FSHF ftese Tiranes gati dosja per Europen

FSHF ftesë Tiranës, gati dosja për Europën

Tirana bëhet gati për Europën. Prej ditësh bardheblutë janë duke përgatitur dosjen që do të dorëzojnë në FSHF. Një pjesë e mirë e shkresave tashmë janë depozituar në federatë, ndërsa afati i fundit për detajet që kanë mbetur është data 2 prill. Këto janë procedura rutinë në fakt, të cilat i bën çdo klub i Superiores, megjithatë ekipet që do të jenë pjesë- marrëse në Kupat e Europës, Champions apo Ligën e Europës i dorëzojnë më shpejt. Tirana, edhe pse në vendin e 5-të, u është bashkangjitur skuadrave që i kanë dorëzuar më herët, duke i paraprirë çdo vendimi që mund të vijë nga UEFA për hetimin e nisur mbi Skënderbeun.

tirana

Në të tilla kushte, 24 herë kampionët e vendit janë në gatishmëri për një pjesëmarrje të mundshme në Ligën e Europës. Dhe nga sa mësohet, këtë dosje e ka bërë gati më shpejt, pasi ka qenë vetë federata që ia ka kërkuar klubit. Gjë kjo që shton edhe më shumë dyshimet, se për llogari të Skënderbeut mund të ketë ndonjë masë rënduese, deri në përjashtimin e tyre nga Champions-i, derisa edhe vetë FSHF-ja kërkon që të ketë gjithçka gati, sido që të jetë vendimi. Dhe nëse ndodh kjo, Tirana edhe pse nuk e arriti zonën "Euro" gjatë kompeticionit sezonal, mund t'i jepet logjikisht e drejta që të marrë një "biletë" për në Ligën e Europës, ashtu si Kukësi e Teuta, ndërkohë Partizani do të shkonte në Ligën e Kampionëve.

tirana

Klubi një pjesë të mirë të letrave i ka dorëzuar në tri ditët e fundit, ndërsa deri nesër do të dorëzojë bilancin financiar. Edhe pse u përfol për një rrezik të mundshëm për shkak të borxheve, nga burime të sigurta në klub mësohet se nuk do të ketë kurrfarë pengese. Kujtojmë që drejtuesit prej muajsh kanë mbyllur detyrimet ndaj ish-lojtarëve, çka do të thotë që risku është shmangur. Ndaj, nëse bardheblutë do të marrin OK-in për të qenë në Europë, dosja që shërben për miratimin e kushteve të UEFA-s, apo detajet e tjera që lidhen me anën teknike, që kanë lidhje me uniformat, për shembull, janë dorëzuar në FSHF.

Merkato

Edhe pse procedurat e regjistrimit janë gati, te Tirana gjithsesi kanë mbetur pezull sa i përket konfigurimit të ekipit. Një dënim i mundshëm i Skënderbeut, jo vetëm që do të përshpejtonte merkaton në hyrje të bardhebluve, por do të ndikonte edhe në emra. "Pjaca" sigurisht që do të rritet dhe drejtuesit do të fokusohen në afrimin e futbollistëve tejet cilësorë, që sigurisht edhe koston do ta kenë më të lartë. Pse jo, kryeqytetasit mund të hedhin edhe sytë nga legjionarët dhe ndoshta do të tentojnë që të marrin ndonjë lojtar që luan jashtë vendit, apo nga Kombëtarja.

Adela Merko


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama