Federata Shqiptare e Futbollit u ka bërë apel klubeve shqiptare që të plotësojnë sa më shpejt dokumentacionin për licencimin e tyre sipas standardeve të kërkuara, ndërsa ka pranuar se informaliteti aktual i futbollit shqiptar pengonte rritjen e cilësisë së këtij sporti në vendin tonë.
Njoftimi për shtyp i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të tërheqë vëmendjen e klubeve shqiptare të futbollit, opinionit dhe medias, në lidhje me procesin e licencimit për sezonin 2016-2017.
Duke e konsideruar këtë proces, si një nga prioritetet më të rëndësishme të punës së saj, nëpërmjet Sektorit të Licencimit, FSHF kërkon bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha subjekteve. Qëllimi i licencimit të tyre, sipas kërkesave të UEFA-s ka si objektiv rritjen dhe përmirësimin e standardeve të menaxhimit e organizimit të klubit si një strukturë dhe vendosjen e prioriteteve. Në këtë mënyrë mund të sigurohet një nivel i përshtatshëm menaxhimi dhe organizimi, standardizohet infrastruktura, për të krijuar kushte të përshtatshme për lojtarët, spektatorët e mediat dhe garantohet trajnimi dhe përkujdesja për talentet e reja. Nëpërmjet tij, kryhet edhe monitorimi i respektimit të rregullave financiare në kompeticione.
Plotësimi i dokumentacionit përkatës për këtë proces, sipas njoftimit që klubet kanë marrë në muajin maj më datë 19, duhet të përfundojë më datë 15 korrik.
FSHF njofton se është riformatuar Komisioni i Licencimit, i cili ka nisur menjëherë nga puna dhe do të ndjekë nga afër këtë proces. Ai, do të miratojë dokumentacionin e plotësuar. Gjithashtu, shumë shpejt, do të nisë edhe inspektimi në terren nga ana e Sektorit të Licencimit.
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të informojë klubet, opinionin sportiv dhe mediat, se e quan shumë të rëndësishëm, formalizimin e futbollit shqiptar. Vetëm në këtë mënyrë, futbolli do të garantojë të ardhmen dhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe do të ketë objektiva të qarta për të ardhmen.
Klubet, si një hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin sportiv, duhet të ndërgjegjësohen, se ky proces, duhet të vlerësohet maksimalisht dhe për këtë kërkohet bashkëpunimi i tyre maksimal. FSHF, garanton asistencë maksimale në mënyrë që gjithçka të realizohet në parametrat e kërkuar dhe sipas standardeve të vendosura nga UEFA.