FMN jep detyrat e shtepise per qeverine

FMN jep detyrat e shtëpisë për qeverinë
TIRANË- Me përfundimin e vizitës dhjetë ditore në Shqipëri, ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka lënë edhe detyrat e radhës për qeverinë. Tërheqja e stimujve fiskalë pas kalimit të rrezikut të krizës, ulja në nivele të pranueshme brenda një kohë të shkurtër e deficitit buxhetor dhe borxhit public, janë disa masa që FMN i sugjeron qeverisë për të bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit në vitet e ardhshme.


Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave, Ridvan Bode, si dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani, kreu i FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell bëri një analizë të hollësishme të zhvillimeve financiare gjatë vitit të shkuar si dhe të pritshmërive për këtë vit.


Gjatë analizës së tij, Bell e vuri theksin tek hartimi i një rregulli fiskal të besueshëm dhe lehtë të monitorueshëm për të udhëhequr financat publike në periudhën afatmesme.


Tre janë deyrat të cilat qeveria duhet të përmbushë në një të ardhme afatmesme. Rritja e ndjeshme e treguesve të deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 i cili arriti në 7 për qind të PBB-së, ka bërë të domosdoshme sipas FMN-së marrjen e masave nga qeveria për uljen e tij brenda vitit deri në 3 për qind.


Sipas Bell, ulja e shpenzimeve buxhetore do të stabilizonte edhe treguesit e borxhit publik gjatë viteve të ardhshme. Deri më tani treguesit e borxhit publik kanë arritur sa 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifra këto të cilat kanë shqetësuar FMN-në. Përballë këtyre treguesve, qeveria ka ndërmarrë një nismë për uljen e borxhit publik deri në 50 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2013.


Ndërkohë, për arritjen e këtij objektivi Bell ka sugjeruar uljen e menjëhershme të deficitit buxhetor, masë drastike kjo e cila duhet të ndëmerret në rishikimin e ardhshëm të buxhetit 2010. Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, një rishikim i buxhetit 2010 pritet të bëhet gjatë muajit qershor të këtij viti. "Ne bëmë një ushtrim dhe ia paraqitem qeverisë.


Nëse mbahet ky objektiv për uljen e deficitit në 3 për qind të GDP-së brenda 2010 dhe në periudhën afatmesme, rritja në shpenzime kufizohet në nivelin e 2 përqindshit atëherë është plotësisht i mundshëm arritja e një niveli borxhi publik prej 50 për qind të GDP-se deri në vitin 2013", - deklaroi Bell.


Bell mbështeti politikat fiskale të ndjekura deri më tani nga qeveria në kuadër të përballimit të efekteve të krizës ekonomike globale ndërkohë që e cilësoi të domosdoshme tërheqjen e tyre tashmë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit.


"Si rezultat i këtyre politikave stimuluese, deficitit buxhetor arriti në rreth 7 në vitin 2009 krahasuar me rreth 3 për qind që ka qënë në 2007. Ishte një nga faktorët që ndikoi në rritjen e borxhit në rreth 60 për qind të DGP si dhe të bilancit të pagesave në 15 për qind të GDP-së.


Nëse ky trend vazhdon, rrezikohet të minimizohet hapësira për investime private dhe gjithashtu të ulin qëndrueshmërinë e borxhit publik", - paralajmëroi Bell.


Krahas sugjerimeve në sektorin makro, Bell e cilësoi të rëndësishme ndryshimin strukturor të ekonomisë shqiptare, e cila duhet të përmirësoje treguesit e eksporteve si dhe klimën e bërjes së biznesit.


"Ekonomia shqiptare duhet të kaloje nga huamarrja për të financuar konsumin, në një zgjerim të burimeve të rritjes, përmirësimit të konkurueshmërisë, rritje të eksporteve, duhet rritur vlerën e eksporteve. Kjo kërkon përmirësim të vazhdueshëm në klimën e biznesit si dhe mbështetje të investitorëve", - tha ai.


Pas mbledhjes së të dhënave nga institucionet shqiptare, ekipi i FMN-së pritet t'ua paraqesë ato bordit drejtues, i cili brenda dy muajsh do të dalë me një qëndrim të vetin në lidhje me zhvillimet në Shqipëri.

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama