Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka këshilluar qeverisë shqiptare të rrisë moshën e daljes në pension “për gratë dhe burrat”, të kufizojë rritjen e pensioneve aktuale dhe të pagave të sektorit publik me nivelin e rritjes së inflacionit si dhe të ndajë pensionet sociale nga pensionet e punës për të rritur interesimin e të punësuarve të sotëm të deklarojnë pagat reale më të larta.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, është e qartë se pesha aktuale e pensioneve në buxhetin e shtetit dhe në ekonomi në tërësi është e rëndë dhe mund të bëhet e papërballueshme. Zgjidhja konsiston sipas FMN në mbajtjen e pritshmërive të publikut të ulëta sa i përket rritjes së pensioneve aktuale dhe zgjidhjes së problemit të hendekut mes kontributeve dhe përfitimeve.
FMN del në konkluzionin se shqiptarët e punësuar sot me paga të mesme dhe të larta, kanë shumë pak incentivë për të deklaruar pagat reale në tatime dhe për të paguar sigurimet shoqërore, pasi pensioni që ata do të mund të marrin, do të jetë shumë më i ulët nga sa u kërkohet të paguajnë sipas legjislacionit aktual.
Kërkohet që shpejt të krijohet një komision për reformën e pensioneve dhe që reforma të mbyllet nga fundi i vitit 2014.
FMN propozon që mosha e pensionit të rritet në 67 vjeç për burrat nga 65 që është aktualisht dhe në 65 vjeç për gratë nga 60 që është aktualisht.