Kombëtarja shqiptare e futbollit ndryshon sërish fanellat e saj. Pas paraqitjes së suksesshme që kuqezinjtë bënë në finalet e "Euro 2016", paçka se nuk arritën kualifikimin për në 1/8-at, lojtarët do të veshin të tjera fanella në eliminatoret e Botërorit "Rusi 2018".
Shtatori pritet të jetë një muaj i ngarkuar për futbollistët e drejtuar nga Xhani De Biazi dhe kompania që dizajnoi fanellat e kuqezinjve i ndryshoi sërish ato për një tjetër turne të rëndësishëm.
Disa nga ndryshimet që kompania "Macron" duket se ka bërë me fanellat e reja është zhvendosja e logos së saj, stema e flamurit etj. ndërsa ngjyrat mbeten po ato.
Fanellat e reja pritet të dalin në muajin shtator, periudhën në të cilën kuqezinjtë fillojnë një tjetër fazë të rëndësishme.