FMN parashikon rritje te metejshme te borxhit shqiptar

FMN parashikon rritje te metejshme te borxhit shqiptar

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se, pavarësisht dëshirës së qeverisë shqiptare për të ndaluar rritjen e borxhit publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2015, borxhi do të rritet së paku deri më 2018-n si pasojë e ekonomisë së dobët.

FMN-ja publikoi dje parashikimet e veta për treguesit kryesorë makroekonomikë të vendeve të ndryshme, ku vlerësohet se ekonomia shqiptare do të vijojë të ketë një rritje anemike për shumë vite, ndërsa borxhi publik do të rritet. Për këtë vit, FMN-ja pret që borxhi shqiptar të arrijë në 65 për qind të PBB-së, (afërsisht 6.5 miliardë euro), ndërsa do të vijojë të rritet me qindra milionë euro në vit deri më 2018-n, kur do të mbërrijë në 83 për qind të PBB-së. Ky është borxhi më i lartë që mund të ketë një vend i varfër dhe i pazhvilluar si Shqipëria.

Rritje e dobët

FMN-ja vlerëson se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë rreth 1.7 për qind në terma realë dhe do të përshpejtohet gradualisht në 2.5 për qind për katërvjeçarin e ardhshëm. Kjo është një rritje minimale në krahasim me të shkuarën dhe tërësisht e pamjaftueshme për të krijuar vende të reja pune apo rritje të mirëqenies.

Në kontrast nga ne, Kosova dhe Maqedonia do të kenë rritje më të fuqishme me rreth 4 për qind në vit. Kosova ka shumë pak borxh publik, ndërsa Maqedonia e ka borxhin në rreth 33 për qind të PBB-së. Edhe për Maqedoninë parashikohet rritja e borxhit, ku në vitin 2018 do të arrihet në 40 për qind të PBB-së, maksimumi i rekomanduar për një vend në këtë stad zhvillimi.

Biznes me humbje

Një ekonomi që rritet me 2.5 për qind në vit, (sa është edhe potenciali i rritjes së Shqipërisë sipas vlerësimit të FMN-së), në një kohë kur borxhi publik rritet me rreth 3 për qind të PBB-së në vit, është thjesht një ekonomi me humbje. Është njësoj si të kesh një kredi me interes 10 për qind në një kohë kur biznesi i prodhuar me këtë kredi ka normë fitimi 5 për qind. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me rreth 250 milionë euro në vit, por interesat e borxhit publik mund të kushtojnë 300 apo 400 milionë euro në vit. Natyrisht, diferenca është humbje. Humbjet janë të rënda për popullsinë, sepse reagimi i zakonshëm i ndërmarrjeve në këtë situatë është ulja e kostove, pra paga më të ulëta e më pak të punësuar. Në këto kushte, inflacioni është shumë i dobët dhe fuqia blerëse e popullsisë nuk rritet.

Premtimet e qeverisë

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, paralajmëroi pak ditë më parë se ka ndër mend të ndërmarrë reforma në drejtim të rritjes së disa taksave, të luftës kundër evazionit fiskal dhe të uljes së shpenzimeve për të garantuar “marrjen e kthesës”, pra ndalimin e rritjes së mëtejshme të borxhit në raport me prodhimin. Por një plan i qartë dhe një llogaritje se sa do të jetë efekti pozitiv i këtyre masave, nuk është publikuar ende. Objektivi i deklaruar i Canit është “marrja e kthesës” në vitin 2015, kur borxhi i ri i qeverisë shpresohet të rritet më pak sesa rritja ekonomike e vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndonëse një institucion i konsideruar si “konservator” në këtë drejtim, këshilloi që përpjekjet për shkurtimin e borxhit publik të mos jenë shumë të ashpra dhe të shtrihen në kohë, të bëhen gradualisht në mënyrë që të mos dëmtojnë fuqinë blerëse të popullsisë. Por ekspertët e FMN-së në Uashington, të cilët bënë parashikimet e fundit, duket se nuk kanë besim se qeveria shqiptare do t’ia dalë të ulë borxhin.

Por janë vetëm parashikime

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar mund të dalin të gabuara. Borxhi publik shqiptar mund të ulet më shpejt nga sa mendojnë ekspertët e Fondit ose mund të rritet më shumë për ta çuar vendin në pikën kur falimenti mund të bëhet rrugëdalja e vetme.

Aktualisht, kostoja e borxhit publik është në mënyrë të pabesueshme e ulët. Një kombinim ngjarjesh rastësore fatlume, por që mund të konsiderohen edhe fatkeqe, e bënë këtë. Tregu i bonove të thesarit ka sot shumë më tepër konkurrencë nga sa kishte pak vite më parë, ndërsa bankat refuzojnë t’i japin kredi ekonomisë së gjerë dhe nxitojnë të vendosin paratë e veta te borxhi publik përkundrejt interesave prej pak më shumë se 4 për qind. Shqipëria është mësuar gjatë viteve të shkuara që të paguante 7 apo 8 për qind interes për borxhin e vet publik. Përfitimet janë në rendin e dhjetëra milionë apo ndoshta edhe 100 milionë euro në vit. Por kjo situatë e konkurrencës së fortë dhe interesave të ulëta mund të ndryshojë.

Zgjidhje e lehtë

Sakaq, në Shqipëri kanë filluar të qarkullojnë hipoteza për një dalje nga kjo situatë me anë të emisionit monetar. Kjo do të thotë që shqiptarët të përjetojnë edhe një herë vitin 1992, kur sistemi komunist u rrëzua dhe leku u zhvlerësua me forcë. Një gjeneratë e tërë shqiptarësh, veçanërisht të moshuarit, jetuan dhe vdiqën në varfëri të plotë. Një zgjidhje e tillë mund të krijojë edhe një tragjedi. Gjysma e borxhit publik dhe shumica e borxhit privat të Shqipërisë është në monedhë të huaj. Në rast se ndiqet kjo “zgjidhje” e lehtë, rreziku është që barra e borxheve të rritet në vend që të ulet.

Zgjidhje e vështirë

Shqipëria e ka një rrugë tjetër për të dalë nga kjo situatë duke sulmuar pikërisht shkaktarët që e krijuan këtë katrahurë. Buxheti i shtetit mbledh më pak se 24 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga taksat. Qindra milionë euro taksa në vit nuk mblidhen për shkak të evazionit fiskal në shkallë të gjerë. Mbledhja e një pjese të këtyre taksave të papaguara mjaftojnë për të stabilizuar deficitin buxhetor dhe borxhin publik pa pasur nevojë për të kaluar në faliment.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama