhe humbjen më të madhe. Nëse i referohemi renditjes sipas humbjes në kosto që kanë pësuar vendet nga viti 2008 deri në vitin 2012, Shqipëria është ndër ato pesë që kanë qenë më pak të ndikuara. Kështu, Bjellorusia, Turqia, Polonia dhe Letonia janë para vendit tonë, ndërkohë që efektet janë më dramatike për vende të tjera, dhe sidomos për fqinjët. Në termat e ngadalësimit të ekonomisë, këndvështrimi i FMN-së nuk do të ishte edhe aq optimist për Shqipërinë. Në këtë rast vendi ynë do të ishte në grupin e vendeve që kanë pasur probleme të mëdha, siç janë Irlanda, Greqia, Qiproja apo Spanja, ku kriza ka qenë edhe më agresive, duke i detyruar vendet të mbeten shpesh në dorën e vendimeve të përbashkëta të BE-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama