Trajneri i portierëve të Kastriotit, Dashnor Hasani, ishte një prej atyre që ra pre e dhunës së tifozëve të Korabit në fund të ndeshjes së të shtunës.
Në një rrëfim të gjatë, ai tregon gjithçka ka përjetuar që kur kanë mbërritur në Peshkopi dhe deri kur janë dhunuar në fund të takimit.
Porta për të është një dashuri që ka nisur që më 1978, por pas asaj që ndodhi në Peshkopi, Hasani po mendohet nëse duhet të vazhdojë më me këtë profesion apo jo. Në një status në profilin e tij në "Facebook" Hasani i rrëfen të gjitha.
Rrëfimi
"Në vend të daulleve dhe çiftelive! Sa zbritëm të premten në Peshkopi, filloi presioni: 'Ju nuk dilni të gjallë nga Peshkopia'. Të shtunën në mëngjes shkuan dy lojtarë për të blerë gazetat sportive, por nuk kishin mbërritur ende.
Dy lojtarët e rinj të veshur me kostumin e klubit ishin ofenduar dhe u ishte bërë presion! Kemi çuar shoferin e furgonit pasi ne të tjerët nuk kishim veshje civile, vetëm kostumin përfaqësues të klubit të Kastriotit.
Duke parë situatën, trajneri Plori u dha urdhër lojtarëve dhe stafit të mos dilnin nga dhomat. Dolëm nga hoteli për ndeshjen dhe deri te fusha nuk na ngacmuan, pasi ishim me furgon dhe makina private pa stemën e Kastriotit. Një orë e gjysmë përpara shkuam në stadium dhe filluan sharjet kolektive me dy qendra të instaluara zëri ku me mikron dhe me volum të lartë nisi presioni psikologjik.
Një fushë sportive me vetëm një rrethim ku njerëzit vinin nga rruga dhe dilnin sa herë të donin. Dolëm në nxehmje dhe aty shpërtheu histeria kolektive në mënyrë kafshërore. Filloi ndeshja dhe mbaroi dhe shyqyr që fituan ata.
Në minutën e fundit shtesë akordohet korne për ne dhe i gjithë ekipi dhe portieri ishin në zonën e Korabit. Vendoset topi, por gjyqtari e mbaron ndeshjen pa u ekzekutuar goditja e këndit dhe shyqyr që e përfundoi.
Në këtë moment shpërthen turma mbi 2000 veta në fushë, pavarësisht se kampionati ka edhe një javë që të mbyllet dhe ne jemi me pikë të barabarta me Korabin dhe çdo gjë është e hapur matematikisht. Ne kujtuam se po festojnë, pavarësisht se po shkelnin rëndë rregulloren, por kjo kishte qenë grackë ku na zunë mat dhe filluan të godisnin lojtarët tanë me çdo gjë që mundeshin.
Policia u gjend e papërgatitur, pasi nuk e menduan se fituesi do godasë humbësin pse humbën. Turma ishte aq e egërsuar, saqë ishin shpërfytyruar komplet në fytyrë, na kanë goditur nga fusha deri te dhomat e zhveshjes ku kam parë lojtarët e mi të gjakosur", tregon fillimisht Hasani.
Dhuna
Më pas, tekniku i portierëve vazhdon rrëfimin e tij duke thënë: "Trajnerin Plori e goditën me flamurin e fundores dhe e vunë poshtë, por atë e shpëtoi fotografi i apasionur sportiv dibran, Fehmi Lleshi. Por ai e pagoi shtrenjtë, pasi mori një shkelm në bark nga një drejtues i ujësjellësit Dibër, përse mbrojti Plorin.
Mua më shkelën poshtë, por një polic më nxori, por i kushtoi edhe atij shtrenjtë, pasi turma e vuri poshtë dhe uroj që të jetë mirë dhe e falënderoj shumë. Kulmi ishte te dera kryesore ku kishte një kaos total prej nga na vinin goditje nga çdo kënd normal. Kur kam hyrë brenda, kam parë mbi 8 lojtarë të shtrirë, muret dhe çimentot ishin të gjakosura.
Drejtuesit e klubit Kastrioti ishin të larë në gjak, por e kaluam atë falë ndihmës mjekësore brenda dhomës së zhveshjes që nuk ishte më e madhe se një furgon 6+1.
Në spital nuk kishim mundësi të shkonim, pasi ishim të rrethuar nga mijëra tifozë që akoma nuk ishin kënaqur me rrahjen që na bënë. Vetëm armët e zjarrit dhe thikat nuk kanë përdorur.
Falënderoj arbitrin elbansanlli Jorgji që falë zgjuarsisë dhe largpamësisë së tij shpëtoi jetën e tij, të lojtarëve dhe stafit të Kastriotit që i dha fitoren Korabit.
Falënderoj policinë e shtetit që pavarësisht se nuk e mbuloi dot, nuk mund të bënin më shumë përballë 2000 tifozëve. Një turmë të egërsuar në atë mënyrë nuk e kam parë asnjëherë në 14 vite si portier dhe kohën si trajner.
Falënderoj tifozët e ndershëm dibranë, të cilët nuk u bënë pjesë e kësaj shfaqjeje të turpshme! Një urim kam për lojtarët e dëmtuar dhe shpresoj që të shërohen sa më shpejt".
Dilema
Hasani tregon edhe për dilemën që ka pas dhunës së të shtunës. Sa i përket qëndrimit tim si trajner portierësh, në ditët në vazhdim do marr vendimin përfundimtar nëse do punoj më në Shqipëri apo nuk do merrem më me këtë profesion që ka qenë dashuria ime e parë që prej vitit 1978.
Por, tani më e rëndësishme është jeta! Ndjesë klubit sportiv Korabi për bërjen pis të mureve dhe dyshemesë me gjakun tonë, pasi nuk e pastruam! Shpresojmë që gjakun e lojtarëve dhe stafit të Kastriotit ta pastrojë Komisioni i Disiplinës", mbyll rrëfimin e tij Dashnor Hasani.
LIRIDON PASHA